Home KRYESORE Ik nga kurvizmi

Ik nga kurvizmi

Nga Edison Ypi

Kurvi ka 30 vjet që ka ngordhur, kurvizmi është në zenit.

Mozaiku kriminal ta mpin trurin, t’i ngathtëson gjymtyrët, të mposht, të zgërlaq. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol kriminal. Ik nga kurvizmi.

Në bulevard t’i trazon zorrët varri i kurvit. Është vepër arkitektonike, brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka ndodhur, janë gënjeshtra trashanike për të mos e lënë miletin t’i largohet kurvizmit. Ik nga sytë këmbët. Si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.

Në të dy anët e bulevardit, rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësash. Po nuk ike nga këto rrugë me ato emra do çmendesh përgjithmonë.

Sheshi tek Pazari i ri që mban emrin e një halabaku vrasës. Ik-ik-ik, dhe kurrë mos u kthe.

Të shohësh gazetat balli të mbushet me djersë, nëpër trup të kalojnë mornica; Krim në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare që s’kanë asnjë lidhje me preferencat e elektoratit. Sajesa, shpifje, intriga kurviste. Leri gazetat. Mos humb kohë. Ik.

Në shkallët e shtëpisë, ti duke u ngjitur, ai duke zbritur, të vështron me inat një sigurimist. Një kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t’i thuash se Sigurimi ishte kriminal, të vret. Në shtëpi hap kompjuterin për të hyrë, e ku tjetër veçse në Fejsbuk, ku shesh tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra copa mishi në kërkim të burrit duke fotografuar veten nga një mijë kënde. Burra-lavire pa asnjë zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të pështirë që sa më larg të ndodhen aq më trima hiqen. Ik nga këta këllira, ik e mos u duk.

Në mbrëmje sheh plehra televizive të kushtueshme që paguhen nga taksapaguesit. Ke plotësisht të drejtë të mos i shohësh. Nuk durohen. Ik nga kokën këmbët.

Pasi u ke hedhur nga një sy banakëve televizivë të hajdutëve që kanë vjedhur gazeta dhe humbin në bixhos çdo natë aq Euro sa janë të ardhurat vjetore të një komune, mbështillesh me batanije, merr në dorë telekomandën dhe kërkon ndonjë film shqiptar. Gabim i pafalshëm kurvist. Në Shqipëri nuk është bërë asnjë film. Të gjithë kanë qënë propagandë. Prandaj, duke u përplasur a duke u rrokullisur, barkaz, me kurriz, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.

Kurvistat kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të drejtësisë, të gjithave. Prandaj ik, ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e kthe.
E ç’ju duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli, Naimi, Noli, Lasgushi, Kadarea. Ikni o budallenj, ikni. Ikni këmbejini kaltërsitë e llogorasë me tymrat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e Thethit me qelbësirat e haleve që do pastroni.

Ikni qafën thefshi. Gjermaninë ku ma gjen. Ikni edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar, ikni ku të mundni. Vetëm në Shqipëri mos rrini. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u ktheni.

Ikni shqiptarë ikni. Ikni nga kurvizmi.

Ikni sa më parë, sa më larg, sa më tepër, mundësisht të gjithë.

Hiç mos u sëkëlldisni se shqiptarët paksohen dhe Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria kurrë nuk ka qënë më e vogël se e ka merituar. Shqiptarët nuk kanë qënë kurrë më pak se kanë mundur të jenë.

Mos u merakosni se pasi të ikni ju do vijnë t’ua pushtojnë vatrat e ngrohta, shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmin e kultivuat vetë me aq zell e pasion sa tashmë kurvizmi ka infektuar gjithçka, askend nuk do ta marri malli t’i popullojë vatrat e ftohura, t’i ëmbëlsoje tokat e helmatisura, ti ngjalli shtëpitë e vdekura para fundit të botës.

Share: