Home KRYESORE Kryqi si gogol në ”bahçen” e premtimeve të kota

Kryqi si gogol në ”bahçen” e premtimeve të kota

Nga Emin Azemi
Sot në Butel u shkulën penjtë e kohezionit të brendshëm qytetar, kurse ata që pretendojnë se kanë ‘’mbjellur’’ një kryq në fakt realizuan një teatër absurd me aktorë të huazuar nga kisha.  Regjia politike bëri që kryqi të zhveshet nga funksioni sakral që ka, sepse rrëfimi i  mëkateve në Maqedoni ka kohë që mungon , kurse  feja vazhdon të (keq)përdoret nga politika si kompenzim i mosgjetjes së ofertave adekuate për qytetarët e etnive  e feve të ndryshme.
Ballkani, si realitet i historive konfliktuoze, mund të ketë një tipizim më ilustrativ në Maqedoninë e sotme, por me një specifikë se këtu konfliktet tash më janë laboratorike. Po t’i kishim pyetur maqedonët e thjeshtë të Butelit, atyre as në mend nuk do t’iu binte kryqi pesëdhjetë metërsh. Jo se kanë hequr dorë nga feja e tyre, por pse në listen e prioriteteve të  tyre të përdishme kanë halle shumë më të mëdha se ky gogol prej hekuri. Një gogol që tash e tutje do t’ua ruaj atyre ”bahçet” nga armiqtë imagjinar. Ata do të vazhdonin edhe më tej të kërkonin përgjigje për hallet e shumta që kanë, por regjisorët e manipulimit u treguan më të shkathtë në zëvendësimin e kornizave sociale me disa tonë armaturë në pikturën e shtrembëruar të realitetit tonë bizar.
Konflikti më  madh në një shoqëri ndodhë atëherë kur krahët e hapur të njerëzve të thjeshtë kthehen në grushta të mbyllur të politikës. Kjo është një strategji social-psikologjike që ka funksionu mirë në shoqëritë e përziera ku politika e përçarjes  është më e  fuqishme se ideja civile për jetesë të përbashkët. Në Maqedoni kjo ide as që ka funksionu, sepse mendësia civile këtu është ndërtuar mbi përjashtimin e shqiptarëve nga strategjia e kthimit të armiqëve në shokë përmes kontaktit, kooperimit, komunkimit dhe komunitetit. Nëse ka ndodhur të ketë  ndonjë kontakt, kooperim, komunkim dhe komunitet, kjo është zhvilluar në doza laboratorike vetëm sa për të proklamuar Maqedoninë si shoqëri gjoja multietnike, por që në esencë ka ngelë e pa prishur bërthama e kleronacionalizmit maqedon. Fatkeqësisht në krijimin e këtyre laboratorëve jo moti kishte ndihmuar edhe një tufë shqiptarësh të cilët përfitimet tyre personale i përbironin nëpër këto modele jokonzistente dhe aspak të levërdishme për shumicën shqiptare, paçka se ata tani janë më të zëshmit në luftën kundër ‘’nacionalizmit maqedonas’’.
Rrëshqitja e vëmendjes publike nga problematikat sociale e ekonomike në një terren që politika mund t’i ketë benefitet e veta, dëshmon se me Maqedoninë ende udhëheq mentaliteti mesjetar i robërimit të mendjes me skenarë të shpifur. Nëse është për t’iu besuar hulumtimeve që nxjerrin garniturën udhëheqëse aktuale si më të besuar në sytë e maqedonasve, atëherë del se okupimi i pjesës tjetër që mendon ndryshe do të ndodhë në disa faza, duke filluar nga perceptimi i kundërshtarit si armik që duhet asgjësuar me të gjitha mjetet deri te krijimi i parakushteve për një enklavizim më të madh të jetesës së njerëzve me etni e fe të ndryshme. Kodofikimi më i mirë i këtij enklavizimi mund të jetë kryqi si narracion për një histori të dështuar të koekzistencës shqiptaro-maqedonase.
Mbase, qeveria aktuale nuk ka  ndonjë projekt evropian për qytetarërt e saj,por  kjo nuk do të thotë se ajo nuk  ka projekt perfekt manipulues për të shtuar jetëgjatësinë e mandatit të saj, duke rikthyer në skenë klishetë e manipulimit publik me ndjenjat fetare, dhe duke ua imponuar bashkëkombësve të vet kryqin dhe kishën si alternativë të BE-së, kurse senzibilitetin fetar si kerozin pa të cilin nuk mund të ‘’fluturojë’’ balloni i madh i vetëmashtrimit kolektiv.  Ndryshe nuk do të kishte logjikë kjo ngjizje kaq vulgare e patosit sakralo-fetar me donkishotizmin politik, që si rezultat ka trajtat e politikës pa vizion dhe me aftësi të pakufizuara të shndërrimit  të mossuksesit në mjegull dhe aterimit pa parashutë mbi baltën e madhe të vetëngulfatjes. Kjo e bën edhe më të vështirë shpëtimin, sepse kësaj rdhe asgjësimi nuk vie nga jashtë, por nga brenda.
Share: