Nga Rita Petro
Të dashurosh apo jo?
Kjo është çështja…
Të durosh ditët që zvarriten në këmbët e tua
Apo të kapësh yllin që bie fluturimthi?
E di, më i sigurt je shumëkëmbësh mbi tokë
I lumtur je tek hap krahët e fluturon
Ndonëse një vrimë e zezë
Ka hapur gojën
Aty poshtë…
Sa për veten time
E di
Jam i atij soji
Që kurrë nuk heq dorë
Që dhe në errësirën më të thellë
E gjej një yll
E në qoftë i shuar
Me frymën time e ndez…
Dhe kur ai dobët xixëllon
E mbaj atë flakë gjallë
Brenda në gojë…