Home KRYESORE Lubonja: Oligarkët nuk kanë nën kontroll vetëm klasën politike

Lubonja: Oligarkët nuk kanë nën kontroll vetëm klasën politike

Fatos Lubonja, në një analizë të thellë të ngjarjeve të fundit tek Parku i Liqenit, ka trajtuar nevojën e shoqërisë shqiptare për lëvizje dhe protesta në emër të ngjalljes së indit social, që në Shqipëri po shkon drejt zhdukjes. Në gazetën.Panorama, Lubonja shkruan se pas Edi Ramës dhe Erion Velisë, ashtu si dikur pas Berishës dhe Bashës, qëndron një kastë oligarkësh që paratë dhe pushtetin nuk i konsiderojnë më mjete për të arritur diçka, por qëllim në vetëvete.
Sipas tij, edhe pas ndërhyrjes tek Parku i Liqenit janë këta oligarkë që kërkojnë t’i hapin rrugën ndërtime të nesërme në këtë park.
Lubonja shkruan se oligarkët nuk kanë nën kontroll vetëm klasën politike, por ata po shkatërrojnë edhe reagimin qytetar e intelektual duke tentuar të blejnë dhe të kompromentojnë çdo përpjekje solidariteti dhe revolte në vend.
Duke eleminuar rezistencën ndaj akteve të tilla si ai i Parkut, oligarkët duan të shkatërrojnë edhe shpresën e njerëzve për të ndërtuar indin social nëpërmjet të cilit realizojnë shoqëria realizon potencialet e veta.
Prandaj Lubonja e cilëson fashist sulmin ndaj protestuesve. – “Kundër këtij fashizmi duhen përdorur të gjitha mjetet. Dhunës së tij i duhet përgjigjur edhe me dhunë nëse është nevoja. Sepse kur arrin një kryeministër të guxojë të thotë se kush nuk më voton mua është ose dele, ose budalla, kjo tregon se fashizmi ka bërë hapa shumë të rrezikshëm përpara. Prandaj ai duhet shporrur një sahat e më parë me gjithë shpurën e tij. Por që të shporret jo thjesht si individ, por si fenomen, nuk duhet harruar se ai nuk është kryeministër i shqiptarëve, por kryemaskë e oligarkëvve; prandaj duhet denoncuar e shporrur edhe fuqia që ka prapa: ajo e atyre që, duke mos mundur të deklarohen ata që janë, u duhet të mimetizohen me këtë kryemaskë apo kryemaska të tjera të ngjashme”, përfundon Lubonja.
Share: