Home I pakategorizuar “Një këshillë e vjetër” per lidershipin

“Një këshillë e vjetër” per lidershipin

Nga Enriko Ceko

Në kohën e eksodit të madh, Jethroi, vjehrri i Moisiut, kur ky i fundit, i vetëm, përpiqej që t’i bënte të tëra punët e drejtimit dhe të udhëheqjes së rreth 600.000 njerëzve, i thotë: “Moisi, zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të tyre dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë. Ata do të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do vendosësh vetë. Kështu do të jetë më e lehtë për ty dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty. Nëqoftëse ti vepron kështu dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh dhe tërë ky popull do arrijë në vendin e caktuar”.

Këshilla e Jethroit, edhe pse e thënë mijëra vite më parë, ka vlerë edhe për ditët tona. Është një këshillë tepër e vlefshme për të tërë ata që drejtojnë vendin në të tëra aspektet sepse një lider pa aftësinë e delegimit nuk mund të jetë një drejtues i mirë, pavarësisht nga dëshira për të qenë i tillë. Edhe pas 20 vitesh ndryshimi të mënyrës së drejtimit të vendit, mbetet përsëri mjaft tipike dëshira e shumë drejtuesve në vend, në të tëra nivelet e hierarkisë, në të tëra pushtetet, në ekzekutiv, në legjislativ, në gjyqësor, në media, etj, si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat, që të bëjnë çdo gjë vetë, të kontrollojnë çdo gjë dhe të vendosin vetë për të tëra, një mendësi fisnore, që edhe Moisiu i mijëra viteve më parë e kuptoi se me këtë mënyrë drejtimi nuk mund të ecej më përpara.

Ne shqiptarët kemi përballë një detyrë madhore. Të bëhemi pjesë e Evropës, pjesë e asaj Evrope që në të tëra aspektet ka përqafuar stilin modern të drejtimit të punëve, stil në të cilin mbizotëron delegimi i fuqisë, bashkëpunimi me kolegët dhe me ta që mendojnë ndryshe, besimi reciprok midis tyre dhe ecja përpara së bashku. Janë pikërisht këto karakteristika që i mungojnë në përgjithësi punonjësve si në sektorin publik, ashtu dhe në sektorin privat në vendin tonë në të tëra nivelet e drejtimit. Janë po këto karakteristika që në fakt i mungojnë edhe shumicës së drejtuesve të lartë në vend.

Shqipëria (duke cituar këtu Z. Lisien Bashkurti) në fakt ”ka drejtues, por, nuk ka lidership”. Kur secili nga drejtuesit e vendit, në të tëra nivelet, shfaq herë pas here cilësi të mira drejtimi, është vënë re se, në këto raste punët atje ku ai drejton, ecin mbarë, dhe, e kundërta. Problemi madhor i vendit është se liderët tanë nuk po përbëjnë ende lidershipin tonë dhe kjo sepse ata nuk ecin dhe nuk duan që të ecin së bashku, sepse ata nuk dëgjojnë dhe nuk duan të dëgjojnë nga njëri tjetri, sepse ata nuk mësojnë dhe nuk duan që të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të të tjerëve, sepse ata nuk delegojnë dhe nuk duan që të delegojnë, sepse ata nuk kontrollojnë dhe nuk kanë dëshirë të kontrollojnë (atje ku duhet), sepse ata nuk bashkëpunojnë dhe nuk duan që të bashkëpunojnë. Ky është problemi. Kjo është çështja. Kjo na pengon.

Si të tillë, këta drejtues, për të dalë nga situata, shfrytëzojnë nepotizmin, që është dukuria e caktimit në vende pune të rëndësishme të miqve dhe të të afërmve të tyre dhe të familjeve të tyre, cilatdo qofshin (pa)aftësitë e këtyre miqve dhe e të afërmve. Duke patur të tillë drejtues dhe familjarë e miq të tyre në drejtim, lidershipi fals i vendit nuk ka frikë nga Perëndia (edhe pse në festa të ndryshme fetare, përballë kamerave televizive duket sheshit se i bën si jo më mirë të tëra adetet) dhe, këta drejtues, mungesën e frymës së delegimit e kompensojnë me frymën e autoritetit të zgjeruar.

Rroftë celulari. Një bisedë dhe bëhet gjëma. Sapo jepet urdhër gjithçka është e kryer. Sapo del nga goja e shefit, fjala bëhet realitet. Deri këtu, nëse urdhërat janë të mira, s’ka aspak problem. Po ç’bëhet kur celularit i mbarojnë bateritë apo kur shefit i janë majisur bajamet? Po kur urdhërat janë kryekëput të gabuara? Nepotizmi dhe mungesa e frymës së delegimit dhe e besimit te njerëzit bëjnë që punët të mos kryhen ashtu siç duhet dhe kështu nuk arrihen në kohë objektivat strategjike, ndër të cilat më kryesori është integrimi evropian, që është vënë përsëri në pikëpyetje.

Në fakt, në Shqipëri ka mjaft njerëz të aftë, që kanë frikë nga Perëndia, që janë njerëz të besuar dhe besnikë ndaj vendit dhe kombit, njerëz që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe që mund të vendosen në drejtim, njerëz që janë të aftë të gjykojnë ç’është mirë e ç’është keq, që dinë të parashtrojnë problemet dhe që dinë të japin edhe zgjidhje të përshtatshme për këto probleme me të cilat përballemi çdo ditë. Me njerëz të tillë në drejtim pesha e të tëra pushteteve mbahet më lehtë dhe punët ecin më mbarë dhe vetëm nëqoftëse veprohet kështu, atëherë vërtet shqiptarët do arrijnë shpejt në Evropë. Në të kundërt, këshilla e vjetër e Jethroit dhe destinacioni i integrimit evropian mbeten për “kur të qethen viçat”.

Share: