Home KRYESORE NË ELBASAN U DHUNUAN VLERAT!

NË ELBASAN U DHUNUAN VLERAT!

Nga Ilir Hysa, Ph.D.
Lajmi u përhap me shpejtësi se persona të paidentifikuar kanë hyrë para dy ditësh në banesën e bukëpjekësit Xhevat Koburja dhe pasi kanë dhunuar 80-vjeçarin dhe bashkëshorten e tij, kanë grabitur edhe një sasi të hollash. Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë ka ndodhur në këtë rast përfaqëson më shumë sesa një episod ordiner të dhunës ndaj të moshuarve. Dikush do të ngutej po të arrinte në konkluzionin se nuk është gjë e madhe pasi raste të dhunës ndaj të moshuarve me qëllim grabitjeje ka edhe në vendet e zhvilluara. Ndonëse një konstatim i tillë nuk do të ishte terësisht i gabuar, ai nuk do ti bënte nder diskutimit që po bëhet këtu.
Kronologjia e këtij akti të shëmtuar nuk është ende e qartë, por gjasat janë që familja Koburja është piketuar nga grabitësit para asaj që ndodhi. Sidoqoftë, në Elbasan janë goditur vlerat. Është goditur një bukëpjekës punëtor, i palodhur, fjalëpak, por jo vetëm kaq. Xhevat Koburja është legjendë e gjallë e njeriut që dashuron punën dhe që ka respektin më superior për njerëzit. Ai ia kushtoi gjithë jetën asaj furre buke, shërbimit ndaj qytetarëve të Elbasanit. Furra e Xhevatit është më shumë sesa një furrë buke, ajo është një institucion. Aty nuk është pjekur vetëm bukë. Aty qytetarët e Elbasanit kanë kujtime nga festat, fejesat e martesat, gëzimet e hidhërimet e tyre. Mbaj mend nga fëmijëria se kur vinte puna për të pjekur diçka, vendi ishte pa mëdyshje: “Furra e Xhevatit”. Nëse duhej pjekur një tepsi bakllava apo kadaif, ashtu për merak siç bëhet në Elbasan, njerëzit nxitonin tek furra e Xhevatit. Ustai dinte më mirë sesa kushdo tjetër në qytet se si ta piqte për ta nxjerrë dikë faqebardhë, siç thuhet shpesh në Elbasan.
Pra, thënë shkurt, furra e Xhevatit ka një domethënie të veçantë, ajo është një institucion, ndoshta institucioni më prestigjoz i qytetit të Elbasanit. Ajo ndërtesë modeste iu kujton qytetarëve të Elbasanit njeriun e mirë, njeriun e lidhur ngushtësisht me punën, punën e paqtë dhe respektin për njeriun hallexhi. Mjerisht, këto janë vlera që po degradojnë shpejt, sidomos tek të rinjtë, por ka diçka që mund të bëhet për të dërguar mesazhin e duhur, që në Elbasan vlerat ruhen ende si drita e syrit.
Nëse në Elbasan besohet ende në vlera, ky rast duhet të prekë një nerv në qytetin e Normales, të Aleksandër Xhuvanit, të Konstantin Kristoforidhit e Lef Nosit, të traditave dhe kulturës shqiptare. Dhe nëse duam t’iu tregojmë brezave që një shoqëri normale i do dhe i mbron njerëzit e punës, është e domosdoshme që dhunuesve të Usta Xhevatit dhe të bashkëshortes së tij t’iu akordohen ndëshkime shembullore. Sepse, në fund të fundit, në Elbasan e shëmtuara nuk mund të triumfojë mbi të bukurën.
Për ta mbyllur, kjo ngjarje gjithashtu riprovon diçka të thënë e stërthënë, se realiteti shqiptar po bëhet çdo ditë e më i frikshëm. Megjithatë, në shenjë respekti ndaj ustait po e lemë atë diskutim për një herë tjetër.
Share: