Nga Kimete Berisha
Në kohën e Ibrahim Rugovës, të gjithë ishim fëmijë të Nënë Terezës, që i mbajti shqiptarët gjallë me bukë e me tambël pluhur.
Rugova nuk ishte i juaji!
Kot po ‘çmendeni’ sot prej mërzisë!
Po kot po shkruani e këndoni ju vjersha e libra ‘pa kripë’ për Ibrahim Rugovën, e kishe do t’u plas zemra nga pikëllimi!
A po e shihni qysh po dukeni karikatura me ato fotografitë që i keni stolisur me zemra, e në qendër të zemrave i keni vënë fotografitë e përbashkëta me të.
Lule m’lule, secili burrë i LDK-së e ka ndërruar foton personale me portretin në kornizë të Ibrahim
Rugovës për të treguar devotshmëri dhe dashuri për liderin.
Thua se dashurinë e kap aparati fotografik, thua ti se dashuria fotografohet, si era, që e nxjerr lisin me rrënjë, por nuk e sheh syri i aparatit, se nuk e sheh asnjë sy. Dashuria s’ka sy.
Shumica dërmuese e popullit shqiptar të Kosovës janë fotografuar me Ibrahim Rugovën, këto foto u zbuluan mbasi vdiq Rugova, dhe për mua kjo ka qenë befasia më e madhe, që nuk e kemi ditur se kush ka dashur është fotografuar me Ibrahim
Rugovën, dhe gati s’kish patur shqiptar që nuk ish fotografuar me të.
Kurgjë nuk ju ndihmon juve që Rugova ishte gjigant!
Ani çka që ishte i madhërishëm!
Çka ka lidhje me juve madhështia e tij, kur ju jeni të vegjël, dhe lë që s’jeni ‘shkolla’ e tij, qysh keni qejf ta quani veten, por ju as që e keni njohur, as që e keni kuptuar, veç keni dëgjuar që ‘Rugova ishte i madh’, si shumica e njerëzve kur i pyesin kush të pëlqen prej shkrimtarëve, e zgjedhin ‘Kadaren’, anipse nuk e kanë lexuar, veç pse kanë dëgjuar se ‘o ma i miri’.
Ibrahim Rugova nuk ju shihte gjallë. Pse s’po tregoni drejtë!
Kurrë nuk ju pranonte në takime. Ua ka njohur ligësinë. Ua ka parë ultësinë.
Njoh anëtarë të LDK-së që kanë pritur me vite për me ndrru një ‘llaf’ me Ibrahim Rugovën dhe nuk ia kanë dalë.
Të arrish të mbash distancë me njerëz nga afërsia, t’i mbash larg, duke i pasur afër, këtë mund ta bënte vetëm një gjeni si ai.
Ai edhe ashtu nuk fliste me fjalë. Fliste me buzëqeshje.
Gjuha e tij ishte qeshja.
Ndërsa, e qeshura nuk ka gjuhë.
Ai vetëm qeshte.
Në çdo gjë e gjente komiken.
Se, madhështore është të qeshësh me vuajtjen e me mërzinë, ta shndërrosh në komedi mërzinë tënde, se të vuash është lehtë, s’ka njeri i zakonshëm që nuk di të vuaj për shkak të vuajtjes!
Por s’ka njeri që e përqesh dhe qesh me robërinë dhe me mjerimin, me vuajtjen njerëzore dhe me pikëllimin, që ngritet përmbi të keqen dhe mbi vdekjen, me buzëqeshje.
Të qeshësh (shpesh herë) do të thotë të përbuzësh.
Pra, kur robëria zgjat shumë, dhe vjetërohet, e keqja bëhet qesharake.
Se vetëm njerëzit joseriozë dhe mazohistë nuk ia dalin me shekuj të gjejnë lirinë.
Nuk mund ta çlirojë vendin ai që për veti nuk ka liri individuale.
Aty ku fillon liria individuale, fillon liria kolektive, nga individi i lirë që nuk qetësohet pa i çliruar të gjithë që do e që njeh.
Nuk ka ndodhur vetëm paqja?
Aso kohe nuk kemi ndjerë vetëm
dashuri!
A ju kujtohet varfëria e madhe e kohës së Rugovës?
A ju kujtohet frika?
A ju kujtohen bodrumet-shkolla?
A ju kujtohen policia serbe që vrisnin e arrestonin shqiptarë, nat e ditë, kurrë pa u ndal?
Ishim shumë të rinj. Ju kujtohet ‘ora policore’, kur pak para se të përfundonte dielli korzos buzë Ibrit, iknim si mollëkuqet, pa krahë, e pa shikuar anash, nëpër shtëpi?
A ju kujtohet ajo kohë kur asnjë fjalë shqipe nuk flitej në asnjë institucion?
Frika, a ju kujtohet! Apo, çdo gjë harrohet në këtë jetë, përveç dashuria!
Frika e madhe. Ajo frika nga vrasja dhe nga dhuna. Frika nga uria!
Në atë kohë, në kohën e Ibrahim Rugovës, të gjithë ishim fëmijë të Nënë Terezës, që i mbajti shqiptarët gjallë, me bukë e me tambël pluhur.
Të gjitha i keni harruar.
Edhe Rugovën e keni harruar, veç krejt çka mbani në mend është dashuria e tij.
Njeriu harrohet, pas një kohe ia harron edhe tiparet e fytyrës se si i ka pasur, por dashurinë që e ke pasur për të nuk e harron, sepse dashuria është e verbër, nuk ka sy.
Nuk e pamë të shahet me njerëz, nuk e pamë të fyej e të ofendojë, si sot ‘njerëzit e tij’, që kot sillen si nekrofilë të dashuruar pas fantazmës së tij, se s’ju beson njeri.
Ibrahim Rugovës iu vranë shumë njerëz, dhe nuk e dëgjuam duke thënë fjalë të rënda, apo duke bërë me gisht!
E ata që sot kujtojnë se po shpëlahen nga mëkatet duke ‘bërë kryq’ me emrin e tij, nuk e kuptojnë se ne i njohim, e dimë mirë se janë mashtrues.
Ibrahim Rugova ishte shpresa jonë e vetme, deri në momentin kur doli UÇK. Atëherë shpresat tona, u bënë dy.
Ti, tash, fol, a po qan për veten, a për Ibrahim Rugovën?
Përgjigju vetes, jo mua, as askujt tjetër!
P.S. Ju kam treguar, edhe unë kam qarë kur ka vdekur Rugova. S’besoj se do të kisha qarë sikur të vdiste sot.
Ose, mua m’u ka bërë zemra gurë, ose nga vdekja e njerëzve të mirë e kam kuptuar se duhet të ekzistojë për shpirtin një tjetër liri, edhe më e bukur, edhe më e mirë se kjo, një liri që nuk e ruajnë ushtritë!