Nga Mentor Kikia
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Gjergji, lëvizjen “Ne Tirana”, që u fut në garë për bashkinë e Tiranës, po e shndërron në një lëvizje, apo parti politike.
Pikëpamja ime për këtë nismë është se PO, vendi ka nevojë për një alternativë të tretë. Dhe Gjergji mendoj se mund ta drejtojë atë. Se çfarë do të prodhojë, duhet t’ia lëmë kohës.
Nuk po ndalem këtu tek Gjergji, por tek ne, votuesit dhe llomotitësit e rrjeteve sociale. Lajmi apo thirrja që Gjergji poblikoi përmes mediave sociale, u publikua kudo dhe padyshim që shumë njerëz dhanë opinionet e tyre. Në fakt unë e di që shumë prej atyre komentuesve, janë ose rrogëtarë të vegjëj partiakë, dhe këtë punë e bëjnë për cdo lajm që lidhet me politikën, ose janë njerëz që nuk lexojnë farëe cfarë shkruhet, por grinden mes tyre për “mustaqet e celos” derisa shahen me “libër shpie”. Megjithatë unë i lexova disa prej mendimeve të njerzve dhe doja ti përgjiesha pak atyre që thonë: Po po, duhet një lëvizje apo një parti e tretë, po pse Gjergji? U bë ky? Kush e ka futur këtë? Kush e ka paguar për të përcarë të djathtën?
Po mirë o bashkëkombas, si duhet të jetë ai që do të marrë përsipër të udhëheqe një gjë të re? Të jetë i pasur do thoni: Po ky është hajdut, e do të vjedhë më shumë. Të jetë i varfër, do të thoni: U bë ky bythëgrisur. Të jetë i bardhë, thoni pse i bardhë. Të jetë i zi, thoni: Pse i zi? Po si duhet të jetë pra? Cdo ditë ankoheni se vjen njeri e na vjedh më shumë se ai që iku, dhe kur dikush merr guximin të nisë një punë tmerrësisht të vështirë në këtë mjedis të kontaminuar mbi dhe nëntokë, sërish themi: Po jo mo jo, duhet një i ri, por jo ky.
Në fakt faji nuk është as i atyre që na kanë vjedhur e na vjedhin, por i yni, i shoqërisë, që mendjen e ka vetëm tek prapaskenat, intriga, konspiracioni, interesi, hileja e tërë të këqijat bashkë. Dhe pastaj, kur vjen dita e votimeve, edhe pse shajnë e bërtasin tërë ditën, sërish shkojnë e votojnë duke thënë: Hajt t’ia japim dhe kësaj radhe.
Unë nuk besoj se Gjergji do të bëjë mrekullinë, por mendoj se ai që i hyn kësaj pune meriton një “puna e mbarë”.