Home KRYESORE HashtagAlbania: Dosja CEZ / Kush po e censuron gazetarin Hoxha dhe kush...

HashtagAlbania: Dosja CEZ / Kush po e censuron gazetarin Hoxha dhe kush po e fsheh biznesmenin Mane?

Në emisionin e mbrëmshëm Opinion, gazetari Artan Hoxha, ka ekspozuar një sms që interceptimet e prokurorisë e kishin kapur duke mbajtur në përgjim numrin e biznesmenit Kastriot Ismailaj.

Sot paradite, gazetari Hoxha i ka hedhur në Facebook-un e vet fashikujt e përgjimeve. Atje ekspozohet më qartë dhe sms-ja:  “Nëser në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Numri i ekspozuar si i personit që ka dërguar sms-në është: 068 20 31 701. Ky numër është i njohur thuajse për shumicën e gazetarëve dhe politikanët, është numri i Ilir Metës.

Është ende i paqartë statusi ligjor i dokumentit që ka publikuar gazetari Hoxha. Disa portale raportuan se këto përgjime “janë zhdukur” nga dosja, por nëse diçka e tillë do ishte e vërtetë atëherë kjo do justifikonte një hetim të ri mbi manipulimin e provave në organin e akuzës.

Megjithatë lind pyetja se nga dolën këto përgjime nëse fashikujt janë zhdukur?

Është rasti i dytë kur nga dosja CEZ në të njëjtin vend, në emisionin Opinion, me të njëjtët aktorë, sidomos gazetari Hoxha, i cili pak javë më parë publikoi dhe një video ku pretendoi se po i bëhej presion një dëshmitari, ndonëse në videon pa audio ekspozoheshin në distancë dy persona në një lokal që nuk po binin dakord nëse duhej ose jo t’i linin mënjanë telefonat para se të nisnin bisedën.

Sms-ja e publikuar nga gazetari Artan Hoxha

sms e publikuarGazetari Artan Hoxha ka pretenduar sot se është censuruar në disa media dhe se dokumentet e fundit që ai ka publikuar nuk janë raportuar. Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi shumica e portaleve të paktën i kanë raportuar ato, madje me gjithë komentet e gazetarit. Gazetari në shënimin që i bënte dokumenteve shkruante se Ilir Meta e kishte mohuar njohjen me Kastriot Ismailajn. Njohjet e Metës me Ismailajn “i di gjithë Tirana” dhe mbështetja që ka pasur biznesmeni në aferrën DIA-CEZ nuk mund të ketë qenë e rastësishme, sikundër nuk mund të jenë të rastësishëm dhe disa elementë të tjerë në lojën mediatike që po ri-vihet në skenë.

Është e “çuditshme” se si e gjithë vëmendja është përqendruar tek kapitulli “DIA-CEZ” për çështjen e mbledhjeve të borxheve, ndërsa në lojë ka pasur dhe disa kompani të tjera. Është njësoj e çuditshme se si i gjithë “spektakli denoncues” ri-vihet në skenë, në të njëjtën studio, në të njëjtin televizion, në televizionin Klan.
Aksionar në këtë televizion është dhe biznesmeni Samir Mane, ai ka pasur dy kompani të mbledhjes së borxheve të CEZ.

Madje i ka pasur kompani që i kanë parë vërtetë ”˜hairin’ këtij biznesi, sepse kompanitë e Manes kanë mbledhur borxhin e institucioneve shtetërore. Pra një zyrtar firmoste që borxhi të shlyhej dhe me atë copë letër në thesar kompanive të z.Mane i kalonin milionat nga thesari, pa një pa dy. Tv-Klan është në konflikt të pastër interesi me çështjen e mbledhjeve të borxheve të CEZ por përtej interesave të këtij grupi mediatik, bën përshtypje se gazetarët që ulen aty në studio, përveç fokusit tek kapitulli Meta-Ismailaj, harrojnë gjithnjë që të shohin pak më tej dhe të pyesin:

Vetëm ky Kastrioti ka mbledhur borxhe në CEZ apo ka dhe ndonjë tjetër?

Dokumentet e ekspozuara deri tani kanë fokus kryesisht lidhjen Meta-Ismaillaj, e të gjitha gjasat janë që një lidhje e tillë të ketë ekzistuar. Përtej sforcimeve me aludimet në arbitrazh “për një ish-kryeministër”, apo “e njeh Meta apo nuk e njeh Kaçin”, apo “një dëshmitar u kërcënua se i thanë të hiqte mënjanë telefonin”, nuk do shumë mend që Kastriot Ismailaj nuk mund ta kishte atë kontratë pa bekimin e politikanëve të fuqishëm që drejtonin vendin.

Por nga ana tjetër, ky është vetëm një kapitull i historisë problematike të borxheve të CEZ por dhe e privatizimit e më pas ri-shtetëzimit të CEZ. Duket sikur elementë të dosjes po përdoren për të qërruar hesapet e konjukturës së brendshme politike. Për shembull askush nuk pyet, si ka mundësi që ministri Damian Gjiknuri çon në prokurori disa ish-ministra demokratë për privatizimin korruptiv të OSSH-së nga CEZ, ndërsa po vetë Gjiknuri shkon dhe firmos një kontratë për të dëmshpërblyer CEZ-in (që korruptoi ministrat tanë) dhe për të mbyllur konfliktin e madh.

Duket shumë e çuditshme që të gjithë njohin emrin e Kastriot Ismailajt sot për shkak të raportimeve mediatike, por shumë pak e dinë që në lojën e nënkontraktimeve për mbledhjen e borxheve të CEZ ka pasur edhe aktorë të tjerë që janë biznesmenë që kanë interesa direkte mediatike dhe janë të lidhur direkt edhe me studion nga ku po ekspozohen dokumentet e fundit. / HashtagAlbania

Share: