Home KRYESORE Mbetjet ne Jugun e Italise burim semundjesh dhe vdekjes

Mbetjet ne Jugun e Italise burim semundjesh dhe vdekjes

Problemi i mbetjeve në jug të Italisë ka marrë përmasa serioze, duke shtuar problemet shëndetësore, rastet me kancer dhe numrin e vdekjeve.

Mbetjet e rrezikshme në shumë rajone të jugut të Italisë prej dekadash menaxhohen nga mafia që operon në zonë, teksa shqetësimi nga banorët ka kohë që ka hapur një debat të madh në shoqërinë civile.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Lartë i Shëndetësisë në Itali, normat më të larta se normalja të kancerit dhe numri i lartë i vdekjeve në Napoli, kanë ardhur si pasojë e grumbullimit të paligjshëm të mbetjeve toksike nga Kamorra, organizatë mafioze që operon në jug të vendit.

Në raport thuhet se shkalla e tumoreve dhe vdekjeve në rajon është 11 herë më e lartë sesa mesatarja e vendit dhe tregon se shumë foshnje po shtrohen në spital në vitin e parë të jetës së tyre me probleme serioze shëndetësore, përfshirë edhe tumore në tru.

Janë 25 vite që në rajon ushtrohet kjo praktikë e paligjshme, e cila  konsiderohet shkak kryesor i rreziqeve shëndetësore.

“Hedhja e mbetjeve industriale këtu shkakton probleme të mëdha me frymëmarrjen dhe astmë. Gjithashtu shkakon irritim tek sytë, si përlotje  dhe djegie kimike”, thotë  Giuseppe Piscane,  asistent në policinë pyjore të provincës së Napolit.

Sipas Shoqatës Ambientaliste “LegaAmbiente”, që nga ‘90-ta deri në 2014, në rajon janë hedhur rreth 11.6 milionë ton mbeturina në mënyrë të paligjshme, raporton Ora News.

Italia vendosi edhe ushtrinë në 2014-n për të goditur fenomenin e dëmtimit të ambientit nga mafia, por problemet e mëdha shëndetësore për popullatën lokale janë shtuar vit pas viti./Dita.al

Share: