Informohen qytetarët e interesuar dhe elektorati i djathtë në Republikën e Shqipërisë, se Sekretariati Koordinator i Ballit Kombëtar në Mërgim, me iniciativën dhe pajtimin e të gjithë anëtarëve të Sekretariatit (SHBA, Gjermani, Zvicër), dhe duke gëzuar mbështetjen e plotë të Kryetarit, Dr. Nihat Bakalli (SHBA), ka zhvilluar bisedime joformale e të ndara me zyrtarët e PBKD dhe PBK, duke ofruar shërbime cilësore monitorimi për lehtësimin e një dialogu të mundshëm e përmbajtësor, unifikues dhe në shërbim të interesave të elektoratit tradicional e të djathtë në Republikën e Shqipërisë.
Duke ofruar garancione për një korrektësi të lartë dhe profesionalitet në monitorimin e dialogut të mundshëm, anëtarët e Sekretariatit kanë zhvilluar bisedime me Dr. Artur Roshin (Kryetar i PBKD) dhe Adriatik Alimadhin (Kryetar i PBK).
Pavarësisht insistimit miqësor për nevojën e një dialogu të mirëfilltë dhe konform parimeve programore që përfaqësojmë në opinionin publik, refuzimin kategorik të dialogut nga ana e z. Adriatik Alimadhi (Kryetar i PBK), nuk e kemi pritur me entuziazëm e lehtësim.
Përkundrazi, refuzimin kategorik dhe të paarsyeshëm të z. Alimadhi e konsiderojmë të dëmshëm për interesat e elektoratit tonë në Republikën e Shqipërisë. Prandaj, duke shprehur vlerësimin më të lartë dhe mbështetjen tonë për gatishmërinë, përkushtimin dhe vizionin e Dr. Artur Roshit për vlerat e dialogut përmbajtësor dhe unifikues, Sekretariati Koordinator i Ballit Kombëtar në Mërgim i sugjeron elektoratit tradicional në Republikën e Shqipërisë të bashkohet dhe të mbështesë me të gjitha forcat e mundshme Partinë Balli Kombëtar Demokrat.