Home I pakategorizuar Shqipëria, shembull i bashkëjetesës ndërfetare në Evropë

Shqipëria, shembull i bashkëjetesës ndërfetare në Evropë

Nga Mons. Luçjan Avgustini, Dioqeza e Sapës

“Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrëdhënie të mira mes besimeve. Toleranca dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm ku numri i hebrenjve u rrit gati 10-fish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë 4 komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. 2 vëllezër, njëri katolik e tjetri mysliman kanë jetuar në një pullaz”.

Ismail Kadare

Duke ju përshëndetur të gjithëve miq të nderuar të pranishëm, shpreh kënaqësinë dhe falënderimin për mundësinë e dhënë për të folur para këtij auditori të nderuar duke e paraqitur bashkëjetesën fetare në Shqipëri si një pasuri prej së cilës mund të mësojnë shumë popuj dhe vende të botës, në mënyrë të veçantë aty ku dominon urrejtja, jotoleranca dhe joharmonia ndërmjet besimeve.

Shqipëria është shtet laik dhe sipas kushtetutës së vendit, shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare. Shqiptarët janë një popull i vogël në krahasim me shumë popuj të tjerë. Ata janë të ndarë pjesë-pjesë në shtete të ndryshme ballkanike, ndërsa gjysma e tyre jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë.

ismail kadareNga pikëpamja e përkatësisë fetare, sot në Shqipëri jetojnë së bashku:
”¢ të krishterët: ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë ”“ protestantë;
”¢ myslimanët: bashkësia islame dhe ajo bektashiane (bektashizmi është tarikati islamik sufi);
”¢ Pastaj ka një përqindje të atyre të cilët nuk janë deklaruar si pjesëtarë të një besimi, nuk janë ateistë, por ka edhe të deklaruar si ateistë;
”¢ Një përqindje e vogël janë hebrenj si dhe pjesëtarë të besimeve dhe sekteve të ndryshme.

Populli shqiptar, duke qenë i vetëdijshëm se feja, si një prej komponentëve shumë të rëndësishëm në jetën e tyre shpirtërore, luajti një rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes së tyre si popull dhe shoqëri, gjithmonë arriti që të ruante vlera shpirtërore, pa marrë parasysh se për cilin konfesion fetar bëhej fjalë, atë mysliman, të krishterë apo ortodoks.

Bashkëjetesa, harmonia dhe toleranca midis feve të ndryshme është një karakteristikë e veçantë si për të kaluarën, ashtu edhe të sotmen e shqiptarëve.

Për të kuptuar më mirë bashkëjetesën ndërmjet besimeve në Shqipëri po paraqesim një historik të shkurtër

Krishterimi u përhap në trojet ilire, pasardhësit e të cilëve janë shqiptarët, gjatë shekujve I-II. Vetë Shën Pali pohon se shkeli në trojet ilire gjatë misioneve të tija drejt Romës, nëpër Udhën Egnatia dhe Portin e Durrësit, për të kaluar pastaj në Itali.

Në vitin 395, pas ndarjes së Perandorisë Romake në Perandori të Perëndimit dhe të Lindjes, trojet e sotme shqiptare kaluan nën sundimin e Perandorisë Romake të Lindjes, ndërsa në këndvështrimin kishtar, vijoi lidhja e pashkëputur me Romën. Në vitin 732, Perandori bizantin, Leon Izauriku, ia nënshtroi zonën Patriarkanës së Kostandinopojës.
Shqipëria ka qenë zona ku takoheshin dhe ndaheshin dy perandoritë më të mëdha të mesjetës: Roma dhe Bizanti. Po ashtu, Shqipëria ishte vendi ku takohej dhe ndahej autoriteti i dy kishave: asaj romane dhe bizantine. Dy perandoritë dhe dy kishat te shqiptarët asnjëherë nuk u bënë shkak konflikti.
Nga fundi i mesjetës filloi islamizimi i një pjese të shqiptarëve. Me përhapjen e fesë islame në trevat shqiptare, gjatë sundimit osman, u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarje. Mirëpo kjo gjë nuk ndodhi. Toleranca fetare e pranishme në Shqipëri gjatë shekujve, u ruajt edhe gjatë përhapjes së Islamit në hapësirën shqiptare, sepse vazhduan të veprojnë pothuajse të njëjtët faktorë: territori i përbashkët, gjuha, traditat etnokulturore, lidhshmëria familjare apo farefisnore, si dhe marrëdhëniet shpirtërore.

Si Krishterimi (ortodoks apo katolik) ashtu edhe Islami te shqiptarët përgjithësisht mbeti një fe popullore, larg intolerancës dhe fanatizmit doktrinar.

Periudha e sundimit komunist ka qenë e egër dhe tepër armiqësore sa i përket sjelljeve dhe qëndrimeve ndaj fesë. Diktatura u përpoq të asgjësonte besimin dhe të ngrinte në kult ateizmin. Feja u ndalua me ligj, ndërsa institucionet fetare u mbyllën. Sigurisht që kjo ideologji ateiste solli dëme të mëdha, por megjithatë besimi mbeti i gjallë në shpirtrat e njerëzve, për t’u rizgjuar me një fuqi të re në vitet paskomuniste.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, me rihapjen e institucioneve fetare, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë morën pjesë së bashku në rindërtimin e institucioneve fetare duke ndërtuar objektet e kultit, kisha dhe xhamia, por gjithashtu edhe duke marrë pjesë në ceremonitë fetare të krishtera apo islame.

komunitetet me muaKa shumë shembuj të mirëkuptimit, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët. Këtu po përmend vetëm shembullin historik në meshën e parë dhe në rihapjen e xhamisë së parë në Shkodër, në nëntor të vitit 1990, pas ndalimit të besimit prej gati një çerek shekulli. Bashkëpunimi i të rinjve të krishterë e myslimanë në meshën e parë të zhvilluar në varrezat katolike dhe në predikimin e parë të xhumasë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, qenë shprehje e harmonisë dhe e vëllazërimit ndërfetar përballë regjimit komunist që ende ishte në fuqi.

Kështu ka vazhduar për shekuj me radhë bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare mes shqiptarëve, e sot ka mbërritur te ne si një vlerë e madhe kombëtare e një populli të vogël. Por këtë vlerë të rrallë, duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta promovojmë me të gjitha mënyrat, nëpërmjet arsimit, medias, etj., kudo qoftë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së bërë në Shqipëri në prill të vitit 1993, tha: “Populli shqiptar, është për t’u marrë si shembull në këtë pikëpamje. Ku komunitetet fetare mbajnë një raport respekti reciprok dhe të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur kjo duket e pamundur. Uroj që Shqipëria të bëhet përherë e më tepër atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar. A ka lëvdatë më të denjë për ju, sesa të tregoheni me gisht nga Evropa dhe mbarë bota, si shembull dialogu, mospërdorimi të dhunës dhe mirëkuptimi fetar të ndërsjell딝.

Shembujt e kohëve të fundit në botë, por edhe në rajonin e Ballkanit kanë dëshmuar se ekuilibrat fetarë janë shumë të brishtë dhe shpeshherë manipulimet me to kanë sjellë pasoja të rënda. Në Shqipëri ekziston një pluralizëm fetar, i cili ka treguar se i mbart dozat e duhura të tolerancës së ndërsjellë, ashtu siç ekziston i konturuar mirë sfondi i një harmonie ndërfetare, e cila pjesërisht trashëgohet nga e kaluara dhe pjesërisht vazhdon të mbrohet në sajë të punës së lavdërueshme të komuniteteve fetare, për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat e saj gati unike.

Ky model përbën një pasuri të çmuar për ne shqiptarët, por edhe një realitet pozitiv, me vlerë në rajonin ku jetojmë dhe më gjerë. Shoqëritë tona po shkojnë në mënyrë të pashmangshme drejt globalizmit dhe integrimit, duke tentuar krijimin e një familjeje të madhe në të cilën ka vend për të gjitha vlerat dhe pasuritë e kombeve dhe popujve. Në botën globale, vendet e vogla nuk pritet të konkurrojnë me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale. Megjithatë, me identitetin dhe vlerat më të çmuara të tyre, ato mund të kontribuojnë në pasurimin e shoqërisë globale, duke krijuar një mozaik të pasur vlerash, kulturash që njohin, respektojnë e zhvillojnë njëra tjetrën. Kontributi ynë, harmonia fetare, është mesazhi më i lartë i miqësisë dhe mirëkuptimit që Shqipëria u dërgon popujve.

Toleranca fetare te shqiptarët nuk është një cilësi e kohërave të sotme, nuk është as e formuar me arsim dhe shkollë. Ajo është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. Në Shqipëri tejkalohet shumë më tepër kuptimi i tolerancës fetare; aty jetojnë së bashku të krishterë e myslimanë në harmoni dhe mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani në fjalën përshëndetëse drejtuar Papa Françeskut me rastin e vizitës së tij në Shqipëri në shtator të vitit të kaluar, ndër të tjera tha:

“Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër, me vetëdije të fortë kombëtare, kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradita e zakone të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Këtë akt themelor të jetës sonë e kemi bërë gjithmonë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin. Ngrehinën tonë shpirtërore e përbëjnë Krishterimi me Islamin, këto dy besime të mëdha të botës, përkatësisht me Katolicizmin, Ortodoksinë, Muhamedanizmin sunit dhe atë bektashi, të cilat në gjirin e këtij populli të lashtë, bashkautor në ngjizjen e qytetërimeve mesdhetare, dinë veç të dialogojnë.

Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuara nga Kushtetuta e shtetit tonë laik”.

Ndërsa Papa Françesku në takim me krerët e komuniteteve fetare u shpreh:

papa francescoshqiperi“Shpirti njerëzor nuk duhet të humbasë shpresat, ndaj njerëzit mund të ofrojnë një kontribut të pazëvendësueshëm. Nuk mund të vlerësosh, nëse nuk nisesh nga identiteti. Pa identitet nuk ekziston dialogu. Ajo që na bashkon është rruga e jetës dhe vullneti i mirë, pra, është që t’i bësh mirë vëllezërve dhe motrave dhe në këtë mënyrë ne ecim përpara. Ndaj secili prej nesh ofron dëshminë tek tjetri, pra, me dialog ne ecim përpara dhe është e bukur”.

Papa Françesku shtoi se, “liria e vërtetë fetare i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit dhe mbështet qëndrimet e respektit dhe të dialogut konstruktiv”.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se vlerat nuk janë të përjetshme, ato duhen ruajtur e kultivuar në mentalitetin e qytetarëve dhe kulturën demokratike nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm.

Toleranca dhe dialogu duhet të përfaqësohen në vendin tonë në mënyrën më të mirë që të jemi shembull për mbarë botën, ashtu si në të kaluarën tonë.

Mendime mbi bashkëjetesën në popullin shqiptar

Kemi shembuj të shumtë të tolerancës fetare në të kaluarën ndër shqiptarë të tre besimeve që nuk mund të gjesh askund tjetër në Evropë. Shembuj që kanë lënë gjurmë edhe në ditët e sotme.

“Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut!”

Mulla Idriz Gjilani

Ndërsa, kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, në Kongresin Musliman Shqiptar të mbajtur më 1923, duke u treguar delegatëve për gjendjen fetare dhe duke u treguar se vëllazërimin e bashkimin kombëtar duhet mbajtur mbi gjithçka, ka thënë: “Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, në pikëpamje të Kombësisë kemi një lidhje të plotë e të patundshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnji send qi e tund atë vllazni të plotë. Çështja e fesë asht nji çështje e posaçme e secili asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet”.

“Mos vështroni besë e fe, muslimanë dhe katolikë, ortodoksë, gjithë shqiptarë sa janë dhe tek janë, janë vëllezër. T’ecim të dlirë n’udhë të Perëndisë, n’udhët të drejtësisë…në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër të gjithë: janë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!”.

Sami Frashëri

sami frasheriKur më 28 dhjetor, 1913 u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, myslimanë e katolikë, kambanoren e kishës së Gjuhadolit e lidhën përmes një konopi me minaren e xhamisë së Fushë çelës, në të cilën valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave kuq e zi. Duke karakterizuar këtë ngjarje, Fishta tha: “…myslimanë e të krishterë, katolikë e ortodoksë qofshin, dijnë me u vëllaznue në idealin kombëtar. Ky vëllaznim, u shpreh edhe në këtë natë simbolikisht me drita kandilash, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushës së Çelës me kumbanaren e kishës së Gjuhadolit…”

Në vitin 1914, në kohën e Austro-Hungarisë, në Gjakovë, duhej të ndërtohej një kishë për nevojat e shqiptarëve të besimit katolik, Bajram Curri i thotë Konsullit austriak: “Ne shqiptarët e komunitetit musliman në Gjakovë, i kemi 18 xhami, zgjidhe njërën prej tyre ta bëjmë kish딝.

Një rast tjetër i ngjashëm: disa katolikë deshën të djegin xhaminë e Lezhës. Këtë e merr vesh At Gjergj Fishta dhe me t’u errësuar, shkon te xhamia. Kur ata shkuan për ta djegur, Fishta u flet në emër dhe ata të çuditur i thonë: “Si mor At, ti edhe prift edhe hoxhë?” Fishta iu përgjigjet thjesht: “Jo, unë jam prift, por meqë Hoxha kishte ca punë në Shkodër, me tha mua me e rujtë se edhe kjo është shpia e Zotit për shqiptarët!…”

“Harmonia fetare, sa është madhështore si ngrehinë, aq është edhe e brishtë. Mjafton e çara e parë serioze, radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet.”
Ismail Kadare

“Unë besoj se shqiptarët gjithkund janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare.”

Faik Konica

Share: