Home KRYESORE Vetëm terroristët vrasin pengje

Vetëm terroristët vrasin pengje

Nga Emin Azemi

Nëse del e vërtetë ajo që po dyshohet se forcat e sigurisë maqedonase i kanë ekzekutuar disa nga të dorëzuarit në Kumanovë, atëherë s’do mend se këtë shëmti do të duhej ta kualifikojmë si terrorizëm, sipas të gjitha normave e konventave, sepse vetëm terroristët vrasin pengjet dhe njerëzit e dorëzuar, e të lidhur me duar prapa.

Një shtet që nuk arriti ende ta kompletojë dinjitetin e vet karshi botës, që u bë aq qesharak me historinë e emrit të tij, ja që paska arrit të ruajë njëfarë trimërie trumcaku ndaj të dorëzuarve. Këta trumcakë të glacuar, që më 9 dhe 10 maj të këtij viti u munduan të nxjerrin njëfarë gjoksi të zaift para pengjeve të tyre, në fakt treguan se sa të mjerë janë në përpjekjet e tyre për ta mbuluar arrogancën me frikë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka dyshime se disa prej viktimave të Kumanovës janë vrarë pasi janë dorëzuar. KMDLNJ bazohet në dëshminë e dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në luftime dhe që kanë treguar se disa nga të vrarët kanë qenë gjallë në momentin e dorëzimit dhe janë shpallur të vrarë më pas.

Dyshimet i shtojnë edhe fotot e publikuara në media në të cilat mendohet se janë Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj në momentin e arrestimi nga Policia maqedonase.

E kemi ditur që nga viti 2001 se sa trima janë njerëzit me uniformë të shtetit maqedonas, por se paskemi ditur që janë aq qyqar e zuzar, sa të ekzekutojnë ata që nuk arritën të munden në një fushëbetejë burrash. Prandaj, këta që vranë burra duarlidhur, nuk meritojnë të quhen njësi speciale, as të mbajnë nofkën e ndonjë kafshe të rrezikshme, siç është tigri, bie fjala. Ata lirisht le të heqin dorë nga barra e të qenit njësi elite, sepse nuk shkojnë bashkë edhe etika profesionale edhe qyqarllëku. Në asnjë doktrinë ushtarake nuk shkruan se të dorëzuarit duhet të ekzekutohen, prandaj këta qyqana u bënë shkelës të një etike që s’e kishin zotëruar ende mirë.

Urdhri për të vra të dorëzuarit në Kumanovë, burimin e ka te hakmarrja dhe urrejtja, mirëpo asnjëherë nuk kanë fituar ata që kanë urrejtje të tepruar. Mirsadi dhe Begu, ndonëse u vranë pasi u dorëzuan, ata dëshmuan se paskan patur dhjetëfish epërsi ushtarake kundrejt ”tigrave” të trembur nga hija e burrave duarlidhur. S’paska më keq se në front të dërgosh gjoja njësi speciale që i mbushin pantallonat ende pa përfunduar beteja. Në Kumanovë njësitë e ashtuquajtura elite u bënë helaqë përballë një grupi të vogël djemsh shqiptarë. Vetëm ata që gabimisht e projektojnë armikun mund të përfundojnë në xhuxhë të mjerë që nisen trima e përfundojnë vrasës ordiner të pengjeve duarlidhur.

Share: