Home KRYESORE U bllokua rruga dhe Tirana u be kryeqytet

U bllokua rruga dhe Tirana u be kryeqytet

Nga Luela Myftari

Gjyshi i tij ka qenë kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës pas luftës. Babai i tij ka qenë ai që e ka mësuar se imazhet dhe librat janë të rëndësishëm. Vjen nga familja që hapi librarinë e parë në Tiranën e atyre viteve. Ai është Gazmend Bakiu, historian, koleksionist dhe pinjoll i një familjeje të vjetër tiranase. bisedat me të janë gjithë të këndshme, ndaj edhe ju përcjell më shumë se një rrëim të Gazmendit. Një rrëfim që shpjegon se si Tirana u shpall kryeqytet, sepse u bllokua rruga e Durrësit nga italianët. më interesantet në takimet me të janë fotografitë bardhezi të Tiranës së atyre viteve. Në fund bisedat tona mbyllen gjithnjë me shqetësimin që sjell mungesa e një plani urbanistik, që të mbrojë ato pak gjëra që kanë mbetur nga Tirana e vjetër dhe rivitalizimi i një pjese të mirë të atyre objekteve, që mund të rilindin duke mbartur histori.

Ata që e njohin historinë e Tiranës, njohin shumë mirë edhe dy faza të këtij qyteti, atë të një kryeqyteti të përkohshëm dhe atë të një kryeqyteti të përhershëm. Si historian dhe si autokton në këtë qytet ç’është në të vërtetë 11 shkurti?

Historia e Shqipërisë në vitet 1920-1925 është tejet interesante. Më 21-31 janar 1920 u zhvillua Kongresi i Lushnjes. Në kushte shumë të vështira për vendin, shqiptarët u bënë bashkë dhe shkruajtën një faqe të ndritur në histori. E themi këtë pa pasur frikë se biem në mitizim apo folklorizëm. Krerët tanë, politikanët e kohës e kuptuan se duhet të bëheshin bashkë dhe t’i dilnin zot vendit, me përkushtim. Që të kthehem te pyetja, Luela, duhet thënë se Kongresi i Lushnjes nuk e shpalli Tiranën kryeqytet. Kryeqytet asokohe ishte Durrësi. Këshilli i Naltë dhe qeveria u nisën për të shkuar atje, mirëpo forcat italiane nuk i lejuan. Atëherë, ata vendosën që të shkojnë në Tiranë. Këtu, zotë të vendit ishin Toptanët. Një nga personalitetet më të rëndësishëm, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, ishte nip Toptanësh (nga e ëma), dhe ndikoi qartas në këtë vendimmarrje. Që asokohe ai ishte një ndër politikanët kryesorë të vendit. Kështu, Këshilli i Naltë dhe qeveria vendosën tëmarshojnë në Tiranë, sepse kjo ishte zgjidhja logjike në atë situatë, ngado që ta shikoje. Qyteti paraqitej shumë mikpritës dhe popullsia gjithashtu. Në mënyrë të çuditshme, po plotësohej profecia e Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, që Tirana të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, e thënë kjo që në vitin 1877. Më 11 shkurt 1920, Këshilli i Naltë dhe qeveria hynë në Tiranë, duke e shpallur kryeqytet të përkohshëm, mes entuziazmit popullor. Ata u vendosën te ndërtesa e nënprefekturës (sot e shembur), e cila ishte pikërisht aty ku sot gjendet Biblioteka e vjetër, te “Sheshi i Flamurit”. Që nga ajo ditë e madhe sot 11 shkurti është një përvjetor i shënuar.

Po kryeqyteti i përhershëm?

Pas vrullit të parë patriotik filloi një luftë e ashpër politike. Edhe për kryeqytetin e përhershëm filluan debatet, të cilat u pasqyruan edhe në fushatën elektorale të vitit 1923. Forcat politike, sipas ndarjeve krahinore dhe partiake mëtonin të zgjidhnin Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, ose Durrësin si kryeqytet. Pra, kishte disa mundësi, por patjetër Tirana kishte dhënë prova se po funksiononte si kryeqytet, pa përmendur këtu pozitën krejt të favorshme gjeografike të saj. Pra, ishte e avantazhuar. Zgjedhjet i fitoi Ahmet Zogu dhe më 31 janar 1925, Tirana u shpall kryeqytet i përhershëm. Kjo ndodhi në 5-vjetorin e përfundimit të Kongresit të Lushnjes, i cili kishte hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë. Që nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar plot 90 vjet.

Ju jeni djali i kryebashkiakut të parë të Tiranës së pasluftës. Gjithë këto vite, çfarë kanë lënë pa bërë kryetarët e Bashkisë së kryeqytetit për t’i rikthyer dinjitetin dhe për të mos shkatërruar disa vlera historike të tij? Çfarë do të duhet të bëjmë apo të shpëtojmë?

Pyetja është shumë e gjerë dhe ngërthen një periudhë gati 70-vjeçare; pra e pamundur për t’u përgjigjur brenda një paragrafi. Gjithsesi, shkurtimisht mund të thuhen disa gjëra. Nuk mund të mohohet se punë janë bërë, në periudha të ndryshme, ashtu siç nuk mund të mohohet që shkatërrime vlerash historike (me apo pa dashjen e kryetarëve të Bashkisë) kanë ndodhur. Megjithatë, luela myftaripak është bërë për ruajtjen dhe rivitalizimin e vlerave historike të Tiranës. Nëse do të dëgjohet më shumë zëri qytetar, nëse do të bëhet një projekt-plan, se çfarë do të ruajmë, çfarë do të rivitalizojmë dhe çfarë do të rikthejmë nga vlerat e humbura të kryeqytetit, atëherë gjërat mund të bëhen më mirë.

Share: