Kryeministri i vendit, Edi Rama i ftuar në emisionin Top Story te Sokol Balles në Top Channel, iu përgjigj akuzave të opozitës se ka ndikuar tek gjykata për të nxjerrë nga burgu Armando Prengën. Rama i cilësoi këto akuza tërësisht të pavërtetë, ndërsa shtoi se nëse ai do të kishte në dorë gjykatat, para tyre do të ishin Lulzim Basha dhe Sali Berisha për 21 janarin.
“Nëse më akuzojnë se kam ndërhyrë te gjykatësit për të nxjerrë Prengën nga arresti shtëpiak për ta sjellë në Parlament, janë ata që kanë bërë gjithfarë lloj makinacionesh për këtë gjë.
Nëse unë do të isha në kontroll gjykatat minimalisht përpara gjykatës do të ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha për 21 janarin. Unë nuk i kam në kontroll gjykatat dhe jam shumë i lumtur që nuk i kam as unë dhe as ky sistem, që nuk e bën të mundur të kesh kontrollin e plotë ndaj gjykatave. Ndaj duam reformën në drejtësi, që gjykatat të funksionojnë normalisht. Nëse ka një arsye për të diskutuar për këtë është qëllimi për të bërë reformën në drejtësi, që ka interes PD-ja që ta shmangë”, tha Rama ne Top Channel.