Home KRYESORE Çdo vit, 150 mjekë braktisin Shqipërine

Çdo vit, 150 mjekë braktisin Shqipërine

Dr. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë: Shqetësuese largimi i mjekëve profesionistë. 

Ministria e Shëndetësisë: Emigrimi dhe lëvizja e lirë, është e drejtë e çdo individi dhe asnjë institucion nuk mund t’ua privojë qytetarëve, apo edhe mjekëve

Vetëm dy vitet e fundit, 300 mjekë janë larguar nga Shqipëria. Kryesisht të rinj, mjek të përgjithshëm dhe specialistë, kanë braktisur vendin për një pagë më të mirë, më me pak strese, mundësi më të mëdha për t’u rritur profesionalisht e për të bërë një karrierë. Të dhënat bëhen publike nga raportet e vitit 2014-2015 të Urdhrit të Mjekut, presidenti i të cilit, dr. Fatmir Brahimaj, shprehet tepër i shqetësuar për këtë fenomen dhe thotë se largimi i një mjeku është humbje e një investimi të madh të shoqërisë. Për Ministrinë e Shëndetësisë, emigrimi dhe lëvizja e lirë është e drejtë e çdo individi dhe asnjë institucion nuk mund t’ua privojë qytetarëve, apo edhe mjekëve. Ndërkohë që duket se sektori më jetik i vendit, shëndetësia, është në një krizë të thellë për specialistë, pasi as shpërblimi prej 100 mijë lekë bonus, nuk i josh mjekët e rinj për të punuar në zonat e largëta, por as në qytete. Kjo ka bërë që shërbimet, si: anestezi, reanimacion, obstetrik-gjinekologji, të kenë mungesa të theksuara të mjekëve specialistë, jo vetëm në zonat e thella, por edhe në spitalet e Vlorës, Sarandës, Korçës dhe Shkodrës, ku presupozohet se infrastruktura dhe shërbimi është më i konsoliduar.

Emigrimi

FB_IMG_1455629459411“Për fat të keq, edhe në vendin tonë vitet e fundit po vërehet gjithmonë e më shpesh largimi në vende të tjera, i  një numri të konsiderueshëm mjekësh. Ky fakt krijon vështirësi në shërbimin shëndetësor. Gjatë 2-vjeçarit të fundit, përkatësisht në vitin 2014, janë larguar 145 mjekë, ndërsa në vitin 2015 janë larguar 136 mjekë. Ky është një problem shqetësues për ne, prandaj ia kemi të ditur edhe Ministrisë së Shëndetësisë në relacionin vjetor që i japim asaj”, -thuhet në raportin e Urdhrit. Më tej shpjegon se ndër arsyet e evidentuara për largimin e tyre, është pretendimi se duke emigruar në një vend tjetër të zhvilluar, do të gjejnë: jetesë më të mirë, kushte më të mira të punës, pagë më të mirë, me më pak strese ku të ndihen më të qetë e më të vlerësuar dhe mundësi më të mëdha për t’u rritur profesionalisht e për të bërë një karrierë më të suksesshme. Dr. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, kërkon që të gjitha strukturat shtetërore dhe joshtetërore, të mos neglizhojnë largimin e mjekëve. “Ai duhet vlerësuar drejt, sa herë që hartojmë politika shëndetësore dhe të përgjithshme me qëllim dhe synim që mjekëve tanë t’u ofrohen të gjitha mundësitë për të zhvilluar karrierë profesionale në këtë vend, për të arritur ambiciet e tyre profesionale dhe e gjitha kjo të konvertohet në përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor, të ofruar të sëmurëve dhe qytetarëve të këtij vendi”, -shprehet Brahimaj.

Situata

Dikur një figurë e respektuar dhe e adhuruar, sot mjeku për shkak të krizës së besimit është i stresuar, ndihet nën presion, i dhunuar verbalisht dhe fizikisht si asnjëherë. Edhe pse është i mbingarkuar dhe jo plotësisht i vlerësuar, ai mbetet i paragjykuar. Kështu e cilëson në raportin e tij UMSH-ja, sipas të cilit,  pakënaqësia, zhgënjimi dhe rebelimi i qytetarëve e pacientëve, me apo pa të drejtë i faturohet mjekut si personi i parë i kontaktit me ta. Ky reagim, jo rrallë është manifestuar me dhunë ndaj bluzave të bardha,  si një dukuri e turpshme dhe që s’duhet të tolerohet më në realitetin shqiptar. Për këtë, UMSH-ja kërkon që bluzave të bardha t’u jepet një status i veçantë ose strukturat shëndetësore të shihen si objekte të rëndësisë së veçantë, që personeli të ndihet i mbrojtur dhe të punojë i qetë.

Tregu

Organizata_Boterore_e_Shendetesise_OBSHPërtej problemeve që kanë mbërthyer sistemin shëndetësor, për Ministrinë e Shëndetësisë emigrimi dhe lëvizja e lirë, është e drejtë e çdo individi dhe asnjë institucion nuk mund t’ua privojë qytetarëve, apo edhe mjekëve. I pyetur nga “Mapo”, Thanas Goga, Këshilltari për Media në Ministrinë e Shëndetësisë, shpjegon se: “Ministria e Shëndetësisë po krijon kushtet për tregun e profesionistëve, duke hapur ciklin e specializimeve çdo vit, përveç përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës së shërbimeve shëndetësore, për kushte më të mira të institucioneve shëndetësore, jo vetëm për qytetarët, por edhe profesionistët e shëndetësisë. Ndërkohë, përveç krijimit të kushteve më të mira dhe tregut të profesionistëve, Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar politika për të stimuluar punësimin e mjekëve specialistë në zonat e largëta, vendimin nr. 33 të Këshillit të Ministrave, datë 20.1.2016.”  E megjithatë, duke iu referuar këtij vendimi, i cili saktëson se: “Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, por jo më shumë se 200 mjekë në vit. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj”. Nga të dhënat rezulton se ministria jo vetëm që nuk është e aftë të bëjë rishpërndarje të specialistëve, por në spitalet përveç mungesave në infrastrukturë, vuajnë edhe mungesën e bluzave të bardha.

Kontratat

ilir beqja ne komisionSa u takon politikave motivuese, prej janarit të këtij viti, kontratat e reja të nënshkruara nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor me mjekët e familjes dhe në spitale, u ndalohet rreptësisht dypunësimi. Kështu mjekët që punojnë në sistemin shëndetësor publik apo edhe në privat, duhet të zgjedhin nëse do të punojnë në privat apo në shtet. Kjo vlen për spitalet jopublike që kanë lidhur kontratë me FSDKSH. “Mjekët që punojnë në spitalet publike, nuk lejohet të ushtrojnë aktivitet të pjesshëm apo të plotë në spitalet jopublike që kanë kontrata me FSDKSH “ -bëhet e ditur. Ndërkohë që kontratat e reja që do të lidhen me FSDKSH-në, kanë këtë kriter parësor për vitin 2016. Po kështu, shefat e Shërbimeve, të cilët janë dhe drejtues teknikë në klinika private, duhet të bëjnë një zgjedhje ndërmjet të dyjave. Por ajo që dihet, edhe pse nuk pohohet me zë të lartë, është se pothuajse 90% e bluzave të bardha janë të dypunësuar, qoftë në privat apo edhe në klinikat e tyre personale. Ajo që ende nuk dihet është nëse realisht kanë nisur kontrollet në terren, dhe sa efikase do të jenë ato.

Shërbimi në zonat e largëta

Por çfarë cilëson vendimi nr. 33 i Këshillit të Ministrave, datë 20.1.2016 “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, për vitin 2016”.

  1. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12250 veta, nga të cilët 20 janë punonjës në Spitalin Universitar të Traumës, për Shërbimin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital, miratohet nga ministri i Shëndetësisë.
  2. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 lekë në muaj. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
  3. Mjekët e kontraktuar sipas pikës 19, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr. 555 datë 11.8.2011 të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë, në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitalin Ushtarak Qendror Universitar të punonjësve të infermieristikës, në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar./Mapo.al
Share: