– „Nuk është ende darka gati?”- pyeti ai me një zë të lartë, qortues dhe ndezi televizorin duke u shtrirë në divan. Mori gazetën në dorë, i hodhi një shikim titujve të faqes së parë dhe e hodhi mbi tavolinë.
– „Unë punoj tërë ditën dhe kjo është dhurata, që më bën ti mua?!“
– “ E pata djalin te mjeku”,- u përgjigj Albana. Sapo u ktheva, pesë minuat para teje…
– “Aha!” – psherëtiu ai duke tundur kokën.
– “Darka është gati, duhet vetëm të nxehet”,- u dëgjua përsëri zëri i saj nga kuzhina.
– “Vetëm të nxehet!” – tha Luani me vete dhe solli kokën.
– „Ti kurrë nuk bëhesh njeri, fajet i ka nëna jote”, shtoi ai i nevrikosur dhe i padurim.
– “Për pesë minuat është gati, të lutem, vetëm pesë minuta…,” e luti ajo me zë të ngrohtë.
– “Lopë je ti, për fat nuk e sheh veten!” – tha Luani. Ajo doli nga kuzhina me një lugë të madhe druri në dorë dhe u ndalë në pragun e sallonit.
– “Lopë më thua,” – dhe shtrëngoi lugën e madhe.
– Po, lopë je ti!” – përsëriti Luani duke e parë herë atë, herë lugën e gjatë. Këtë herë u ndje i detyruar ta rrisë zërin akoma më shumë, për t´i bërë asaj të qartë, se luga nuk i bënte përshtypje.
– „Atëherë, më blej një këmborë, pasi qenkam lopë“, – tha ajo duke humbur durimin.
Albana qe kthyer një orë më herët se burri nga puna dhe pasi mori dy fëmijët nga vjehrra, vrapoi te mjeku se djali i vogël kishte ethet, prandaj edhe darka u vonua. Luanit nuk i pëlqenin këto rrëshqitje të orarit. Darka duhej të hahej me orarin e njëjtë dhe të saktë. A i ka për çdo ditë uri në të njëjtën orë, kështu kishte qenë edhe në shtëpinë e tij, kur jetonte me prindërit tani nuk kishte arsye, në bashkëshortësi, të krijohen rregulla të reja.
– “E pse të duhet këmbora?” – pyeti ai duke vazhduar me ngacmimin.
– “Nëse dinë të blesh këmborë për lopë, atëherë fqinjët kuptojnë se nuk je dem i tredhur!” – i tha ajo duke qenë e vetëdijshme se po futej në një fushëbetejë të re, që nuk kishte pasur guxim ta provojë kurrë. – “Dreq o punë!” – tha me vete, – “ku mora guximin të shprehem kaq vrazhdë?”
– „Nesër kur të kthehem nga puna, ta sjellë një“,- i tha ai dhe nënqeshi me cinizëm.
– „Nga floriri apo argjendi, si të pëlqen?” – pyeti në mënyrë ngucëse.
– „Të lumtë, më blej një nga zinku, kështu bota e kupton se mbete çoban!- i tha ajo dhe përsëri u habit me guximin e vet.
– „Mbylle gojën!” – bërtiti Luani duke humbur toruan, sa u dëgjua edhe jashtë. Albana nuk foli më. Tryezën e bëri gati, ai u ngrit dhe u ulën me fëmijët e tyre.
– Më jep ujë!- tha ai i nevrikosur. Albana i mbushi gotën. Luani e mori në dorë dhe vështroi Albanën duke sjellë kokën i turbulluar në mendje.
– “Më jep bukë!”- u dëgjua përsëri zëri i tij nervoz. Albana i preu një fetë dhe ia lëshoi mbi tryezë pranë dorës së tij.
– “Pse nuk flet?”- piskati ai befasisht duke i rënë tryezës me shuplakë. Fëmijët ia plasën vajit.
– “Respektova dekretin”, i tha ajo shkurt dhe u kthye nga fëmijët. – “Më tha më parë ta mbyllë gojën…”,- dhe u largua pakëz me karrige nga tryeza.
– „E mbylla si deshe ti! Si mund të flasë me gojë të mbyllur? Po prisja dekretin e ri! Lirinë për hapjen e gojës”,- dhe e vështroi atë drejt në sy pa përpëlitur qerpikët. U shikuan ashtu një copë herë, ndalën përtypjet, pastaj Luani uli shikimin mbi tryezë dhe vazhdoi t´i lëvizë nofullat. Albana gëlltiti kafshatën dhe nuk hëngri më. Ajo u kujdes t´i qetësojë fëmijët dhe t´i ushqejë. Në këtë çast kuptoi se sa më shumë që heshtte, aq më shumë shtypej, keqtrajtohej, dhunohej dhe përbuzej prej tij. Tani vendosi t´i japë fund viktimizimit dhe gradualisht ta kërkojë nderin, që meritonte, që kishte pasur, por dalëngadalë në bashkëshortësi, e kishte humbur. Tre vitet e fundit rrallë kishte dëgjuar ndonjë fjalë të mirë prej tij apo ndonjë mirënjohje: kryesisht nënçmime, sharje dhe piskama. -“Mjaftë më, – tha ajo me vete. – Erdhi dita e V-së së madhe. Dita e vendimit!”
Luani pat fituar një pozitë më të lartë dhe mendonte se tani i duhej një grua e re, që i përshtatet karrierës së tij. Nga keqtrajtimet e përditshme, shpresonte se Albana del nga shtëpia, i lenë fëmijët aty dhe ky i dërgon te nëna e tij dhe kështu i krijohet mundësia e re. Kohëve të fundit ëndërronte një grua sorkadhe, më të re, flokëgjatë dhe gjoksfryrë, e cila do të vishej shumë bukur, seksi dhe për të cilën ai nuk do të ndjehej xheloz. Fundi fundit, nuk do t´ishte nëna e fëmijëve. Për Albanën kurora dhe familja e krijuar ishin të shenjta dhe, as që mendonte për ndarjen. Çdo ditë përpiqej me fjalë të mira të krijojë një raport të durueshëm, por, aq sa më e sjellshme tregohej ajo, aq më shumë acarohej dhe merrte guxim ai.
Të premteve zakonisht Luani kthehej më herët nga puna dhe ajo vendosi që pikërisht atë ditë të flasë me të dhe t´i kërkojë ndryshimin e sjelljeve. Pas bisedës, shpresonte Albana, mund të dalin edhe së bashku në qytet apo në kinema. Herën e fundit kishte parë me të një film derisa ishin të fejuar, më vonë, jo. Pak para orës njëzet e dy shkuan në shtrat dhe ashtu pa folur, i kthyen shpinën njëri tjetrit. Luanin e zuri gjumi me një herë. Albanën, jo. Fjalët e rënda, që ia tha ai dhe guximi i vet, nuk e linin të qetë. Jeta e përditshme ishte bërë e padurueshme. Deri në orën tre të mëngjesit mendoi mënyrën se si ta përgadisë bisedën dhe sapo e përfundoi planin, mbylli sytë. Të nesërmen, kur i dërgoi fëmijët te vjehrra, e luti atë t´ i gatuajë një pite, siç i pëlqente Luanit, sepse piten që i përgatiste ajo, ai gjithmonë e kishte përfolur, edhe pse gatuhej sipas udhëzimeve të vjehrrës.
Duke u kthyer nga puna, shkoi te ajo mori fëmijët dhe piten. Luanin luante shah me një fqinj. Pas pak, fqinji iku, Albana përgatiti tryezën dhe Luani u ngrit dhe i telefonoi nënës për ta falënderuar për piten e mrekullueshme.
E premte. Binte një shi i imët, me pika të rralla. Fillimi i pranverës dhe nuk i dihej: herë vranët, herë diell. Ajo mbylli çadrën rregulloi pakëz flokët dhe hyri në oborr. Sot ishte veshur bukur, me rrobe që theksonin linjat e saja femërore, me taka pak të larta, një fustan deri në gjunjë dhe pak para se të dilte nga puna, i bëri edhe buzët të kuqe. Pranë derës së shtëpisë pa një bisht të lopatës mbështetur për mur, që kishte blerë Luani për të punuar në kopsht. E futi bishtin e lopatës nën sqetullën e krahut të majtë dhe me dorën e djathtë, hapi derën e hyrjes. Bishtin e lopatës e mori t´ia përkujtojë Luanit, sepse edhe ajo kishte ndërmend të mbjellë lule. – “Edhe pse e ka blerë bishtin, me siguri zgjatë dy a tri javë deri sa t´i a vejë lopatës”,- mendoi ajo. Lëshoi çantën në korridor, vari mantelin dhe mbështeti bishtin e lopatës në kuzhinë që ta shohë Luani.
– “Luan, ai more fëmijët?”- pyeti ajo me zë të ëmbël nga kuzhina. Luani nuk u përgjigj. Shkoi në dhomën e ndejës dhe e pa duke fjetur. Ai gërhiste në gjumë të thellë.
– “Luan, ku janë fëmijët?” – tha ajo me një zë të zvargur. Luani ngriti kokën ngadalë, me sytë gjysmë të hapur u ulë dhe hodhi jastëkun në fund të divanit i egërsuar.
– “Çka je lyer e ngjyer si një grua e përdalë? “– bërtiti ai. Albana ofshani thellë dhe uli kokën.
– “Shko merri ti fëmijët! Ti e ke për detyrë. Ti je nënë! Ec më shpejt!”- urdhëroi ai i acaruar.
– “Jam shumë i lodhur, kam shumë uri, shko e vishu si grua serioze, laje fytyrën! – bërtiti ai dhe u shtri përsëri, por tani në anën tjetër të divanit.
– „Luan burri, më dëgjo këtu! Unë do të shkoj t´i marrë fëmijët, por, brenda dhjetë minutave kthehem dhe kur të kthehem, kur të kthehem darka duhet të jetë gati. – Darka duhet të jetë gati”,- e shqiptoi ngadalë, si në klasën e parë, duke bërë nga një pushim të vogël pas çdo do fjale dhe duke i theksuar mirë e mirë fjalët me një përsosmëri fonetike. Me zanore të pastra shqipe dhe bashkëtingëllore të shqiptuara mirë e drejtë. Luani u kthye në anën tjetër dhe rregulloi jastëkun. Albana mori mantelin dhe doli furishëm përjashta duke murmuruar ndërmjet dhëmbëve.
(Disa burra të gjitha gratë i shohin si nëna. Ata janë mësuar të dremisin dhe të dergjen, si në shtëpitë e tyre. Bashkëshorten nuk e konsiderojnë si partnere të barabartë, por si një dhuratë, një nënë e dytë në shërbim të tyre. Ata nuk kuptojnë kurrë se shoqja, nuk është vetëm nënë e fëmijëve, por edhe bashkëshorte, me dëshira dhe plane për jetën, kryesisht për rrjedhën e saj. Burrat e tillë, ndaj gruas së tyre, gjatë ditës, sillen si me nënën e vet, bën dallim vetëm trysnia ndaj gruas dhe mirënjohja ndaj nënës. Këta burra, ndaj nënës sillen me shumë dashuri, ndaj gruas me shumë ashpërsi. Ata, disa vite pas martese, humbasin gjallërinë dhe ca nga ca, por sigurt, përpiqen nga gruaja ta rikrijojnë nënën e tyre të dytë. Ky soj i burrave, shumë rrallë apo kurrë nuk del me gruan jashtë, përjashtim bëjnë ndejat tek të afërmit. Ata nuk çajnë kokën për lumturinë e gruas, por për rehatinë e vet! Grave të tilla fatkeqe dëshpërimi në fytyrë u lexohet edhe në rrugë! Mungesa e vetëveprimit, rënia shpirtërore dhe plogështia u shihen në ballë! Ata burra nuk falënderohen kurrë dhe shpërndajnë vetëm urdhra! Gratë e pafat, me burra të tillë, kanë të drejtë të shëtitën në oborr ose në banesë!)
Luani zakonisht të shtunën dhe të dielën nuk punonte, por për Albanën nuk kishte pushim kurrë. As katërmbëdhjetë shkurti, as tetë marsi, as një maji,: të gjitha ishin ditë pune. Për Luanin ditë pushimi ishin jo vetëm ditët e fundit të javës, por natyrisht edhe të gjitha festat tjera shtetërore.
Pas një çerek ore, u kthye ajo në shtëpi me dy fëmijët e vegjël. Njërin e kishte në krahë, tjetrin e mbante për dore. I hodhi një shikim kuzhinës dhe pa se nuk ishte lëvizur gjë nga vendi. I dërgoi fëmijët në dhomën e tyre dhe mbylli derën. Luani zakonisht kur rrihte gruan, nuk lodhej a janë fëmijët aty a jo. Ai ishte i bindur se burri i vërtetë nuk duhet të shikojë këto rrethana, por të reagojë ashtu si e kërkon nevoja, çasti. Luani ishte eksploziv dhe sillej ashtu, kolerik. Albana ishte introverte dhe implozive. E hante veten, por nuk i tregonte askujt për gjendjen e vet të mjerë.
– “Jeanne d´Arc, Shota Galica, Jeanne d´Arc, Shota Galica”,- përsëriti me vete Albana dhe mori bishtin e lopatës nga kuzhina dhe e lëshoi majtas në korridor, në qoshe, pranë hyrjes së sallonit.
– “Pse nuk bën ti darkën gati?” – bërtit ajo duke e parë shtrembër nga pragu i derës.
Luani ngriti kokën, shikoi i habitur dhe nuk u besoi veshëve.
– “Pse nuk e bëra darkën gati? – Dëgjova mirë apo jam në ëndërr?” – pyeti ai me një vështrim të hutuar dhe zë arrogant. Për një çast iu duk se po pkohej drita në dhomë.
– „Po, dëgjove mirë! Të pyeta, pse nuk e bëre ti darkën gati për fëmijët tu dhe për shoqen tënde”,- përsëriti ajo tani duke ngritur zërin më shumë se ai.
– “Mos je çmendur? Unë të të bëjë darkën ty?”- bërtiti edhe ai. – “Unë Luani Kreshta, burrë, trim me flet, të marrë fultere në dorë! Mos vallë ke dëshirë të vishem edhe me fustan? – pyeti ai edhe një herë duke qenë i bindur se krejt kjo ishte një keqkuptim.
– “Po! Ti Luani Kreshta, ti ke krijuar familje dhe ndihmo atë!”- i tha Albana e vendosur.
– “Tash të tregoj ty darkën!”- vikati Luani i inatosur, i zemëruar, i pezmatuar dhe u ngrit me vrull drejt Albanës. U prish kjo botë, tha me vete dhe e zuri për flokë duke i përplasur kokën për muri. Albana e shtyri me dy duar nga vetja, ai shkeli mbi një makinë të fëmijëve dhe u rrëzua në dysheme. Ishte hera e parë në jetë që po mbrohej. Luani mori makinën dhe hodhi me tërë fuqinë drejt Albanës, ajo uli kokën dhe lodra fluturoi drejt kuzhinës. Ai u ngrit me tërbim, solli kokën i egërsuar duke sharë, shtrëngoi nofullat dhe gjersa po përgatiste grushtet, Albana e goditi me shqelm me tërë fuqinë ndërmjet këmbëve. Luani nuk e priti këtë. Ishte goditje e befasishme dhe e shpejtë si vetëtima. Atij iu errësuan sytë dhe u mblodh kruspull duke gjëmuar, pastaj i futi dy duart poshtë dhe mendoi: – “E patën bolet! U prishën vezët!” Rënkoi dhe ofshani thellë dhe luhatej herë para, herë pas duke gjëmuar.
(Luani dinte se të drejtën e dhunës e kishte vetëm ai. Kjo që përjetoi iu duk fundi i botës: i moralit, i traditës, i roleve gjinore dhe i bashkëjetesës. Me një fjalë: Luani në gazep ekzistencial! U shemb muri kinez! A të bëjë vetëvrasje apo ta vrasë gruan?! Sot duhej të merrte vendime të mëdha! Jetë a vdekje! Krenari apo kompromis? Çfarë kompromisi!)
Albana zgjati dorën e majtë pas dhe mori bishtin e lopatës në dorë. E shtrëngoi me dy duar dhe deri sa ai po ngrihej, e qëlloi me tërbim dhe me tërë forcën në kokë dhe në shpinë. Luanit iu shfaq një tufë xixash para vete me plot ngjyra; mbyllte dhe hapte sytë shpejt, përpëliste qerpikët me shpresë se xixat do të pakoheshin dhe do të perceptonte, do të kapte me shqisa vendin ku ishte, por, ato, shtoheshin akoma më shumë, shpërndaheshin si fishekzjarre dhe pastaj në vend se të zhdukeshin, mblidheshin së bashku në një pikë, për të shpërthyer përsëri me mijëra ngjyra, xixa-xixa.
– „Truri”- tha me vete Luani, – truri më krijon imazhe të çuditshme, por unë jam burrë dhe tani ngrihem dhe e dërgoj në spital bushtrën, siç e kam dërguar disa herë. Kur mendoi spitalin, pa një korridor ndërmjet xixave, që vezullonin: një korridor të gjatë e të pafund spitali dhe u përplas përsëri në dysheme. I vuri duart në gungën e freskët në kokë dhe deshi të qajë, por, qarja para gruas dhe prej gruas, kjo nuk bëhet dot!- tha me vete. -“ Jo! Edhe nëse sot vdes duke mbrojtur nderin e burrave”, – mendoi ai. Në atë gjendje kllapie, pa varrin e vet dhe shumë burra, që përkuleshin për ta nderuar. Aty shkruante: “Varri i trimit të panjohur, që u flijua për të drejtën e burrave! – Anonim!” – tha me vete – “pa emrin tim, edhe pas këtyre dhembjeve, edhe pas kësaj vuajtje tronditëse!” Ai mbante duart akoma mbi kokë. Këtu Albana kuptoi se tani dhimbja kishte ndryshuar vendin dhe me një shpejtësi marramendëse kishte kaluar nga poshtë, lart. U përpoq të ngrihet, por iu terruan sytë dhe iu tretën edhe xixat, u zhduk edhe korridori i spitalit dhe u plandos përsëri. Errësirë e plotë, por disi këndellëse, paqësore.
– “Jeanne d´Arc, Shota Galica, Jeanne d´Arc, Shota Galica”,- përsëriti Albana me vete.
I hodhi edhe një shikim, Luani nuk lëvizej. Mbështeti në derë të sallonit bishtin e lopatës, Luani lëvizi gishtin e vogël të dorës së djathtë dhe ajo shkoi ngadalë në kuzhinë. Mori një brokë me ujë dhe nga një largësi e sigurt, ia derdhi mbi kokë. Luani pikë së pari lëvizi këmbën e majtë, pastaj dorën e djathtë, pastaj këmbën e djathtë, pastaj dorën e majtë, futi duart ndërmjet këmbëve, preku kokën dhe e shkundi si luan i tmerruar. Albana mori përsëri bishtin e lopatës.
-”Jeanne d´Arc, Shota Galica…”, përsëriti dhe e shtrëngoi ndërmjet duarve.
– “Kurvë, bijë kurve…”, bërtiti ai duke iu dridhur zëri, por akoma pa përfunduar shprehjen, mendimin e lirë, Albana e goditi për herë të dytë në kokë. Luani ra përmbysë, i shtrirë gjerë e gjatë, në mes të dhomës. Ajo bëri disa hapa rreth tij duke tërhequr bishtin e lopatës pas vete mbi qilim dhe vështroi se mos vallë po ngrihej përsëri. Iu afrua pranë këmbëve, u përkulë pak për ta parë më mirë në fytyrë se apo merrte frymë dhe në këtë çast iu kujtua shuplaka në qendër të qytetit, vetëm pse pat përshëndetur me buzëqeshje një koleg; pastaj disa herë rrenat te mjeku, se ishte rrëzuar nëpër shkallë, se kishte goditur derën me kokë, se kishte thyer dhëmbin me një arrë e shumë gënjeshtra tjera në punë. Luani lëvizi vetëm gishtin e madh të dorës. „Po ngrihet”, tha me vete Albana. Ngriti bishtin e lopatës në ajër dhe e goditi në këmbën e djathtë. U dëgjua një ushtimë e fortë, e shurdhët dhe një ofshamë e madhe.
– “Tash shëno gola me këmbën e majtë, çdo të diele”,mendoi Albana. Luani nuk lëvizi më. Nuk dihej, ishte alivanosur apo kishte frikë të tregojë shenja gjallërie nga goditja e re.
Ajo e shihte nga lart dhe nuk i besonte syve të vet se burri saj, Luan Kreshta, ai që e kishte rrahur dhjetëra herë, ai trimi me flet, që e kishte kërcënuar edhe me thikë në fyt nga xhelozia, tani gjendej para saj, i shtrirë dhe i pafuqishëm.
Mori gazetën në dorë dhe ia i hodhi pranë kokës: “lexo se si rrihen gratë të ne!” – i tha atij fytyrëvrenjtur dhe me plot mërrola. “Unë pata gënjyer! U thashë burri im më trajton vetëm me dashuri…”
Luani lëvizi disa herë qerpikët, por mendoi se nuk i konvenonte tani të flasë, jo nga kjo pozitë dhe i mbylli sytë përsëri. Në të vërtetë, ai nuk kishte zhvilluar kurrë dialog nga poshtë lartë, por nga lartë poshtë. ”Më mirë po fle”, tha me vete. Ashtu si në komë deshi ta lëvizë këmbën e djathtë, por u rimendua. Pati frikë se mund të vërehet nga Albana dhe goditja e fundit mund të ishte lamtumirëse. E fundit në këtë jetë. Fatale. Albana u ulë, ndezi një cigare dhe mori telefonin në dorë. Një copë herë u mendua, të thërrasë policinë apo ndihmën e shpejt. Pasi u mendua mirë, vendosi për ndihmën e shpejt. Futi duart në flokë, i rregulloi, i leu edhe një herë buzët me të kuq dhe tha me vete: „nëse thërras policinë, i merret fytyra burrit, më mirë mjekun një herë…“
– „Ejani ju lutem… Po! Sa më shpejt… Burri im është rrezuar nëpër shkallë…Ndoshta…Gati ka thyer këmbën apo e ka thyer. Ndoshta ka pësuar dridhje truri apo mund të thuhet se ka pësuar dridhje truri…”, – pastaj i tregoi adresën dhe mbylli telefonin.
Iu kujtua sa herë Luani e kishte tërhequr zvarrë për flokë nëpër dysheme, duke e sharë dhe duke e shqelmuar, pse ishte dashur të punojë më gjatë. Gjersa po përkujtonte ato poshtërime, ato përbuzje, tha me vete: – Erdhi çasti t´ia falë edhe këtë përjetim! U ngrit ngadalë, qetë-qetë, e kapi me njërën dorë për jakën e këmishës, me tjetrën në rrip dhe u përpoq ta tërheq. Iu duk i rëndë Luan Kreshta, shumë i rëndë. U ngrit dhe doli në anën tjetër dhe e kapi për dy këmbë dhe e tërhoqi deri te dera e korridorit dhe e lëshoi aty si një thes me patate. Kur e lëshoi, Luani deshi të ofshajë, sepse po të hapej dera, me një herë djathtas, nisnin shkallët e bodrumit. Një rrokullisje vështirë se do ta mbijetonte edhe Mic Sokoli në këtë gjendje- tha me vete. Parapëlqeu heshtjen dhe nuk bëri as gëk e as mëk. Ajo fërkoi duart para dere, u drejtua mirë nga dhembja që ndjeu në kurriz nga pesha e Luanit dhe hyri në kuzhinë.
-”Jeanne d´Arc, Shota Galica!”- përsëriti në vete.
Kur Albana ndezi cigaren e tretë, u dëgjua sirena, pak më vonë, trokitja në derë. Ajo e shtyri Luanin pak anash për ta hapur derën. Mjeku i shikoi pulsin, vështroi Albanën i çuditur, sikur dëshironte të pyes, pse gjendej burri para dere, por nuk tha gjë.
– “E afrova pranë dere në mënyrë që të jetë më afër spitalit!”, i tha ajo. Ai tundi kokën i habitur.
– „Si quhet?”, pyeti mjeku.
– „Luan Kreshta…Luan Kreshta”,- përsëriti Albana pasi u mendua pak. Mjeku e thirri disa herë, por u dëgjuan vetëm disa ofshama nga goja e tij. Ai u bëri shenjë me kokë dhe dy infermierë e ngarkuan në një barelë dhe dolën.
Disa sekonda më vonë njëri u kthye dhe pyeti se a do të vinte edhe ajo në spital.
– “Duhet t´ia bëjë darkën fëmijëve”,- tha Albana dhe mbylli derën. Sirena e ndihmës së shpejt, aq sa më shumë largohej, aq më pak dëgjohej.
Të nesërmen shkoi Albana në spital dhe mjeku i tha se kishte pasur një dridhje të lehtë të trurit, por ishte jashtë rrezikut. Mjekët i kishin lidhur kokën me një fashë të bardhë. Këmbën e kishte në gips dhe të varur pezull mbi krevat me një rrip. Ai po flinte thellë. Nëna e tij, që gjendej pranë krevatit, kur pa Albanën, u ngrit me nxitim drejt saj. E përqafoi me lot në sy dhe i tregoi se kishte folur para një ore me të dhe se Luani i kishte treguar fill e për pe, se si kishte rrëshqitur në një lëvozhgë bananeje, që e kishin hedhur fëmijët dhe kishte rënë shkallëve të bodrumit. “Mozomakeq, këtë herë patëm fat!”, tha ajo. „Ky bodrum më duket shumë ogurzi” shtoi vjehrra. „Dy herë ti, tash Luani, më mirë ta mbyllni për gjithmonë”,- i tha ajo resë. Albana pohoi duke bërë shenjë me kokë dhe shtoi: – “Do ta mbyllim për gjithmonë nënë, ke të drejtë! Është bodrum shumë misterioz!”
Pas tri ditëve nisen mesazhet nga spitali. Mesazhi i 199: “Më mirë të ndahemi. Nuk mund të vazhdojmë më!” – Luani. Mesazhi i 200: .”..nëse edhe një herë më thua këtë, mora bishtin lopatës dhe erdha në spital. ” Mesazhi i 254. „Natën e mirë Luan!” Mesazhi numër 255: “Natën e mirë Albana!”
Ndërkohë e vizituan Luanin edhe miqtë e partisë së tij dhe i premtuan se në zgjedhjet, që do mbahen së shpejti, ai mund të kandidohet për deputet…
Mesazhi i 300: “A të shkojë në polici dhe të deponoj një deklaratë? Jam e gatshme ta pranojë dënimin.” Mesazhi 301: -Jo! As policisë e as shtypit, asgjë! Ndoshta bëhem deputet!” Luani.
Pas një jave cingëroi celulari me mesazhin e fundit: “nesër në orën dhjetë, eja më merr të lutem!“ Luani.
Pak minuta pas orës dhjetë doli Luani me paterica para derës së spitalit. Albana nuk dukej akoma. Iu kujtua se kur dilte e shoqja nga spitali, edhe pas lindjeve, ai shkonte së paku me një orë vonesë.
– “Po ma shpaguan edhe këtë”, mendoi ai. Qëndroi një çerek ore me paterica para derës së spitalit me këmbën e djathtë të ngritur ca dhe Albana nuk shihej. Me shumë mundime dhe ngadalë zbriti tri shkallët dhe u ulë në një stol në oborr. Në orën njëmbëdhjetë parkoi makinën Albana para spitalit për të marrë Luan Kreshtën…