Në 23 mars shoqëria e përmbarimore EPSA zhvillon ankandin e dytë për shitjen e pjesshme të rafinerisë ARMO. Përmbarimoret po e zhvillojnë ankandin për llogari të Bankës Raiffeisen ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh ose 20 milionë eurosh.
Ankandi i parë i parë zhvillua me 19 shkurt dhe pavarësisht se publiciteti i ishte i mjaftueshëm për rastin nuk u paraqit asnjë i interesuar. Burimet nga Shoqëria përmbarimore pohojnë se bazuar në ligjin për ankandin publik, sendi i lënë kolateral në ankandin e dytë del në shitje me gjysmë çmimi.
Kështu nga 2.8 miliardë euro pjesët e uzinës (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë), do të dalin në shitje për 1.4 miliardë lekë ose 10 milionë euro.
Përveç Raiffeisen Bank edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.
Në 3 mars, Zyra Përmbarimore Private “TDR Group” i është drejtuar QKR-së, ku, me kërkesë të kreditorit Banka e Tiranës, ka urdhëruar: Vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga debitori shoqëria “ A.R.M.O” dhe dorëzanësve të tij, “Anica Mercuria Refinery Associated” dhe kompanisë tjetër “Deveron Oil Albania”. Bllokimi është bërë për shkak të mosshlyerjes së një kontrate kredie të lidhur në vitin 2010 dhe me shtojcë në vitin 2011. Urdhri i sekuestros nuk e thotë shumën, por në bilancin e kompanisë për vitin 2013, huaja ndaj Tirana bank është rreth 2.8 milionë euro. Ndërsa Deveron Advisor Corp zotëron shoqërinë Oil Albania dhe konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013 dhe prej shkurtit të 2014 operon në rafinerinë e Ballshit.
Në fund të shkurtit edhe kompania shtetërore e naftës Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Burimet pranë kompanisë Albpetrol bëjnë me dije se vendimi është dhënë për ekzekutim të menjëhershëm dhe është krijuar si i tillë nga mospagesa e faturave për naftën e papërpunuar nga ARMO.
ARMO një histori plot më dështime
ARMO, rafineria e naftës është kreditori më i madh i vetëm në listën e 35 kreditorëve të mëdhenj që kanë rreth 65% të totalit të huasë në vend.
Prej kohësh ARMO ndërkohë është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është efecientë, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Punonjësit e ARMO kanë protestuar vazhdimisht për mosshlyerjen e pagave mujore dhe disa prej tyre kanë kërkuar marrjen e parave përmes përmbarimit. Lista e sekuestrove në QKR për ARMO-n është pa fund.
Sipas bilancit të vitit 2013 (bilanci i 2014-s nuk është dorëzuar ende në QKR), pjesa më e madhe e borxhit të ARMO është ndaj bankës FBME dhe palëve të treta, në total rreth 140 milionë euro. Ndaj bankave në Shqipëri, ARMO ka kredi prej rreth 37 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Raiffeisen dhe Credins, përkatësisht rreth 20 dhe 15.6 milionë euro, gjithnjë sipas të dhënave të bilancit 2013.
Shuma që ARMO i ka borxh bankave në Shqipëri është sa 6% e totalit të huasë së keqe që 35 kreditorët më të mëdhenj të këqinj kanë ndaj sistemit bankar. (janë 35 kompani që kanë rreth 60% të totalit të huasë së keqe në vend, me shumën që ata u kanë borxh bankave, që arrin në rreth 600 milionë euro).
Gati një vit më parë, një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardhte planin se si do të falimentohet dhe pas do të shtetëzohet ARMO, e cila kishte në total 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.
Muajt e fundit një kompani zvicerane dhe më pas një amerikane shfaqën interes për ARMO, duke parë me leverdi përpunimin e bitumit, por mali me borxhe i ARMO-s ka stepur investitorët, ndërsa azerët e Heany Assets Corporation, që kanë 85% të aksioneve pothuajse e kanë braktisur ARMO.
Ne gusht të 2013 Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënese e dy rafinerive, si pronare e tyre. /Monitor