Home KRYESORE Basha Ramës: Let my people go!

Basha Ramës: Let my people go!

Nga Dritan Shano

Lulzim Basha përmbylli dje një tur takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendit që i ka qëndruar Shqipërisë më pranë se kushdo tjetër në këto 25 vjet tranzicion. Vendit, mbështetja e të cilit ndjehet në çdo centimetër progres të bërë nga vitet 1990 e tëhu, njësoj si një shekull më parë kur ngjizej Shqipëria.

Këto takime u kërkuan prej tij, dhe u zhvilluan në një kohë kur vëmendja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë pranverë të 2016-ës përpihet nga krizat globale, dhe kur situata politike në vend me primaret për zgjedhjen e Presidentit pas pak muajsh, është inkandeshente si kurrë ndonjëherë.

E megjithatë, Lulzim Basha, u mirëprit dhe bisedoi me anëtare të Kongresit, me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe me institucione, aktore, e grupime të rëndësishme që ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri. Ai nuk shkoi atje as si President as si Kryeministër. As për të marrë falenderime pse do presë mijëra muxhahedine. Ai shkoi në SHBA thjesht si Lideri i Opozitës së një vendi mikroskopik me 2.8 milionë banorë, te cilët kanë humbur besimin tek qeverisja dhe shpresën tek e ardhmja.

Lulzim Basha shkoi në SHBA për të kërkuar mbështetje që ne Shqiptarët t’i japim fund tranzicionit. Ai i dorëzoi përfaqësuesve politikë, legjislativë dhe zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës besimin dhe vullnetin e vet politik. Besimin e tij për një politike të dekriminalizuar. Për reforme të thellë që garanton drejtësi për shqiptarët dhe jo që modifikon pushtetin e personalizuar mbi drejtësinë. Dhe më të fortë se për gjithshka tjetër, për zgjedhje të lira e të ndershme. Garantimi i të cilave është kushti i vetëm që do shënonte fundin e këtij tranzicioni të përhershëm të Shqipërisë. Dhe hyrjen e saj tek vendet normale. Në këmbim të propozimit dhe vizionit të tij të thjeshtë e të qartë, ka marrë prej tyre inkurajimin dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë. Personale dhe politike. Pa asnjë ekuivok.

Në kontrast të plotë me mesazhet e vizitës së Bashës në SHBA, kryeministri Rama çimentoi veten e tij në krye të Partisë Socialiste duke eliminuar, përfundimisht dhe formalisht, garën për kryetar të saj. Me ndryshime statutore të votuara nga 99 përqind e delegateve të Kongresit të Partisë Socialiste mbajtur në Tiranë. Asambleja e Partisë Socialiste sot është tërësisht e kontrolluar nga oligarkia kriminale. Ndërsa në PS debati më shumë mediatik se real mund të jetë i fundit që përjetojmë, tek LSI këto as që diskutohen dhe nuk përbëjnë madje as lajm.

Rama dhe Meta janë formati tipik lidershipit politik të këtyre 25 vjet tranzicion të Shqipërise drejt ekonomisë së tregut sundimit të ligjit dhe demokracisë funksionale. Kjo është evidente për çdo shqiptar, dhe për çdo partner tonin. Teatri epik, sherret, baltahedhja, gojëprishja, acarimi, populizmi, dhe besimi se ai është Mesia, se çdo gjë që bën ai është historike, janë karakteristikat e çdonjerit lider politik të këtij tranzicioni shqiptar. Në vend të krijimit të një lëvizjeje lineare, ky lloj lidershipi i tranzicionit ka krijuar një lëvizje cirkulare, ku qeverisja më shumë se kujdes për shqiptarët është thjesht një proçes gjakmarrje mes paleve politike. Largimi nga politika përmes garantimit të zgjedhjeve të lira të Edi Ramës dhe Ilir Metës, si të fundmit e këtij lloj lidershipi, çliron Shqipërinë nga kurthi i tranzicionit.

Nga ana tjetër Lulzim Basha edhe pse nuk përton të përveshë mëngët kur lypet, nuk e preferon kulturën e konfliktit në politikë. Përkundrazi, krejt ndryshe nga Rama dhe Meta, ai preferon bashkëbisedimin e ndershëm e të drejtë. Pa ndërmjetësinë e ngjalave. Ai nuk e sheh krahun tjetër politik si armik, por si kundërshtar. Ndërkaq preferon arsyetimin dhe jo retorikën politike, kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit dhe hallet e tyre, dhe jo manipulimin dhe nxitjen e konfliktit mes shqiptarëve. Jo rrallë, ky lloj lidershipi që nuk ngjan me asgjë të këtyre 25 vjeteve shkakton nervozizëm edhe brenda rradhëve të vetë Partisë Demokratike. Kjo gjë, përveçse ushqen me sms-live titujt e gazetave, nuk e trondit projektin e Bashës për demokracinë e re.

Të gjithë këto faktorë nuk kanë penguar Lulzim Bashën as në këto 10 ditët e fundit të rikonfirmojë kauzën e dekriminalizimit, dhe të sigurojë mbështetjen amerikane ndaj kauzës së tij për zgjedhje të lira e të ndershme. Lançimi i projektit për të organizuar primaret për kandidatet për deputet me politikanet e brezit të ri është jo vetëm shkëputja e brezit të ri nga kultura e vjetër e kulisave dhe favoreve personale por edhe dallim i qartë i Lulzim dritan shano1Bashës me lidershipin e tranzicionit. Beteja e tij është jo konfirmimi i vetvetes, por çlirimi i shqiptarëve nga kurthi i tranzicionit, ku Edi Rama do t’i mbajë ata me çdo kusht. Mesazhi që Lulzim Basha po i sjell atij nga Amerika është: Edi Rama Let my people go!

Share: