Home KRYESORE Të shkruash shqip duke menduar serbisht

Të shkruash shqip duke menduar serbisht

Nga Lis Bukuroca

Opozitë mund të jetë një parti, disa parti, grupe apo lëvizje që kundërshtojnë pikëpamjet, vendimet, ose projektet e qeverisë. Pra të partisë apo të një koalicioni partish në pushtet.

“Pozitë” , që po përdoret në shtyp si sinonim i qeverisë, nuk është nocion që përkufizon qeverinë, por dëshmi për mosnjohjen e gjuhës apo shpërfilljen e saktësisë semantike.

Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe Pozitë domethënë:

1. Vendi ku ndodhet dikush a diçka; Pozitë strategjike. Pozita gjeografike…

2. Gjendje, në të cilën ndodhet dikush a diçka; Pozita shoqërore e dikujt. Pozita e punëtorëve. Pozita e gruas në të kaluarën. Pozita ndërkombëtare e Shqipërisë. E vuri në pozitë të vështirë.

3. Detyrë me përgjegjësi e dikujt; vendi i punës i dikujt; nëpunësi e lartë. Pozitë kyç. Njeri me pozitë. Siguroi (humbi) pozitën. Ngre në pozitë. Luftonte për pozitë. Ra nga pozita. Shpërdorojnë pozitën zyrtare.

4. Tërësia e ideve, e pikëpamjeve dhe e synimeve që ka e që mbron dikush në krahasim me të tjerët; Pozita klasore e shkrimtarit. Ranë në pozita idealiste.

Pra në katër shpjegime, POZITA nuk ka kuptimin e partive në pushtet, por as në italishte “la posizione”, as në frëngjisht “la position” nuk kanë kuptimin e qeverisë. Sigurisht kështu duhet të jetë edhe në anglisht. As gjermanisht nuk ka atë kuptim, që po i bashkëngjesin gazetarët në shkrimet e tyre.

Gjersa po shkruaja ato mendime më lartë, më vajti mendja te gazetat serbe dhe mundësia që kjo “Pozitë” të jetë një kalk linguistik, pra një përkthim nga serbishtja dhe në fakt, ishte ashtu. Ja një shembull nga shumë të tjerë nëpër gazetat serbe: “Ужичка опозиција као запета пушка, позиција не одговара на питања…” Nga Glas zapadne Srbije.

Edhe mbiemri NORMAL përdoret kudo sipas kuptimit në serbisht, e jo sipas kuptimit që ka në shqip…

Të shkruash shqip duke menduar serbisht, është mungesë përgjegjësie dhe përgatitje profesionale. Çdo njeri ka të drejtë të mos dijë. Nuk mund të kërkohet dije prej çdo njeriu, por pritet dije dhe dija është obligim, kur njeriu i drejtohet publikut duke pasur një redaksi, disa gazetarë, ndonjë lektor e jo të shërbejnë si platforma, ku gabimeve u jepen përmasa epidemike. Gabimisht përdoret nga mediokritete edhe folja “JU PREFEROJ, të lexoni këtë libër !”, në vend të: ju rekomandoj të lexoni…

Nëse shkruani në google POZITA DHE OPOZITA do të gjeni artikuj tek të gjitha gazetat dhe portalet kosovare.

Share: