Nga Artur Nura
Kujtoj se akti i shkishërimit nga ana e Kishës Katolike si reagim ndëshkues ndaj vrasjeve për hakmarrje dhe gjakmarrje solli fillimisht reagime dhe ndertoi debat. Shqetësimi i atyre te cilët ju kundevune atij akti te pergjegjshem lidhej me faktin se ky veprim I Kishës mund te ndikonte ne dobësimin e shtetit laik. Në raport me këtë shqetësim qytetar, duke sjellë vetëm mendimin personal, dua të kujtoj se parimisht në rastin shqiptar me një shoqëri në zhvillim ku edhe shteti I së drejtës nuk është në nivelin e kërkuar, besoj se pa paragjykime kontributi i çdo institucioni, apo individi për më shumë ekuilibër socio-kulturor dhe politik duhet falënderuar.
Në rastin e Kishës Katolike, e cila formalisht në Shqipëri është përfaqësuese institucionale e një shteti tjetër, por krejt të veçantë, Vatikanit pra, duhet thënë se relativizohet deri në argument jo të qëndrueshëm! Këtu mund të kujtohet që fretërit e kësaj Kishe janë në shumicë absolute shtetas shqiptarë, por jo vetëm kaq! Roli historik I kësaj Kishe ka qenë dhe është shumë pozitiv në historinë shqiptare.
Pa dalë në emra konkretë dhe në pjesë historike, mund të them që kjo analizë racionale vlen, pavarësisht se në vlera të ndryshme, po ashtu për të gjitha institucionet e Kultit në Shqipëri! Kryesisht edhe për tre Komunitetet e tjera Fetare më të rëndësishme: Myslimane, Ortodokse dhe Bektashiane. Varësia e tyre relative nga institucione jashtë territorit të Republikës është krejt e kuptueshme si për Kishën Autoqefale Ortodokse që ka varësi nga Patriakana Ekumenike e Stambollit, ashtu Komuniteti Mysliman Shqiptar, apo interesa të tjera shumë më dinamike dhe padyshim po ashtu edhe Komuniteti i varfër Bektashian.
Ajo që ka rëndësi për rastin ka të bëjë me racionalitetin që duhet të ketë shoqëria ndaj komuniteteve Fetare të cilat janë shtylla të rëndësishme të ekuilibrave socio-kulturor dhe politik, veçanërisht në shoqëritë në zhvillim, por edhe atyre të zhvilluara padyshim.
“Edhe sikur Zoti mos ekzistonte Ai duhet krijuar”, VOLTER.
Personalisht jam i filozofisë iluministe të Fransua Mari Arue të njohur ndryshe si Volteri i cili theksonte se: Makina e botës është vepër e një qënie shumë të zgjuar dhe të fuqishme! Ai u sugjeron atyre që e cilësojnë veten si të zgjuar ta admirojnë atë! Në fakt, Volteri nuk pranon Zotin që predikon kleri katolik, nuk pranon filozofinë Kristiane, apo për ne shqiptarët edhe Myslimane që sugjeron vuajtjet në tokë si të kompensueshme në qiell!
Në të njëjtën kohë filozofia volteriane me karakter iluminist dhe racional na sugjeron se po të mos besohet në Zot, prishet gjithçka në shoqëri! Volteri konkretisht na sugjeron që sikur edhe një fshat të kemi për të qeverisur, duhet të kemi edhe fenë e këtij fshati”… Volteri me aksiomën e tij shumë domethënëse na thotë se “sikur Zoti të mos ekzistonte, Ai duhet krijuar”, dhe personalisht besoj se të paktën në rastin shqiptar e ka plotësisht me të drejtë…
Mjafton ti hedhim një sy kujtese racionale të shkuarës sonë jo shumë të largët komuniste, por edhe të sotmes së pa konsoliduar demokratike besoj që japim parimisht të drejtë! Gjate diktaturës sistemi ndaloi ushtrimin e Fesë vetëm e vetëm që pushtetin e saj tek individi dhe shoqëria ta kalonte në favor të dominimit të saj politik ndaj shoqërisë. Diktatura e përkufizonte pushtetin e saj si të klasës punëtore, por në fakt e kishte menaxhuar atë në favor të një individi i cili ishte diktatori! Diktatura parapëlqente të kishte anëtarë të Byrosë Politike të cilët ishin dhe ministra me origjinë nga klasa punëtore, por jo për ti dhënë pushtet insitucional kësaj pjesë të shoqërisë! Ata/ato përzgjidheshin vetëm e vetëm që ti shërbenin besnikërisht diktatorit! Për asgjë tjetër…
Rasti domethënës i njërit prej tyre…
Fillimisht më duhet të them se këtë lloj reflektimi e bëj edhe në dritë vështrimin e filozofisë së Volterit, por jo vetëm përderisa personalishtjam besimtar i së Përtejmes. Në mënyrë të veçantë kjo teori më është sjellë në vëmendje kur në rrugët e Tiranës kam parë një ish ministër të brendshëm të periudhës komuniste, historinë familjare të të cilit e dija nga xhaxhai im i cili direkt pas diplomimit në Poloni dhe kthimit ne Atdhe, e kish patur komshi!
Historinë e atij ish ministri e kam analizuar në vazhdimësi publikisht sepse besoj se është shumë domethënës. Ai ish ministër personalisht, por edhe të tjerë si ai të cilët për arsye etike nuk po i përmendim me emrat e tyre të përveçëm, ka qenë shumë i fuqishëm politikisht për kohën e tij! Kur e pashë unë, ishte një burrë plak, i kërrusur nën peshën e viteve dhe që kalonte ditët e tij nën peshën e kujtimeve personale si gjithë të tjerët si ai, ndoshta duke menduar edhe për të përtejmen…
Zotëria në fjalë nga një punëtor i thjeshtë dhe besimtar tek Zoti, u bë sekretar Partie në një ndërmarrje socialiste, më pas sekretar partie i një qyteti periferik dhe në fund, fare pa e pritur, Ministër i Brendshëm dhe i gjithë pushtetshëm deri një post më poshtë diktatorit! Kjo arritje I bëri të mundur atij të sjellë të gjithë familjen e tij në një nga Vilat më të qenësishme të Kryeqytetit të varfër Shqiptar! Në atë botë, ai ka qenë sigurisht I ndërgjegjshëm se aty nuk e solli Zoti, por diktatori i cili duhet të jetë bërë “zoti” i ri për të duke e bërë atë vetë pa kuptuar edhe ateist!
Më kujtohet se në vitet 1990-të ndërsa shoqëria kish filluar të kërkonte ndryshime dhe pluralizmin politik, dikush tha se ishte dhënë edhe një urdhër nga ministri i atëhershëm i brendshëm për të qëlluar mbi turmat që të ruhej sistemi komunist i vendit dhe vlerat e tij! Tek e shikoja të njëjtin burrë ashtu të kërrusur në një moment jetësor të cilit askush nuk mund ti shpëtojë, u ndjeva i sigurt që padyshim ai e kishte dhënë atë urdhër jo më për të mbrojtur diktaturën, por gjitha të mirat materiale që ajo dhe diktatori i kishin dhënë atij dhe familjes së tij dhe pa të cilat, nuk arrinte dot të përfytyronte veten! Apo më saktësisht, ashtu sic ishte ndërsa po e shikoja unë…,
Roli i Medias si interpretues i interesave të publikut, shoqërisë dhe institucioneve të kultit
Jam i bindur që ish ministri në fjalë, por edhe si shokët/shoqet e tij të diktaturës ndoshta kanë reflektuar në raport me situatën socio-politike, sot në mënyrë të ndryshme me dje. Por, nga ana tjetër besoj që sigurisht do kenë reflektuar në raport me jetën e tyre në raport me faktin se vuajtjet, apo veprimet që kryen në tokë, kompensohen ndoshta në qiell, apo në jetën tjetër! Une besoj se kjo do ketë ndodhur në mënyrën fetare sepse personalisht kam parë njërin prej tyre në një varrim duke thënë se, nuk e dinte nëse ka jetë në botën tjetër, por nëse po, luste që të dashurit të tij tashmë ikur përgjithmonë, ti ofrohej më e mira! Jam i bindur që këtë lutje e bënte, apo e ka bërë edhe për veten e tij.
Këta shembuj origjinal duhet tu sillen vëmendjes publike herë pas here si domethënie. Sigurisht profesionalisht dhe në mënyrë racionale, por më shumë duhet tu sillen atyre që na drejtojnë politikisht sot. Media ashtu siç i jep “zë” pa kriter politikës së ditës, duhet ti japë “zë” edhe institucioneve të Kultit, pse jo duke qëndruar laike. Një gjë e tillë nuk komprometon aspak laicitetin e Medias dhe shoqërisë, por vetëm ndihmon individin duke i bërë me dije edhe të tjera modele më pozitivë të të jetuarit se ai i politikanëve të pasur! Apo pse jo edhe produkteve të modelit të “Vëllait të Madh” për tu bërë i famshëm dhe i pasur duke shitur publikisht jetën private.
Media parimisht dhe profesionalisht duhet të jetë interlokutor dhe interpretues i interesave të publikut ndaj politikës, administratës, por edhe institucioneve të Kultit. Një dimension I tillë I jetës publike do I vlente shumë edhe individit të thjeshtë në jetën e tij private dhe familjare. Sikur Media të gjente mundësinë të sillte dhe interpretimin e Fese e cila ne cdo rast thotë se” Kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin dhe ai I cili I jep jetë një personi është si ti ketë dhënë jetë gjithë njerëzimit, besoj se do të ndihmonte shumë individët rural të mos bëhen vrasës…