Home KRYESORE Deputete Prenga do te jete pjese e politikes ne vijim?

Deputete Prenga do te jete pjese e politikes ne vijim?

Pse u rikthye Armando Prenga në Parlament, ndërkohë që kishte deklaruar vetëpezullimin? Kush ia dha paraprakisht kartën e deputetit, e cila duhej të ishte brenda godinës dhe a u thirr ai në ndihmë nga mazhoranca e majtë për të plotësuar votat? Ndërkohë që këto pyetje janë ende pa përgjigje, ajo që duket e sigurt është se Prenga do të vazhdojë të ndezë debatin politik.
Ardhja e Armando Prengën në Parlament i kapi të gjithë në befasi. Deputeti shfaqi jo pak eksperiencë me hapin e shpejtë me të cilin hyri në sallën plenare, ndërsa me pamje të shqetësuar kontrollonte nëse ishte vënë re nga kamerat.
Në dorë mbante kartën e deputetit, me të cilën parlamentarët regjistrojnë prezencën dhe votojnë. Nuk dihet kush ia dha atë Prengës pasi si rregull ajo duhet të dalë nga godina e Parlamentit.
Dy janë arsyet që mendohet se shtynë deputetin e vetëpërjashtuar që të futet fshehurazi në sallën ku për shkak të tij opozita nuk po lejonte zhvillimin normal të seancës.
E para, për të evituar skadencën e mandatit të deputetit, duke siguruar kështu rinovimin me 6 muaj të tjerë të rrogës jo të vogël të parlamentarit. Kjo do të shpjegonte përse Prenga mori pjesë vetëm në dy prej votimeve e më pas u largua me shpejtësi, pa pritur edhe pak minuta të tjera për përfundimin e seancës plenare.
Arsyeja e dytë që mendohet se ka shtyrë Prengën të shkojë seancë, është se mund t’i jetë kërkuar nga mazhoranca e cila edhe për shkak të humoreve të brendshme, rrezikonte të mos i kishte të gjitha votat e nevojshme në atë moment për miratimin e dekreteve.
Çfarë shton edhe më shumë dyshimet se Armando Prengës i është kërkuar edhe një kontribut i fundit nga partia, është fakti se deputeti i vetëpërjashtuar nuk u ul të votonte aty ku qëndron zakonisht, por preferoi bankat e fundit të sallës, ku mund të qëndronte pa u parë nga kamerat
Me mendimin se i ka dhënë mazhorancës edhe një kontribut të fundit, doli i buzëqeshur nga salla, ndonëse po me nxitim.
Por i vetmi kontribut që duket se i ka dhënë deri më tani shumicës së majtë, është ashpërsimi i përplasjes me opozitën./ABC
Share: