Home KRYESORE Sandër Prosi, ai që skaliti me sharm dhe shpirt korifeun e artit...

Sandër Prosi, ai që skaliti me sharm dhe shpirt korifeun e artit skenik

Nga ALBERT VATAJ

Sot 95 vite më parë lindi Sandër Prosi, një ndër personalitetet më të rëndësishme të artit skenik shqiptar. Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920 dhe do të shuhej më 25 mars 1985.

Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj. Ai u dha këty penave, këtyre sprovave të kurajshme të letërsisë gjithçka që kishte. Me sharmin dhe fisnikërinë, pasionin dhe përkushtimin, ngulmin dhe vetmohimin, Sandër Prosi arriti të shkruante një faqe të rëndësishme të historisë së artit skenik, për të mbetur në të një korife.

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali janë role që s’mund të përsëriten më. Por ne trashëgojmë një kinematografi të të pasur pasi ishte Sandër Prosi ai që i skaliti me daltën e talentit dhe shpirtit përmes dublave e fimave të pavdekshëm këto figura. Të gjitha rolet e tij janë ajo gravura e qëndisur me fije shpirti.
Çdo fjalë e thënë për të nuk është shumë, dhe jo të gjitha fjalët mjaftojnë për të vizualizuar dhe sendërgjuar përmbajtësisht këtë univers skenik, këtë botë sentimentesh të fuqishme, këtë personazh mitik që i dha jetë nga jeta e tij figurave më rëndësi historike. Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël, shprehija e botës shpirtërore mëkohej me kaq shumë ëndje dhe kumtim.

sander prosi2Rolet e Sandër Prosit në teatër janë të shumta, por ai dha gjithçka dhe jetësoi në çdo gjë të vetvetes në filmi, aty ku e njohim më së shumti, prej aty ku ai na flet më gjatë, na mëton më shtruar! Ai diti dhe mundi me kaq klas dhe angazhim, seriozitet dhe përkushtim të ishte i madh edhe në rolet e vogla. Për të nuk kishte role të mëdha e të vogla, ai punonte që t’i bënte të mëdha edhe rolet e vogla dhe ja arrinte si pakkush tjetër në historinë e artit skenik.

Stomatologo që lindi për skenë

Diploma e stomatologut në xhep nuk e ka stepur aspak Sanër Prosin të ndiqte ëndrrën, t’i shkonte nga pas yllit të fatit të gjeniut. Pasioni që kishte për skenën e përpushi këtë vullnet gjërash të mëdha, këtë shpirt të lindur për të mbetur i përgjithmonshëm. Ndonëse i sapokthyer nga studimet në Austri, dhe vetëm pak kohë angazhimi në profesionin e tij të stomatologut, pjesmerr në konkursin e Teatrit Komëbtar për të fituar. Dhe kështu nisi rruga e gjatë e roleve dhe karaktereve, për të qenë dhe për të mbetur rruga e famës, udha e llamburitur e emocioneve.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e artë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të Sandër Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të papërsëritshme. Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë dhanë në thesarin e kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare. Krijimet filmike, loja dhe interpretimi i Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike, aftësinë për të depërtuar thellë në ëndjen dhe kërshërinë e shikuesve, të cilët e ruajnë këtë personazh në kujtesën e dedikuar të filmit shqip.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.

Sekreti i lotëve tek “Udha e shkronjave”

Udha_e_shkronjaveDhaskalin plak askush nuk mund ta shlyejë lehtë nga kujtesa. Stafi që ka punuar gjatë për realizimin e këtij filmi gërxheve të Himarës tregon se u është dashur shumë mund për të realizuar këtë film, që mbart një emocion të madh. Mes zagushisë së tejskajshme ato ditë edhe aktorit të madh nuk mund t’i mbusheshin sytë më lot (ashtu siç e kërkonte skenari) në momentin kur ai kthehej i mallëngjyer në vendlindjen e tij të dashur. Pas disa dublave të njëpasnjëshëm regjisori Pali Kuke kishte vendosur t’i ndërpriste xhirimet. Stafi realizues u shtri të pushonte nën hije. Zhurma e autobusit të linjës as që i kishte bërë përshtypje stafit, aq më shumë të ktheheshin në sheshxhirim. Boria kishte prishur qetësinë, ndërkohë që në atë të përpjetë u dëgjua frenimi i përtuar i autobusit Vlorë-Himarë. Mes tymit dhe afshit përvëlues zbret nga autobusi një burrë dhe i jep Sandër Prosit një qese me qershi. “E ke nga të gjithë ne”, – i tha ai. Kaq u desh që aktori të thërriste: “Fillojmë xhirimin”. Emocioni kishte marrë udhë dhe ai nuk donte ta humbiste këtë moment.

Galeria e roleve

Për më se tri dekada Sandër Prosi krijoi mbi 80 role në teatër dhe kinematografi, të shkëputura këto nga 75 vepra të autorëve të huaj dhe vendas. Klasi i tij aktorial bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit. Ata ishin aq të ndryshëm dhe për këtë qëllim u bënë mjaft popullorë dhe të pëlqyer nga publiku. Trupi i drejtë, pamja fisnike, një nur i pakrahasuar skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, zëri i veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës, që u gdhend natyrshëm te publiku. Ai luajti në mjaft filma, të cilët padiskutim u cilësuan të suksesshëm.

Nëse bëjmë një shëtitje të shkujdesur në galerinë e roleve të tij, do të veçojmë filmat: “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Në fillim të verës”, “Fijet që priten”, “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Plaku dhe hasmi”, “Kush vdes në këmbë”, “Detyrë e posaçme”, “Oshëtimë në bregdet”, “Guximtarët”, “Shtigje lufte”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Njeriu me top”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Plumba perandorit”, si dhe shumë të tjerë, po kaq të njohur nga shikuesit dhe gjithashtu të pëlqyer.

Sandër Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve

Fundi i tij sa misterioz aq dhe tragjik

sander prosi6Më 25 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.

Kur do të ishte ky momenti i duhur? Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë dhe të afërt që nuk kanë pranuar kurrsesi këtë gjë ta pohojnë publikisht.

Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë goje, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk përmendeshin. Sot vetëvrasjet përbëjnë lajm, hollësirat si dhe pse janë të zakonshme për shtypin që ia fut kot, ngaqë i trajtojnë të vetëvrarët si krijesa që s’kanë më të drejta, që janë askush.

Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa simuluar cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi, të cilin Presidenti i Republikës Bamir Topi e ka nderuar këtë figurë emblematike të skenës shqiptare me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes).
Motivacioni ishte ky: “Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar.”

Të parët, themeluesit, kanë një karakteristikë që i bën ata pjesë të asaj historie që shndërrohet në pikë referimit për brezat, ata kishin talentin e madh, talent si ai i Sandër Prosit. ” Kontributin e Sandër Prosit, Presidenti Topi e lidhte dje me një nxitje të madhe “për mendimin tonë, për raportin tonë me të bukurën, me artin, me vetë lirinë.

Portreti i harruar

sander prosi me shallNë një nga vilat e vjetra në zonën e Bllokut, në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto tani pakkush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…

Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…

Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri te hotel “Vollga” asnjëri nuk e ndjeu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.

Ç’farë u fiksua në kamera ato ditë?

sander prosi4Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? “Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi”- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.

Ky ishte Sandër Prosi, ai burrë i hijshëm, ai zë dhe takent që i dha zë dhe zemër, puls dhe përjetësi, emocion dhe lotë, mallë dhe kujtesë dhjetra e dhjetra personazheve, me të cilët ai jeton, siç jeton me madhështi në suazën e emrit të tij si aktor dhe si njeri, si koleg dhe si mik, por mbi të gjitha si bashkëshort dhe si prind.
I përgjithmonshëm mbettë ndër ne ky imazh fisnik, ky zë i ëmbël, ky kumt i anshëm skenik.

Share: