Home KRYESORE NË KOSOVË PO NDODHË AJO QË DUHEJ TË NDODHTE

NË KOSOVË PO NDODHË AJO QË DUHEJ TË NDODHTE

Kur politika kosovare e udhëhequr nga kryemarioneta Isa M. thërret në ndihmë mitet dhe manipulon me aleatët strategjik, duke u tallur me ndjesinë e një pjese të qytetarëve somnabul, fundi i saj duhet të përshpejtohet me të gjitha mjetet legale dhe legjitime.

Nga Sadri RAMABAJA

Prishtinë, 20 shkurt – Për njohësit e paktë të realitetit në Kosovë, sidomos nga Tirana, pyetja retorike se çfarë po ndodhë në Kosovë, duket disi sikur të vinte nga një kontinent tjetër?! Krahas pyetjeve retorike të kësaj natyre, jo rrallë na bie të lexojmë panegjerike plot patos për Hashim Thaçin, të cilin, banalisht ,mercenarë të ngjyrave të ndryshme (nga Prishtina e Tirana), e krahasojnë me Ismail Qemailin!

Por, pyetje të kësaj natyre të futura si pykë brenda “analizave” plot panagjerizëm, që na ka rënë të lexojmë këto ditë më shumë se zakonisht, kur na vijnë nga personalitete që, de fakto, e njohin mirë realitetin politik në Kosovë, por me kohë janë pajtuar me rolin e mercenarit në jetën publike e politike, na duken të tepërta. Ndërkaq kur rastis që shkrime të kësaj natyre na vijnë edhe prej ndonjërit që në rrethana të jashtëzakonshme kishte luajtur rol balancues të mirëseardhur mes dy rrymave që mund ta vrisnin LPK-në në kohën kur i duhej Kosovës më shumë se kurrë, e pakta që mund të thuhet tashti, personaliteteve të tilla nuk i bën nderë.

Këto fenomene ndërshqiptare ndodhin meqë, për fat të keq, as isntitucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, përgjejgëse për të vepruar mbi bazat e interesit nacional në Kosovë, por as mediat, nuk kanë arritur të ngrejnë një rrjet bashkëpunëtorësh shkencor, personalitetesh publike e publicistë real. Po ta kishin këtë trup të botës akademike, pjesëtar të shoqërinë civile dhe asaj politike, që janë të zhveshur nga ndikimet kuazi-ideologjike dhe fryma sektariste, gjërat e tilla ose nuk do të ndodhnin ose do të ishin më të pakta. Kjo kategori tek atëherë do të mund të shëndrroheshin në krijues jo vetëm të opinionit politik, por edhe bashkëautorë të politikave shtetërore në raport me Kosovën dhe Kombin në tërësi.

Fatkeqësia është se në Tiranë, ka vite që kultivohet një lloj politike që për qarqet atdhetare në Prishtinë, jo rrallë, është irituese.

Sa herë që në pushtet vije PD-ja, politika shtetërore, në emrë të gjoja antikomunizmit dhe gadishmërisë për bashkëpunim me të ashtuquajtura forca demokratike në Kosovë, në eshalonet e këshilltarëve të kryeministrit shqiptar, po edhe të institucioneve tjera shtetërore, na rangohen kuazinacionalistët kosovarë të sojit të Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës…ose atat ë “rangut të dytë” të UDB (Policisë Sekrete Serbe), që kryesiht në vitet 1980-1999 bënin punën e policisë intelektuale, derisa punonin në institucionet e kulturës, ndërkaq një pjesë e tyre, sidomos gjatë viteve 1989-1999, u katapultuan në krye të LDK-së, duke u shndërruar, siç shprehet një politikan serb këto ditë, në bartës të dialogut Beograd – Prishitnë përgjatë gjithë viteve 1994 -1998.

Por, as me rikthimin në pushtet të PS-së, gjërat nuk mund të thuhet se kanë ndryshuar esencialisht, pavarësisht ndryshimeve pozitive.

Në këtë stad të zhvillimeve politike sot, Kosva nuk erdhi krejt rastësisht. Duket se skenarët për sjelljen e Republikës buzë greminës, janë projektuar që nga viti 1994, kur Beogradi kishte intensifikuar bisedimet me përfaqësuesit e të ashtuquajturës alternativë politike të kryesuar nga Ibrahim Rugova.
Në një intervistë të gjatë, të njërit prej bashkëpunëtorëve të ish kryeminsitrit të vrarë serb, Zoran Gjingjiq, dhënë mediave serbe, e të cilin ato sot e akuzojnë si spiun i anglezëve, potencohet se gjatë asaj periudhe ishin zhvilluar më se 51 takime (natyrisht të fshehta). Edhe takimi i ndërmejtësuar nga një OJQ fetare e Romës (Shën Exhidio), ishte pjesë e kësaj beteje diplomatike serbe për rikthimin e autonomisë së vitit 1974, për të cilën ishin të pajtimit kreu i LDK-së. Le ta kujtojmë me këtë rast marrëveshjen për rikthimin e studentëve dhe nxënësve në objektet e veta (1996).

Ishte pikërisht këmbëngulja e UÇK-së së vegjëlisë, siç e quan me të drejtë Ibrahim Kelmendi pjesën e pa kontrollueshme të saj nga elementi puçist (Xhavit Haliti/Azem Syla, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli), për vazhdimin e aksioneve çlirimtare në Kosovë; pastaj Beteja e Prekazit etj., që përmbysën projektet e diplomacisë serbe dhe aleatëve të tyre për mbajtjen e Kosovës nën sundimin serb.

Në linjën e asaj fryme të diplomacisë serbe për krijimin e hapësirës për rikthim në Kosovë, shfrytëzimin e saj tutje si neokoloni, janë edhe marrëveshjet e 19 prillit 2013 dhe kjo e fundit e 25 gushtit 2015, që hedhin konturat e Republikës Serbska (Zajednicës) në Kosovë.

Ishte kundërveprimi i pashembullt i 30 deputetëve të opozitës së bashkuar, atij grushti heronjësh modern, që bën të pamundur realizimin e projektit serb, që po e mundësonin marionetat e tyre të instaluara në krye të Republikës.

Është detyrë e intelegjencies shqiptare që ta potencoi gjithnjë e më zëshëm këtë fakt. Dhe këtë po e bën ajka e intelegjencies shqiptare në që të dy Republikat tona (Profesor Qosja, Profesor Xhufi etj.)
Në vend që politika dhe media shqiptare të flasin e shkruajnë për mjerimin masiv social dhe humbjen e shpresës, për korrupsionin galopant, për nepotizmin mbytës, kleptokracinë… e një varg fenomenesh të njohura edhe për ambientin politik të Shqipërisë politike, që, marrë tok, ishin shkaktarët real të dyndjes masive të mbi 100.000 qytetarëve, të cilët në dhjetorin dhe janarin e vitit 2014/2015, kur karteli i PDK/LDK etabloi pushtetin, patën ikur, si dikur nga Milosheviqi, ka përpjekje për relativizim të gjendjes, për anësi banale politike, për retushim të realitetit, e jo rrallë shpërfaqje të tendencave të hapura për ta degraduar VV – boshtin e fuqishëm të opozitës së bashkuar dhe përgjithësisht bllokut antiqeveri.

Prandaj, me të drejtë konastaton një sivëlla imi, që ende nuk e njoh nga afër, Pavlo Gjini, se “më 17 shkurt, populli shqiptar aktualizoi, përtej ndarjes të kufirit cinik, në sheshet dhe rrugët e Prishtinës, idealin e Republikës së Shqiptarëve. Republika e Shqiptarëve është guximi i shqiptarëve.”

E guximi ndër shqiptarë nuk ka munguar kurrë, ndërkaq një guxim i llojit të vetë, që projektuan Rilindasit tanë, i atij formati e asaj madhështie, u vërejt më shumë se kurrë, më 17 shkurt, në sheshet e Prishtinës. Ai model guximi duhet të mbështetet gjithandej ku i thuhet bukës – bukë e ujit- ujë, do të thoshte Fishta ynë i madhë.

Se opozita kishte plotësisht të drejtë për atë që i shndërroi në kauza të saj dy marrëveshjet në fjalë – atë për Zajednicën serbe, që rikthente Serbinë në Kosovë, dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që rrudhte territorin e Atdheut për pothuajse 9000 hektarë – e verifikoj edhe Gjykata Kushtetuese, sado e llojit të veçantë që është. Me këtë kauzë, që ishte produkt i konceptit politik të pastër kombëtar, de fakto, VV bëri aktin më sublim politik – ndërgjegjësoi Kombin në tërësi.

Çfarë do të ndodhë më tej?

Dyshja marionetë Mustafa-Thaçi, e dëshmoi përmes konferencës për media fill pas protestës së 17 shkurtit, se çfarë rruge ka përzgjedhur për të dalë nga kriza. Arrestoi figura emblematike të VV – kryetarin e Grupit Parlamentar – Glauk Konjufcën, shpirtin kryengritës të VV – Dardan Molliqajn, sekretarin organizativ; zëdhënësin e organizatës – Frashër Krasniqin dhe ndërkohë, pas seancës tragjike të 19 shkurtit, arrestoi një varg deputetësh të opozitës. Në përmbyllje të këtij akti me përmasa fashiste, kur sigurimi i Kuvendit po përplaste me kokë për dysheme deputeten Albulena Haxhiu, përshkallëzimi i aktit pasoj me denigrimin banal të saj, me çka ka irituar një popull të tërë.

Natyrisht se burgosja e deputetëve dhe militantëve të opozitës së bashkuar, para së gjithash të atyre të VV, nuk sjell ditë të mira në këtë pranverë të hershme politike.

Ndërkohë, politika krahas dhunës së pashembullt ndaj opozitës, po vazhdon me tallje tipike, të pa denja edhe për kolonitë më klasike.

Protestat prandaj do të vazhdojnë më 27 shkurt, duke marrë përmasa përshkallëzuese, ngjashëm siç u veprua në Bullgari e Rumani. Ato do të jenë gjithëpërfshirëse, derisa do ta detyrojnë qeverinë të ulet dhe të dakordohet për datën e zgjedhjeve të parakohëshme.

Për përshkallëzimin e protestave dhe afatin e tyre, e sidomos eskalimin e tyre në dhunë, përgjejgësia bie mbi qeverinë.

Në këto rrethana, kur politika e udhëhequr nga Hashim Thaçi zbaton skenarët e dhunës në Parlament dhe në zyrat e VV, hapur dhe në shenjë hakmarrje meskine; kur politika e udhëhequr nga kryemarioneta Isa M., thërret në ndihmë mitet dhe manipulon me aleatët strategjik, duke u tallur me ndjesinë e një pjese të qytetarëve somnabul, fundi i saj duhet te përshpejtohet me të gjitha mjetet legale dhe legjitime.

Share: