Nga Artan Fuga
Cfarë shoh rreth meje? E them me shumë trishtim, e sinqeritet. Mos e marri njeri për keq edhe po e kam gabim. Rreth meje, kudo ku çvendosem nëpër qytet, nëpër vend, në lagje, dyqane, stadium, etj. shoh :
– Të papunë që e kanë humbur qejfin e punës
– Të papunë që duan të punojnë, por nuk gjejnë punë.
– Njerëz që bëjnë nga tre ose katër punë.
– Individë që punojnë në të zezë.
– Njerëz që punojnë si ambulantë, këtu atje, ku t’u dali ndonjë gjë.
– Individë që bëjnë sikur punojnë.
– Persona që me gjoja punën e tyre më shumë bëjnë dëme sesa sjellin të mira.
-Tipa që u duket se punojnë, por puna e tyre nuk ka asnjë dobi shoqërore.
– Shumë veta që bëjnë një punë që mund ta bëjë një njeri i vetëm.
– Njerëz që punojnë dhe rreth tyre dhe në kurriz të tyre individë që ankohen se janë lodhur dhe tundin derën që të duket sikur punojnë.
– Punëtorë që bëjnë punë shkel e shko.
– Punëtorë që jo për fajin e tyre punojnë pa lushte pune si në Mesjetë.
– Tipa që u duket sikur punojnë, por në fakt rrinë.
– Individë që marrin rrogë për të bërë një punë dhe nuk e bëjnë.
– Të tjerë që punën e tyre ua hedhin mbi shpinë të tjerëve.
– Persona që edhe qejfin e quajnë punë dhe thonë se u lodhëm.
– Njerëz që më mirë t’u thuash na rrogën dhe më mirë rrini në shtëpi sesa të vini gjoja të punoni.
– Njerëz që punojnë për të riparuar dëmet që sjell puna e tyre.
– Njerëz që punojnë për të riparuar dëmet që shkaktojnë punët e të tjerëve.
– Punonjës që si të punojnë si të mos punojnë, asgjë nuk ndryshon për shoqërinë dhe punëdhënësin.
– Individë që punojnë për t’u shërbyer të tjerëve, por u marrin lekët dhe u japin shërbime fallco.
– Punonjës që veç rroges për punën e tyre duan edhe bakshishe të lemerisshme.
– Njerëz që me të drejtë llogarisin se më e leverdisshme është të mos punojnë sesa të punojnë atje ku u thuhet.
– Individë që puna i trajton si kafshë, pavarësisht se thuhet që njerëzimin e bëri puna nga kopeja e majmunëve.
Dhe në fund puna e vërtetë e një pakice mbi supet e të cilëve të gjithë ne të tjerët në fakt jetojmë.
Shihni përreth dhe ju! Mbase nuk e kam aq gabim sa do të desha ta kisha.
Se poqese është kështu, a mendoni se ja dalim?