Home KRYESORE UNIVERSI I NJË MEGAROMANI

UNIVERSI I NJË MEGAROMANI

(Rexhep MURTEZ SHALA: ANONIM- profan wor(l)d, neokultura, Prishtinë, 2015, fitues i Çmimit Kombëtar në prozë “Anton Pashku” për vitin 2015 )

Nga Rezart Palluqi

Që të kuptojmë romanin më të fundit të Rexhep Murtez Shalës, ANONIM- Profan Wor(l)d duhet të kemi parasysh universin dhe miliona planetet ose trupat qiellorë të saj që lëvizin në hapësirë. Thënë figurativisht, personazhet janë disa trupa qiellorë që rriten, shkëlqejnë dhe rrëshqasin në miliarda komplote të përngjashme. Ato nuk zhduken, por ndërrojnë formë.

Autori, qysh në faqen e parë na e jep esencën e tërë romanit:

“Vuaja nga gjendja hionagogige dhe vizionet e përçuditshme se isha kriptor mistik, scriptor profan dhe endacak i metafizikës që i kërkoja trajtat e mija nëpër krejt gratë e botës, mitit dhe literaturës.

Por rrej nëse s’e pranoj se një grumbull i madh i letrave crypto-erotic’s më imponohej nga vizionet e mia nganjëherë fatale: më dukej se vazhdimisht m’i dërgonte një farë Fëmina- primordial që pothuaj çdo herë më shfaqej me nga një trajtë të re kreaturave të metafizikës e deri te femrat urbane të Profan Wor (l) d”

Elena e Trojës këtu skicohet si një dashnore moderne e pushtetarëve. Vetëm se këtu, ajo banalizohet, zhvishet prej asaj magjisë hyjnore të Helenës së Trojës antike, duke e sjellë po aq magjike dhe qesharake, budallaqe sa femra më ordinere që mund të hasim në çdo katund apo qytet të botës. Mbresëlënës është përshkrimi i gruas së autokratit: gruaja “seksbombë”. Është një gdhendje ironike e Shalës që të bën të mendosh për shëmtinën Nexhmije Hoxha, gruan e tiranit, Enver Hoxha.

Shumimi i Botës këtu kategorizohet në shkallë-shkallë. Në departamentin e erotikës së fast-food-it lindin fëmijët e prindërve fukarenj. Aty sperma derdhet verbërisht. Fëmijët e tyre përçudnohen nga mrekullitë elektronike, teknologjike, pësojnë një lloj traume skizoide, cybercrime. Ndikimi i teknologjisë ndaj spermës sfidon mitrën femërore, ku edhe paralajmërohet nxjerrja e saj jashtë shenjtërisë së saj deri më sot “hyjnore”.

Përreth bankës së spermës vërtiten të gjitha botët paralele dhe qendrore. Nëpërmjet spermës, diktatorët modernë dhe shpurat e tyre e projektojnë botën sipas dëshirave të tyre dhe shpresojnë të shembin murin e vdekjes. Kjo vë në rrezik edhe familjen tradicionale dhe trondit ose shemb edhe kollonat e feve arkaike, që edhe bazohen mbi shenjtërinë e familjes dhe Zotit, si shëmbëllyes i saj. Në këtë pikë, ky roman rrafshon të gjitha fetë dhe bëhet blasfemik.

Proza kërcen midis metafizikës dhe botës reale. Emigracioni kronik, aq i njohur në hapësirën shqiptare apo vendet e tjera të mbërthyera prej luftërave, autori e quan aq bukur dhe me sarkazëm “endacakët e metafizikës”. Me të drejtë. (Për vende si Shqipëria, emigrantët tjetërsohen në hije. Sapo u mjelim qumështin, ne i fusim shkelmin. Ata nuk janë më pjesë e një bote konkrete por enden si endacakë midis botëve/shoqërive të ndryshme).

Dilema e personazhit kryesor, i zhytur në kaosin e pesë botëve të ndryshme, shpaloset fuqimisht në këtë paragraf:

“Kurse tash ndjehesha si një kopil i epruvetës në in medias res të meritokracisë urbane: me vdekë me dinjitet për hir të mitit për njeriun e lirë ose me pranue çfarëdo kushtesh për mbijetesë dhe mos me u ndje aspak karakter!

Autori Shala di që të heqë një paralele shumë të bukur rreth zanafillës së krimit njerëzor. Ne mendojmë se krimi fillon me vrasjen e dy vëllezërve Kabili dhe Habili. Por, Shala e zhvendos frymën vrasëse shumë më herët se ardhja e njeriut në Tokë. Ai e quan “fëmijëri premordiale”. Natyra është sa mrekullibërëse aq edhe vrastare, po ashtu edhe njeriu. Njeriu është vrasës edhe kur nuk vret. Kështu, Shala merr lamtumirë prej ëndrrës së drejtësisë njerëzore dhe nuk përzihet në beteja për lulëzimin e drejtësisë mbi Tokë, as shkëlqimin e drejtësisë metafizike. Ai e sheh këtë botë si një intelektual racë, pingul dhe jo horizontalisht.

Sistemet politike këtu ikin e vijnë, ose dobësohen e forcohen. Hierkarkitë e pushtetit përkojnë me ato bashkëkohore. Tirani i jep pak liri nënvartësve të tij dhe mbas një farë kohe risjell sistemit tiranik: “nga lart- poshtë”. Levat e pushtetit rrezikohen gjithnjë t’i drejtojnë shoqëritë demokratike ose siç e quan autori, meritokracinë urbane.

Real World. Pesë botët në roman mund të nënkuptojnë edhe pesë kontinentet në Tokë dhe pushtetet e tyre shpesh përballë njëri-tjetrit.

Autokrati këtu skicohet pak a shumë si pushtetarët e vërtetë: i pashkollë. Përreth vetes ai mban njerëz të pashkolluar vetëm e vetëm që t’i përdorë si gurë shahu. Në skenë na shfaqen indirekt lufta e Kosovës, kur “botët paralele”, siç i quan autori, vendosën që “Zona arkaike mystery” ose Kosovën dhe Shqipërinë, ta çlironin.

Në roman, çdo lloj suksesi apo lavdie që fitohet me mjete oportuniste dhe imorale zhbëhet në metoda torturuese ose asgjësuese. Kështu, autori di të ironizojë mjeshtërisht vajzën e kompozitorit, e cila si moto ka që të rrënojë gjithçka që i del përpara dhe të jetojë si “endacake e metafizikës”, çka nënkupton se mbas vdekjes së artistëve dominantë dhe katilë, çdo vepër e tyre zhduket dhe metafizika e tyre i ngjan puplës së një pule që endet në ajër dhe që kurrë nuk e gjen forcën e gravitetit të ulet në Tokë.

Elementët që e dominojnë romanin fund e krye janë pushteti, seksi, pasuria materiale dhe feja. Femrat këtu dalin qejflie të të gjitha botëve: Real World, Alter World, Profan World, Global World. Erotika këtu e mposht instinktin intelektual, sepse në fund të fundit të gjitha llojet e femrave, si rrugëfshirësja, si piktorja bëhen pre e epsheve të zjarrta të meshkujve të hierarkive dhe botëve të ndryshme. Në këtë roman, nuk ndeshet emri nënë, por vetëm femra të profesioneve të ndryshme, rrugët e të cilave të gjitha të çojnë drejt stanit të seksbërjes!

Romani prehet poshtë një qielli me re të zeza, gjigante dhe me barkun e fryrë me miliarda komplote. Çuditërisht fjala diell, nuk përmendet askund. As natyra jo! Ajo pothuajse është e papranishme në roman. Kjo e bën absurdin e Shalës të ndryshëm nga atë të Kamysë, ku dielli arab ndikon për keq në trurin e vrasësit të shokut të tij. Shala e zëvendëson natyrën me laboratorin e spermës dhe eksperimentit të saj, si tek Huxly!

Në rrafshin moral, turma nuk banon shumë larg vatrës, aty ku qytetërimet lindin dhe vdesin. Por është shpesh dëshmitare e çdo të keqeje dhe të mire që ndodh në këtë Botë. Në këtë pikë, ky roman reflekton The Real World, ose botën perëndimore, ku sistemi demokratik i ka shkurtuar distancat midis turmës dhe autokratit.

Skëterra këtu nuk është danteske! Ajo ndeshet më shumë sipër Tokës, se sa poshtë saj.

Krejt normale kjo! Skëterra sot gjendet në majat e gradacelave!!

Ky roman është i pacak, jo vetëm se ai nuk luhet gjatë një shekulli të caktuar, por edhe prej ardhjes dhe rrëzimeve të pushteteve. Të gjithë personazhet shkëlqejnë dhe bien në humnerë. Shëruesja, doktori i autokratit, ( i cili i ngjan doktorit te Hitlerit, po ashtu i pasur deri ku s’ka më) Inxhinieri, Farmacisti, Piktorja, Filantropi, Narkobosët, Fantasti, Kriptologu, Defektologu, Karekterologu, Anonimi e dhjetëra të tjerë. Kjo ndodh aq shpesh në roman saqë në një farë çasti të duket sikur je duke fluturuar në univers dhe je duke ndjekur nga afër përplasjen e yjeve, shkërmoqjen e tyre dhe me pluhurin e tyre xixëllues të vijnë yje të rinj!

Tematika e romanit mund të ishte trajtuar në shumë më pak faqe. E them këtë ngaqë të njëjtat ngjarje ripërsëriten dhjetra herë. Edhe personazhet NUK janë aq autentikë, ngaqë të gjithë mendojnë dhe shprehen pothuajse në të njëjtën gjuhë. Kjo ndodh kur shkrimtari pa dashje dominon mendimin e tyre. Sfera fatale në roman i kalon caqet e hiperbolës letrare. Fataliteti letrar bëhet i besueshëm, kur në roman hasim shumë pak personazhe. Mirëpo, këtu ndeshim dhjetëra personazhe, kështu që një pjesë e tyre mund të rrezatonte ato pak anë pozitive të jetës.

Dashuria këtu nuk zë vend të rëndësishëm. Ndërkohë që 95% e shkrimtarëve e ngre atë lart dhe e shohin si shpëtimtaren e madhe! Por, Rexhep Murtez Shala e përçmon deri diku dashurinë me “porosi” të njeriut tokësor, i cili zgjedh për dashurinë diellore. Shala e di se dashuria universale, nuk bën dallim midis errësirës dhe dritës, as midis ngjyrave apo frytshmërisë. Këtë e vërejmë në qytetin e Necropolis. Atje jeta vazhdon e njëjtë siç vazhdonte në qytetet e gjalla ose Profan Wor(l)d!

Romani nuk ka kapituj, ashtu si edhe Universi që nuk njeh departamente të caktuara. Edhe planeti më shterpë është një pjesë e rëndësishme e tërësisë. Pra, kemi të bëjmë me një strukturë totale, një vazhdimësi ose lëvizshmëri të pandalueshme yjore. Gjuha dallohet për fjalitë e saj narrative. Ajo anon më shumë nga esejistika. Narracioni ama është i rrallë, ngaqë ai shfaq njeriun e botës primitive, klasike, moderne dhe botëpërtejme. Narracioni na sjell edhe mpirjen e njeriut modern, duke përdorur bimët narkotike si dhe përçudnimin që ai pëson prej teknologjisë së avancuar gjenetike.

Leksiku i romanit do të kishte qenë mirë që të sqarohej në një pasqyrë të veçantë, ngaqë aty ndeshim shumë terme ose fjalë të ‘shpikura’ prej vetë autorit, të cilat një lexues i zakonshëm a student i letërsisë do ta ketë të vështirë t’i nxjerrë kuptimet e tyre, shpesh filozofike ose me ngarkesa të sofistikuara politike.

Sidoqoftë, romani lexohet deri në germën e fundit, ngaqë drama njerëzore aty ripërsëritet me dhjetëra herë. Ironia e tejpërtejshme në roman më bën të kujtoj Salman Rushdinë dhe shkrimtarin Aldous Huxly . Vetëm se ironia e Salman Rushdisë është po aq terroriste sa vetë ISIS, ngaqë ai plumbit i përgjigjet me plumb; shto këtu edhe luftën që ia hap vetëm islamit dhe hesht ndaj diktaturave të feve të tjera. Ndërsa, ironia,sarkazma e Shalës, nuk fal askënd. Ai vetëflijon edhe veten e tij, sepse artisti, shkrimtari në këtë roman, ashtu siç jemi mësuar ta ndeshim në prozën e madhe, nuk qëndron më lart se të tjerët, duke bërë ndonjë përjashtim të vogël, si në rastin e Kulturologut që vritet gjatë një aksidenti të kurdisur.

Për Shalën të gjithë njerëzit janë të korruptueshëm dhe të vdekshëm ngaqë i pavdekshëm është trupi gjithëpërfshirës i Universit! Dhe, këtu dallohet origjinaliteti i këtij romani dhe universi i rrallë intelektual që ai mbart në gji.

Fama dhe obsesioni i njeriut për t’u bërë i pavdekshëm, e bëjnë atë të vdekshëm. Ndërsa, personazhet e Shalës janë pak a shumë të gjithë dritëshkurtër siç janë 95% e njerëzve.

Në pjesën e fundit të romanit, iluzioni i një drejtësie botëpërtejme groposet me shfaqjen e Nekropolisit. Aty shpërngulet bota e padrejtë ose “Parafizike”, siç e kam quajtur unë. Bota jonë e pështirë,vrastare parafizike zëvendëson pikë për pikë botën Metafizike ose Necropolis siç e quan autori. Shala këtu e mohon parajsën dhe i vret të gjitha ëndrrat, si ato egoiste/perverse, ashtu edhe ato idealiste. Ai zgjedh empatinë kolektive universale. Nihilzmi i tij total, pra, argumentohet prej arrogancës njerëzore. Toka nuk rrotullohet përreth Diellit, sepse ka ndonjë leverdi prej tij. Jo! Ajo rrotullohet pa arsye dhe pavetëdije të plotë. Po kështu, edhe Dielli. Ai nuk ndriçon, sepse është bujar apo arrogant. Kurse njeriu, qoftë ai më i miri, të jep një kokërr mollë kur ia jep një kokërr mollë. Prandaj, Shala e ka zhdukur në këtë roman këtë racë njerëzore. Ai zgjedh për çdo qenie tjetër të gjallë ose të vdekur që nuk mendon por vepron pa e çarë kokën!

Për aq sa kohë që njeriu nuk do të distancohet prej pushteteve të lartpërmendura, ky roman do të vezullojë si një masë e madhe kristali e errët dhe misterioze. Ky kristal do të bëhet i tejdukshëm vetëm kur njeriu ta pranojë jetën si ajo pema e gjelbër që e shijon gjelbërimin e saj dhe nuk ia mbath kur një zjarr i papritur e bën atë shkrumb e hi. Ndaj në këtë pikë, ky roman mund të shërbejë si një ndihmesë për t’i thënë lamtumirë absurdit dhe materializmit tragjik që e karakterizon këtë lloj njeriu mbi Tokë. Njeriu ëndërron që ta lidhë detin mbrapa varkës së tij. Njeriu ëndërron të bëhet rezart palluqikapiteni i Universit. Shala e di shumë mirë se kjo është absolutisht e pamundur. Prandaj, edhe na solli një roman ku kjo shpresë utopike vritet katilisht.

Prandaj, ky roman është një tempull letrar i kotësisë së jetës së vetëdijshme.

Share: