Disa prej tyre zotërojnë asete të paluajtshme që kalojnë shifrat e miliona eurove, ndërsa të tjerë kanë rritur ndjeshëm të ardhurat, kryesisht gjatë zgjedhjeve të 2013. Boldnews.al analizon çdo deklaratë pasurie të kryebashkiakve që kanë më shumë se 2 mandate si dhe veprimet financiare të dyshimta.
Nga Boldnews.al
Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit të 2015, rezultatet nxorrën fitues edhe kryebashkiakë të cilët rikandidonin për të disatën herë.
Më të spikaturit ishin Xhelal Mziu, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Elvis Roshi apo Gëzim Topçiu, ku ky i fundit kapërceu çdo parashikim duke u zgjedhur për mandatin e 5-të në krye të Bashkisë Maliq.
Të etiketuar si “veteranët” e pushtetit vendor, disa prej tyre kanë hyrë me pasuri marramendëse në politikë ndërsa të tjerë i kanë rritur ndjeshëm të ardhurat teksa ushtronin detyrën zyrtare.
Boldnews.al analizoi deklaratat e pasurisë së tyre vit pas viti të publikuara nga Spending Data, që nga marrja e mandatit të parë dhe deri në vitin 2014.
Sipas të dhënave disa kryebashkiakë kanë shfrytëzuar vitin elektoral 2013 si dhe vakumin institucional për zgjedhjen e kryetarit të ILDKPKI, për të deklaruar qindra miliona lekë të pajustifikuara.
Xhelal Mziu – Kryetari që fitoi mandatin e tretë për Bashkinë e Kamzës ka një apartament me sip. 92 m2, një makinë Mercedes Benz me vlerë 5 milion lekë (të vjetra), një makinë Peugeot si dhe pak të ardhura në bankat e nivelit të dytë që nuk e kalojnë shifrën e 3-4 milion lekëve (të vjetra).
Ndërkohë që prej vitit 2010, kryebashkiaku ka marrë një kredi prej 43 milion lekësh (të vjetra) dhe ende vijon të paguaj këstet.
Mziu mban gradën Profesor Doktor, të përfituar nga Universiteti Bujqësor në Kamëz. Ky titull shkencor ka sjell edhe rritje e të ardhurave për Mziun pasi deri vonë ka marrë pjesë në disa universitete si lektor.
Vangjush Dako – Është zgjedhur si kryetar i Bashkisë Durrës për herë të tretë.
Ai erdhi me një pasuri marramendëse, ku asetet e tij përfshijnë një pallat 11 katësh me vlerë 720 milion lekë (të vjetra), disa parcela toke në zona të ndryshme, një magazinë prej 300 m2 si dhe një apartament tjetër rreth 130 m2.
Gjithashtu zotëron një makinë Mercedes Benz me vlerë 25 mijë euro si dhe një makinë tip BMW me vlerë 7 milion lekë (të vjetra).
Kryebashkiaku i qyteti bregdetar nuk ka shumë të ardhura në llogaritë bankare, pasi interesi i tij kryesor janë pronat e paluajtshme.
Elvis Roshi – Ky është mandati i dytë për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Roshi zotëron një ambient (lokal) prej 300 m2 dhe një dyqan prej 120 m2, të përfituar nga ndërtimi i një pallati në tokën e blerë në vitin 2002 në Kavajë.
Po në këtë qytet, Roshi ka edhe një tjetër parcel toke prej 1300 m2.
Që në nisje të mandatit të parë, Roshi ka arkëtuar me një lëvizje të dyshimtë 30 milion lekë (të vjetra) në një bankë të nivelit të dytë, me pretendimin se janë të ardhura nga aktiviteti privat i babait të tij.
Gjithashtu në vitin 2010, kryebashkiaku ka blerë një makinë luksoze “Audi A3” në koncesionar me kredi, me vlerë 26 mijë euro. Këstet e kredisë janë paguar shpejt, duke u mbyllur si detyrim brenda 2014.
Qazim Sejdini – I zgjedhur për herën e tretë në krye të Elbasanit, Qazim Sejdini është një nga kryebashkiakët më të kamur.
Asetet e tij ndodhen në jug të vendit dhe kryesisht në Fier. Ai zotëron në këtë qytet një vilë me sipërfaqe 478 m2 dhe me vlerë 350 milion lekë (të vjetra), një banesë prej 120 m2 me vlerë 100 milion lekë (të vjetra), një magazinë prej 840 m2 me vlerë 250 milion lekë (të vjetra) si dhe dy zyra të mëdha me një vlerë totali prej 86 milion lekësh (të vjetra).
Në Vlorë ka një banesë 130 m2 me vlerë 63 milion lekë (të vjetra), dhe një tjetër me sipërfaqe 102 m2. Sejdini ka 3 makina në pronësi që shkojnë rreth 50 milion lekë (të vjetra).
Por përveç pronave, kryebashkiaku i Elbasanit ka edhe shumë borxhe pasi ka marrë nga bankat e nivelit të dytë rreth 270 milion lekë kredi.
Bashkëshortja e Sejdinit nëpërmjet “Ujori Sh.p.k”, një agjensi doganore në emër të saj, ka përfituar qindra miliona lekë që prej vitit 2004. (shkarko ekstraktin e kompanisë). Gjithashtu edhe fëmijët e kryebashkiakut Sejdini kanë arritur të punësohen në institucione shtetërore me paga relativisht të larta dhe të merren gjithashtu me aktivitete private.
Viti elektoral 2013, për familjen Sejdinin do të ishte i artë kjo dhe për shkak të një ngërçi institucional të Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Parurive. Në këtë vit, bashkëshortja e Sejdinit deklaron se ka fituar plot 200 milion lekë nga kompania “Ujori Sh.p.k” , ndërkohë që një vit më parë, në 2012, nuk i kalonte 4.7 milion lekë të ardhura (të vjetra).
Po në 2013, të ardhurat për fëmijët e kryebashkiakut u rritën në 31 milion lekë ndërsa u shtohen edhe një apartament në Vlorë me sipërfaqe 102 m2. Gjithashtu familjes Sejdini shtoi listën e aseteve edhe me një ndërtesë me sip. 831 m2 por nuk specifikohet vlera si dhe vendndodhja.
Në 2014, në familjen Sejdini hyn në lojë edhe dhëndri i cili merr një kredi prej 147 milion lekësh (të vjetra).
Fatos Tushe – Edhe pse me shkëputje, prej 3 mandatesh ai qëndron në krye të Bashkisë së Lushnjes.
Në qytetin ku ushtron funksionin, ai zotëron një vilë 2-katëshe me sip. 118 m2, gjithashtu ka në pronësi një lokal me një sip. prej 79 m2 si dhe një apartament banimi me sip. 70 m2.
Pasuritë e tij shtrihen edhe përtej Lushnjes. Tushe ka një apartament pushimi në Durrës me sip. 60 m2 si dhe 500 m2 tokë në Voskopojë.
Hije të forta dyshimi ngrihen për një veprim financiar të kryebashkiakut të Lushnjes. Sipas deklaratës së pasurisë, Tushe i ka dhënë borxh dy individëve rreth 70 mijë euro dhe prej tyre merr 7200 euro interesa çdo vit. Ai mendohet se e ka bërë këtë veprim për të përfituar një kredi prej 185 mijë eurosh nga një një bankë e nivelit të dytë.
Fredi Kokoneshi – Drejton Divjakën për herë të dytë. Në pasurinë e tij numërohet një vilë në Divjakë me sip. 300 m2, si dhe disa parcela toke kryesisht bujqësore.
Para të rezervuara në bankë apo Kesh ka rreth 22 milion lekë (të vjetra).
Bashkëshortja ka një aktivitet privat, një kantinë vere, ku të ardhurat kanë qënë çdo vit në rritje që pas vitit 2011, kohë kjo kur Kokoneshi morri detyrën zyrtare.
Fiqiri Ismaili – I konsideruar si “Pashai i Vorës”, ai drejton këtë qytezë në mandatin e katërt. Ka një pasuri tejet të madhe, kryesisht në asete të paluajtshme. Zotëron 5 parcela toke në Vorë me një vlerë rreth 103 milion lëkë , 3 parcela në Prezë me vlerë 125 milion lekë, një truall ndërtimi në Tiranë me vlerë 9 milion lekë (të vjetra) dhe një tokë në Lushnje me vlerë 36 milion lekë(të vjetra).
Por pasuria e Ismailit nuk ëshë vetëm kaq. Ai ka një ndërtesë 2-katësh në Vorë me sip.829 m2 me vlerë 760 milion lekë (të vjetra), zotëron gjithashtu 4 apartamente me sipërfaqe në mëdha në Tiranë, 1 dyqan me sip.170 m2 në Tiranë bashkë me një bodrum 120 m2.
Ndërkohë listës së pronave i shtohen edhe 2 apartamente në Kavajë si dhe një garazhd po në këtë qytet.
Edhe pse me pasuri tunduese, Ismaili ka një kredi prej 370 mijë dollarësh, të marrë në një nga bankat e nivelit të dytë.
Bashkëshortja e Ismailit është Administratorja e “AgroBlend Sh.p.k”, ku paga e saj e deklaruar ka pësuar një rritje të ndjeshme në vitin 2009.
Gëzim Topçiu – Ka thyer të gjitha rekordet politike duke u zgjedhur për të 5-tën herë në krye të Bashkisë së Maliqit. Megjithatë qëndrimi i tij kaq gjatë në një post vendor, nuk e ka bërë atë më të pasur.
Përveç pagës, Topçiu zotëron vetëm një autobus ku deri në vitin 2010 merrte prej tij disa të ardhura modeste. Në 2014, ai e shet autobusin për skrap ku përfiton 3 milion lekë (të vjetra).
Ndërkohë ka një apartament të marrë me kredi si dhe një tokë bujqësore.
Nesim Spahiu – Ky është mandati i dytë për të kryetarin e Bashkisë Çorovodë. Është pronar i një banese 80 m2 ndërkohë që i ka dhuruar djalit një apartament 101 m2.
Vetë kryebashkiaku ka një makinë Mercedes Benz, ndërsa djali i tij zotëron 2 makina, një Mercedes Benz dhe një BMW.
Në 2014-tën regjistrohet një rritje e të të ardhurave të bashkëshortes së Spahiut. Sipas deklaratës së pasurisë, ajo është e punësuar në dy pozicione të administratës shtetërore.