Home KRYESORE Anti-amerikanizmi si risi me risk në trojet shqiptare

Anti-amerikanizmi si risi me risk në trojet shqiptare

Nga Adri Nurellari

Ditët e fundit në Kosovë ka nisur një debat i hapur lidhur me qëndrimet e përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër dhunës në kuvend të opozitës dhe reagimet anti-amerikane të opozitës dhe onturazhit të saj mediatik. Madje qarqe opozitare me sa duket kanë nisur edhe një peticion që kërkon largimin e ambasadorit amerikan aktual prej Kosovës.  Pas protestës për armët kimike para ambasadës së SHBA-ve në Tiranë në 13 nëntor 2013, ky është rasti i dytë  prej rënies së komunizmit që në trojet shqiptare ka një manifestim kaq të hapur dhe të vrazhdë kundër SHBA-ve.

Sulmi personal që i bëhet ambasadorit aktual po justifikohet nga pretendimi qesharak se, qëndrimet e ambasadorit aktual dhe atyre të kaluar, janë personale dhe nuk përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky pretendim nis nga një mentalitet provincial që beson se bajraktari që është në krye të një institucioni vendos personalisht si funksionon institucioni dhe se janë bajraktarët me egot  dhe hatërmbetjet e tyre a ata që bëjnë diferencën dhe jo institucionet. Këtë realitet tipik shqiptar e projektojnë tek një shtet si SHBA-të që s’kanë lidhje me këtë realitet tonin. Faktikisht në rastin e amerikanëve mbizotëron institucionalizmi dhe sikurse e konfirmoi deklarata e ardhur nga departamenti i shtetit, ambasadori nuk vepron në kokë të vetë siç janë mësuar bajraktarët ballkanikë, por si zë zyrtar, që është në harmoni me qëndrimet e institucionit dhe shtetit që përfaqëson.

Kjo retorikë anti-amerikanë në fakt vjen si një befasi e madhe për opinionin publik vendas por edhe për mbarë komunitetin ndërkombëtar pasi SHBA-të kanë luajtur një rol kyç në çlirimin e Kosovës , shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit dhe po na ndihmojnë fuqimisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë së Republikës së Kosovës. Vizita bilaterale e sekretarit të shtetit John Kerry në Prishtinë në fillim të dhjetorit dhe në Tiranë në shkurt janë faktikisht një dëshmi e marrëdhënieve të ngushta tradicionale mes shqiptarëve dhe SHBA-ve . Po ashtu këto vizita ishin një sinjal i mirë që tregon se, pavarësisht sfidave që ka në pjesë të tjera të globit, SHBA-të ngelen të angazhuara dhe të përkushtuara për paqen dhe zhvillimin e rajonit tonë. Ne e dimë  nga historia që ky angazhim është një garanci për sigurinë dhe stabilitetin tonë pasi ka qenë pikërisht angazhimi amerikan në Dejton, dhe në bombardimet e NATO-s që kanë mundur t’i japin fund konflikteve ballkanike  të viteve 90-ta.

Ne shqiptarët që prej shëmbjes së rregjimeve komuniste kemi një orientim gjeostrategjik të palëkundur drejt SHBA-ve dhe Perëndimit dhe kjo tendencë rikonfirmohet në çdo anketë të opinionit publik që bëhet me shqiptarët. Ky orientim drejt perëndimit është një zgjedhje historike e drejtë që kanë bërë rilindasit tanë. Pra në njëfarë mënyre, është amanet dhe trashëgimi prej tyre dhe nuk është orientim rrethanor i sotshëm por historik i shqiptarëve. Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri që në 1890 në vëllimin e tij me poezi “ Lulet e verës” shkruante se për shqiptarët “dielli lind nga perëndon” dhe po ashtu në Kongresin e Manastirit  në 1908 u përzgjodh alfabeti latin për shqipen pavarësisht se shumica e popullsisë shqiptare është muslimane.

Në konjukturën aktuale botërore dhe për një kohë të gjatë në të ardhmen, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë plan B, nuk kanë alternativë tjetër përveçse orientimit ndaj SHBA-ve dhe Perëndimit.  Lindja për shqiptarët është robëri dhe varfëri, Shqipëria për sa kohë u orientua drejt lindjes ka qenë një burg i madh për shqiptarët. Në Kosovë ka ende disa rudimente të së kaluarës që flasin me nostalgji për kohën e Jugosllavisë si lidere e vendeve të pa-angazhuara, megjithatë edhe përpjekja e ngjashme për të krijuar Grupin 77 në OKB të vendeve në zhvillim, është një dështim për sa i përket nivelit inekzistent të kohezionit dhe efikasitetit. Poli i ri që po përpiqet të krijohet i BRICS –Brazil, Rusi, Indi, Kinë  dhe Afrikë të Jugut nuk është alternativë për shqiptarët dhe dihet mirë që këto vende kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe kanë votuar kundër në përpjekjet për t’u përfshirë në nisma të ndryshme  ndërkombëtare.

Mirënjohja ndaj SHBA-ve nuk duhet të lidhet vetëm me çlirimin dhe mbështetjen për pavarësine dhe shtet-ndërtimin. Ndaj SHBA duhet të tregohet mirënjohës i gjithë globi pasi ka shpëtuar dy herë në momente shumë kritike lirinë dhe demokracinë e botës. Së pari në Luftën e Dytë Botërore kundër tiranisë së fashizmit dhe së dyti në Luftën e Ftohtë kundër komunizmit. Doktrina Truman kundër imperializmit sovjetik, Plani Marshall që rimëkëmbi ekonomitë e tregut në Evropën Perëndimore si dhe themelimi dhe mbështetja e NATO-s penguan përhapjen e komunizmit dhe eventualisht e shëmbën   këtë system. SHBA bashkë me Britaninë e Madhe ishin të vetmet shtete demokratike  që në periudhën mes dy luftërave botërore nuk u katandisën në autoritare sikurse ndodhi në gjithë Evropën  e militarizuar duke konservuar sistemin liberal demokratik të qeverisjes.

Qëndra kërkimore PEW organizon një anketë ndërkombëtare për imazhin e Shteteve të Bashkuara në vende të tjera pra për të matur anti-amerikanizmin dhe profili i shteteve në njëfarë mënyre edhe tregon burimin e këtij sentimenti. Kritikët më të mëdhenj janë ose vende të Lindjes së Mesme dhe botës islame ose Rusia dhe shtete satelitë. Po ashtu një ndër konkluzionet  e nxjerra nga kjo qendër është se ka një mospërputhje brezash për sa i përket reputacionit të SHBA-ve dhe se brezat e rinj kanë një pëlqim më të madh të këtij shteti.  Kjo e bën edhe më të kuptueshme se përse shqiptarët që janë populli më i ri evropian janë njëherazi edhe ndër më pro-amerikanët.

Anti-amerikanizmi nuk është gje e re në Evropë, edhe pse jo në nivele të larta, ai vazhdon të jetë i pranishëm në vendet e demokratizuara e përkrahur nga tre ekstreme ideologjike. Së pari islami radikal që lirinë e SHBA-ve e sheh si manifestim djallëzor,  së dyti e majta ekstreme e sheh SHBA-në si simbol të ekonomisë së tregut, lirisë e demokracisë ndërsa e djathta ekstreme urren qëndrimi anti-kolonialist të SHBA-ve që mundësoi shëmbjen e perandorive të mëdha evropiane.

Për sa i përket rënies së simpatisë në Evropë një dekadë më parë situate ishte goxha më keq se sot si pasojë e luftës së Irakut dhe pakënaqësisë që shkaktoi ajo luftë në ambientet pacifiste të mbarë Evropës. Në përgjithësi në Evropë ka pasur një pakënaqësi sa herë SHBA-të kishin një prirje intervencioniste në politikën e jashtme dhe një rritje të pëlqimit kur tendenca ishte izolacioniste. Mirëpo ky nuk ka se si të jetë rasti i shqiptarëve, sepse politika e jashtme ndërhyrëse apo intervencioniste i ka leverdisur shqiptarëve,  duke nisur nga ndërhyrja e SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore për të penguar copëtimin e Shqipërisë dhe për të promovuar vetëvendosjes si të drejtë të popujve të robëruar e deri tek ndërhyrja ushtarake për çlirimin e Kosovës. Pra motivi kryesor i kësaj tendence  anti-amerikanizmi nuk mund t’i atribuohet ndonjë politike të jashtme amerikane që shkon ndesh me interesat e kombit tone,  por kryekëput një lloj refuzimi në rritje që po i bëhet atyre vlerave të lirisë e demokracisë që mishërohen në SHBA-të si vendi i parë që i ka aplikuar në realitet ideale te iluminizmit.

Anti-amerikanizmi është shfaqur në Kosovë në forma të ndryshme, fillimisht ne formën e pretendimit se ndërhyrja e NATO-s ka ardhur si pasojë e përllogaritjes së interesave hegjemonike të SHBA-ve dhe nuk ka pasur kurrfarë motivimi humanitar. Kjo qasje përveçse është një qëndrim krejt i pasaktë (dhe për këtë ska hije dyshimi sepse fryma e parimit të ashtuquajtur “përgjegjësi për të mbrojtur” që shtyu ndërhyjen ndërkombëtare të udhëhequr prej SHBA-ve njihet botërisht), por është edhe një manifestim i një tipari të shëmtuar  njerëzor siç është mos-mirënjohja.

Sot në Kosovë kur flitet për anti-amerikanizëm, nuk bëhet fjalë vetëm për një urrejtje që po ndillet ndaj SHBA-ve apo politikave të jashtme të këtij vendi, por për sulm ndaj vlerave universale që ky vend përfaqëson si liria, ekonomia e tregut, demokracia, sundimi i ligjit, konstitucionalizmi dhe ndarja e pushteteve etj. Pra këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një qasje që synon të na izolojë nga komuniteti Euro-Atlantik por edhe për një përpjekje për të delegjitimuar dhe zhvlerësuar sistemin demokratik qeverisës që ka përqafuar Kosova.

Tanimë është bërë e qartë që nuk janë më në pyetje çeshtjet e demarkacionit apo asociacionit, të cilat janë adresuar në mënyrë institucionale, por është në pyetje sistemi. Gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë mospërputhje, papajtueshmëri apo mosdakordim për çështje delikate siç qenë këto të dyja, mirëpo dallimi kryesor është mënyra si do të adresohen këto diferenca në bindje e qëndrime. Në rrugë institucionale apo në rrugën e rrugës. Prandaj kur kritikohen SHBA-të, nuk bëhet fjalë vetëm për këtë shtet por bëhet fjalë për të  vënë në pikëpyetje pluralizmin politik dhe ideor në favor të monizmit, pra në favor të një ideje totalitare që duhet të sundojë e pakontestuar nga mendime alternative. Këtu bëhet fjalë për imponim të një këndvështrimi me dhunë përkundrejt dialogut dhe konsensusit. Ky është një dallim epokal mes pranimit të ndryshimeve që vijnë nëpërmjet evolucionit apo shkaktimit të tyre me revolucion të dhunshëm. Dallim mes procedurave demokratike dhe forcës fizike. Duke kritikuar SHBA-të në këtë rast nuk bëhet fjalë për kritikë ndaj servilëve të mundshëm apo atyre që kanë tendenca inferiore ndaj të huajve, por bëhet fjalë për kritikë ndaj sistemit të liberal demokracisë të cilin e simbolizojnë dhe mbështesin SHBA-të. Prandaj duke mbrojtur nga kritikat SHBA-të dhe ambasadorin amerikan jo vetëm që mbrohet orientimi gjeostrategjik dhe aleanca hisorike dhe e dobishme ndërkombëtare e Kosovës por mbrohet edhe përcaktimi i Kosovës si vend që qeveriset nga liberal demokracia. Prandaj kultivimi i anti-amerikanizmit dhe i skepticizmit për sistemin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut që përfaqësohen nga ky shtet i shërben më së shumti kultivimit të fondamentalizmit islamik, të komunizmit radikal si dhe të forcimit të ndikimit të Rusisë në rajon dhe më së paku interesave tona kombëtare dhe të ardhmes së popullit tonë.

Share: