Home KRYESORE ÇKA PO NDODHË NË RDK E MAQEDONISE?

ÇKA PO NDODHË NË RDK E MAQEDONISE?

Nga Emin Azemi

Zhvillimet brenda RDK-së , janë një lajm i keq për demokracinë tonë të brishtë, kurse lajm i mirë për ata që përmes përçarjeve brendashqiptare shpresojnë të ripozicionohen në terrenin e vështirë të politikës. Nuk do të doja që ky ”lajmi i mirë” të jetë edhe lajtmotiv i të ardhmes sonë, sepse një film të tillë në të kaluarën veç e kemi pa. Parasegjithash, do të doja të ndodhë refuzimi i brendshëm nga kjo parti ndaj gjithë atyre tendencave që përmes përçarjeve duan të copëzojnë edhe më tej trungun tonë politik.

Nga ajo që mund të vërejmë nga jashtë, i vie era puç, diversion dhe kjo gjithsesi po ndodhë në kohën kur fuqia politike shqiptare ka nevojë për një centrifugim energjish e kapacitetesh si dhe për një kthesë në ridefinimin e kodit të doktrinës politike shqiptare kundrejt faktorit politik maqedonas.

Nuk më duket normale sjellja e disa ish eksponentëve të kësaj partie, përfshi edhe Rufi Osmanin, të cilët në vend të qetësisë, po sjellin më tepër kaos, në vend të mobilizimit po sjellin dezorientim. Është për të ardhur keq se si themeluesit e kësaj partie më tepër brengosen për mirëqenien e ndonjë subejkti tjetër politike dhe shumë më pak për konsolidimin e asaj që ata e konsiderojnë trashëgimi politike. Kjo nuk ndodhë askund, përpos në disa shoqëri kaotike ku sistemin e vlerave e zëvendësojnë taktikat ditore të inateve e teknefesllëqeve parapolitike.

Druaj që këto përplasje brendapartiake në RDK të promovojnë njëfarë ”metode pune” në skenën tonë politike, duke i bërë reformat e brendshme jo nga interesi dhe aspiratat e anëtarësisë partiake, por nga nevoja e ngutshme e ustallarëve misterioz të cilët përmes inxhinjeringut të dhunshëm politik të rivendosin një baraspeshë të atillë politike e cila në të ardhmen do t’i margjinalizonte shqiptarët në kuota të papërfillshme të vendimarrjes institucionale.

RDK është një subjekt serioz politik dhe besoj që kreu i saj do të dijë të gjejë, në njërën anë, rrugën e duhur për t’iu shmangur kurthave të pamëshirshme të ”ustallarëve misteriozë” dhe të evitoj konfrontimin me anëtarësinë vet, në anën tjetër.

Një listë e përbashkët e bllokut opozitar shqiptar, do ta shpëtonte moralin e zbehur të gjithë atyre që kanë humbur shpresat për një veprim të bashkërenduar, e që do të ishte konkurrencë e denjë e pushtetit aktual, por në asnjë mënyrë ndonjë alkimi parapoltike e ndonjë subjekti politik që trurin e ka te ”këshilli opozitar”, kurse trupin te anëtarësia partiake.

I takon RDK -së dhe aleatit të saj LR-PDSH të bëjë hapin e duhur, duke ftuar të gjitha subjektet opozitare shqiptare në një tryezë bashkërendimi (pa veçuar ndënjërën prej tyre, siç veproi Rufi Osmani) për të gjitha çështjet që konsiderohen jetike në këtë prag fushatë zgjedhore, por me një motiv pune shumë të qartë: përpilimi i listës së përbashkët opozitare si dhe prioritetet taktike e strategjike para dhe pas zgjedhjeve.

Share: