Home KRYESORE Qytetarët, përfaqësimi dhe sovraniteti

Qytetarët, përfaqësimi dhe sovraniteti

Nga PhD Ervis Martani*

Zhvillimet përgjatë tranzicionit demokratik të Shqipërisë, i cili është akoma në proces dhe padyshim larg përfundimit, të paktën në një periudhë afatshkurtër, kanë dëshmuar që në vendin tonë demokracia përfaqësuese nuk ka funksionuar dhe as po funksionon. Analistë dhe pseudoanalistë shpeshherë mundohen të shpjegojnë dhe justifikojnë situatën aktuale të një vendi të zhytur në korrupsion që ka prekur çdo qelizë të strukurave shtetërore me paaftësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre apo me mos interesimin e qyteraëve për të mirën publike!!! Lëvizja Shqipon, ndryshe nga tillë individë të cilët, me dashje apo padashje, duke i vënë gishtin qytetareve bëjnë lojën e pushtetit dhe për pasojë zgjasin kurthin dhe agoninë në të cilin ndodhemi (sic!), vë theksin te humbja e lidhjes së besimit dhe të kontrollit midis të përfaqësuarit dhe përfaqësuesve. Strukturat ndërlidhëse midis qytetarit dhe pushtetit në vendin tonë nuk kanë arritur asnjëherë të interpretojnë në mënyrë efikase apo ti japin zgjidhje nevojave të shoqërisë dhe demokracia përfaqësuese mbështetet pikërisht në rolin themelor të këtyre strukturave, sic janë partitë politike. Dështimi i demokracisë përfaqësuese është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të partive politike.

Çështja e korruptimit dhe dështimit të partive politike është debatuar dhe në arenën ndërkombëtare. Filozofja Simone Weil shprehte një denim pa apel kundër çdo partie, dhe kundër idesë së partisë në vetvete duke i cilësuar si një “makinë për të fabrikuar pasion kolektiv” dhe si një “organizatë e formuar në mënyrë të tillë që të ushtrojë një trysni kolektive mbi mendimin e secilës nga qeniet njerëzore që janë anëtare të kolektivitetit” që kanë si qëllim vetëm forcimin e tyre pa asnjë limit. Nisur nga këta karakteristika, në mendimin e Weil, çdo parti politike dukej si totalitare, në embrion dhe në aspiratë. Domethënë çdo parti nuk mund të bëjë tjetër veçse të ketë si qëllim zgjerimin e saj, dhe kjo çon në përmbysjen e marrëdhënies ndërmjet qëllimit dhe mjetit: mjeti shëndërrohet në një qellim, duke lënë kështu në harresë të mirën publike. Weil vazhdonte arsyetimin e saj duke theksuar se përveçse një numri tepër të vogël të disa koincidencave të rastësishme  nuk vendosen dhe nuk merren masa, veçse në kundërshtim me të mirën publike, drejtësinë dhe të vërtetën: “Në qoftë se do t’ia besonim djallit organizimin e jetës publike, ai nuk mund të imagjinonte ndonjë gjë më inteligjente.

Nese  realiteti ka qenë paksa më pak i errët, kjo është për shkak se partitë nuk kishin gllabëruar akoma gjithçka”. Partitë politike duket sikur kanë shtrirë efektet negative të tyre qoftë në jetën publike qoftë në atë të brendshme të çdo individi, dhe pikërisht për këtë Weil sulmon pa asnjë hezitim fenomenin partiak. “Ndikimi i partive ka infektuar të gjithë jetën mendore të epokës sonë. Një njeri që hyn në një parti ka parë ndoshta në veprimin dhe propagandën e kësaj partie gjëra që i janë dukur të drejta dhe të mira. Por ai kurrë nuk ka studiuar pozicionin e partisë në lidhje me të gjitha problemet e jetës publike. Duke hyrë në parti, ai pranon pozicione që injoron. Në këtë mënyrë ia nënshtron mendimin e tij autoritetit të partisë. Kur gradualisht do t’i njohë këto pozita, do t’i pranojë pa i shqyrtuar”. Pothuajse kudo – thotë ajo – veprimi i animit nga një parti, për të marre pozicion pro ose kundër, ka zëvëndësuar veprimin e të menduarit në mënyrë të lirë. Përfundimisht Weil i cilëson partitë politike si një e keqe, si një “lebër”, që po cënon mënyrën tonë të të menduarit nga e cila duhet të lirohemi sa më shpejt sepse “Një pemë e mirë nuk mund të prodhojë fruta të këqij, e as një pemë e keqe nuk mund të prodhojë fruta të mirë”.

Është e qartë që Weil nuk i referohej partive politike të sotme por partive totalitare që kishin çuar Evropën drejt luftës, dhe në veçanti kundër partive komuniste të tipit stalinist. Domethënë sulmi i saj ishte drejtuar kryesisht kundër forcës shkatërruese të ideologjive dhe kundër tendencës totalitare të partive ideologjike. Normalisht kjo lloj partie nuk ekziston më por sidoqoftë polemika funksionon gjithsesi, sepse në Shqipëri ka filluar të përhapet fryma për të cilën partitë politike ashtu sic funksionojnë sot përbëjnë një kërcënim për unitetin e popullit, të cilit tashmë i duhet ofruar një instrument i ri për ndërveprimin me pushtetin dhe kontrollin e tij në rast devijimi, si ky në të cilin gjendet sot vendi ynë. Sot, rrjetëzimi i pjesëmarrjes dhe ndërmjetësimit politik partiak aq i nevojshëm për mirëfunksionimin e demokracisë nuk ekziston më duke reduktuar pjesëmarrjen e qytetarëve vetëm në momentin e zgjedhjeve. Pra qytetarët, pas procesit elektoral, nuk kanë më asnjë lloj instrumenti efikas për të influencuar politikat institucionale, për të ushtruar sovranitetin e tyre dhe të drejtat demokratike. Kjo krizë e politikës përfaqësuese shikohet nga Levizja Shqipon si një sinjal: qytetarët ndjejnë nevojën për të rimarrë sovranitetin dhe të drejtën për të vendosur në cdo moment.

Shqipon është e bindur që politika dhe vendimmarrja nuk mund të reduktohen vetëm në një shfaqje elektorale por duhet të jenë përgjegjësi e përditshme e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm e funksionarëve publikë: demokracia nuk mund të kufizohet me pyetjen e qytetarëve vetëm në momentin e votimit një herë në 4 vjet por duhet të realizohet në mënyrë kostante në të gjitha fushat e jetës publike. Demokracia pjesëmarrëse është mundësia e vetme për të vënë makinën shtetërore në funksion të të mirës publike duke i ridhënë sovranitetin qytetarëve, pra fuqinë për të vendosur në cdo moment.

Pjesëmarrja aktive e qytetarëve gjatë proceseve vendimmarrëse (dhe mundësia për të emeruar dhe shkarkuar disa zyrtarë të lartë) ka një vlerë të katërfishtë. Së pari lejon ata të konfrontohen me problemet e vendit, ndërhyrjet e nevojshme, si dhe futjen e praktikave të mira në jetën demokratike të komunitetit. Së dyti lejon që idetë dhe propozimet konkrete të tyre të bëhen realitet pa pritur gjithmonë ideimin e politikave nga lart-poshtë. Së treti, frenon fantazitë shkatërruese të politikaneve të sotëm dhe favorizon parimet themelore si trasparenca dhe llogaridhënia në çdo moment. Së katërti, dhe mbase më e rëndësishmja, mundëson që qytetarët të funksionojnë si një “opozitë” gati zyrtare dukë kontrolluar në çdo moment  administrimin e të mirës publike, emërimin dhe shkarkimin e zërtarëve të lartë dhe duke propozuar ligje dhe ndryshime të ligjeve, përfshirë Kushtetutën e vendit (sic realisht ndodh në demokracinë zviceriane).

*Autori eshte aktivist i Levizjes Shqipon

Share: