Home KRYESORE KAUZA E MADHE E PARTIVE TË VOGLA

KAUZA E MADHE E PARTIVE TË VOGLA

Nga Gaqo APOSTOLI

Trumpetat e politikës për Reformën në Drejtësi janë bashkuar me këmbanat për Reformën Zgjedhore dhe, kohët e fundit, edhe me një Alarm Elektoral për Zgjedhje të Parakohshme. Ende nuk dihet nëse është një Alarm i vërtetë apo Alarm fals. Në fakt, opozita ka kohë që i kërkon zgjedhjet e parakohshme të paraprira me krijimin e një Qeveri Teknike dhe, kohët e fundit, e ka trajtuar këtë çështje edhe në takimet me zyrtarë në Departamentin e Shtetit. Para pak kohe u zhvilluanjë takim i komisionit tradicional të partive parlamentare për Reformën Zgjedhore, me synim kryesor ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, maxhoranca ka kërcënuar në mënyrë ultimative se do të shpallë zgjedhje të parakohshme në rast se opozita nuk voton Reformën në Drejtësi. Por, sido që t`i komentosh këto çështje të rëndësishme, Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore dhe Zgjedhjet e Parakohshme, mund të konsiderohet se këto zgjedhje janë në prag, për vetë faktin se koha në politikë shkon me revan dhe Reforma Zgjedhore paraqitet tepër e vonuar.

1. Nuk ka kohë për zgjedhje të parakohshme

partite e vooglaAjo që dihet me siguri, është se koha kushtetuese limit e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme do të jetë brenda muajit Korrik 2017. Pra, këto zgjedhje ndodhen realisht në prag të mbajtjes së tyre, që do të thotë se mesazhet e deklaratave dhe kërcënimeve për zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se nga cili krah politik vijnë, nënkuptojnë zhvillimin e tyre në një kohë që nuk do të mundësojë realizimin e Reformës Zgjedhore. Në një situatë të tillë, ekziston rreziku që Shoqëria Shqiptare të detyrohet të futet në zgjedhje me Kodin Zgjedhor të sotëm, apo vetëm me ndonjë ndryshim të përciptë. Pa ndryshime të qënësishme e thelbësore që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor për të eleminuar sistemin zgjedhor defektoz të tij, i cili përshkohet tej e tej nga një linjë e dukshme e pabarazive dhe padrejtësive të mëdha, produkti paszgjedhor i tij do të ishte sërish Pluralizmi Autokratik. Ky lloj pluralizmi që ka mbi një çerek shekulli që përjeton Shqipëria dhe shqiptarët, si edhe deri më sot, nuk do të garantojë kurrsesi Drejtësi, Paqe, dhe Zhvillim të qëndrueshëm e demokratik të vendit, por do ta mbajë Shqipërinë edhe për shumë vite të mbërthyer në rrethin vicioz të tranzicionit të pafund, nën një regjim apo sundim despotik, që prodhon vazhdimisht konflikt politik dhe stanjacion ekonomik e social. Si rrjedhojë, ata që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, pa ndryshime thelbësore në Kodin e sotëm Zgjedhor, kërkojnë të mbajnë peng e të vazhdojnë të shkatërrojnë më tej shoqërinë shqiptare.

2. Kodi Zgjedhor mbart antikushtetueshmëri, padrejtësi e pabarazi

partite e voglaKauza e Madhe rreth së cilës është bashkuar një forum politik i 46 partive të ashtuquajtura të vogla, janë Zgjedhjet e Lira, të Barabarta dhe të Ndershme, përmes një Reforme Zgjedhore që do të revolucionarizojë procesin zgjedhor. Ky Forum Politik për një Reformë Zgjedhore të tillë (për efekt të këtij artikulli mund të simbolizohet në mënyrë konvencionale FPRZ), po zhvillon në takime të njëpasnjëshme periodike të tij çështjet kryesore të kësaj kauze, realizimi i së cilës është e një karakteri vital për vendin. Por a mund të krijojnë një pol politik solid partitë e vogla të mbledhura për çështjet madhore të Reformës Zgjedhore. Nga pikpamja ideologjike këto parti artikulojnë ide dhe filozofi të ndryshme politike, sociale dhe ekonomike, përpiqen të ndjekin drejtime moderne apo edhe tradicionale, por kauza që i bashkon çdo ditë në në këtë forum politik është sot kauza e tërë shoqërisë shqiptare, të cilën ky forum synon ta drejtojë. Në lidershipin dhe përbërjen e të gjitha partive të vogla ka kapacitete të spikatura intelektuale, profesionale dhe politike, të cilat, duke krijuar një kohezion dhe sinergji të brendëshme organizative dhe politike në rrugën e kauzës themelore që i bashkon, mund të bëjnë që ky forum të transformohet në një pol të rëndësishëm politik për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat do të shënonin fundin e këtij tranziconi të dhimbshëm që vazhdon të përjetojë shoqëria shqiptare. Kjo është dhe kauza e madhe e këtij forumi të partive të vogla, të cilave u jepet ky shans historik edhe për faktin se, një Pol politik solid i krijuar prej tyre, do të gëzonte besueshmëri pë realizimin e kësaj reforme zgjedhore.Një besueshmëri të tillë nuk mund ta kenë asnjë nga forcat e mëdha politike në qeverisje dhe në opozitë së bashku, të cilat janë të vetmet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rrënimin e vazhdueshëm të proceseve zgjedhore, që hap pas hapi kanë deformuar dhe kriminalizuar Parlamentin dhe parlamentarizmin në Shqipëri.

Nga një analizë të problemeve që mbartin Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore, rezulton se Reforma Zgjedhore është një komponente jetike e Reformës në Drejtësi, ndaj për efekt të kohës kur ato po trajtohen, të dyja mund dhe duhet të konsiderohen si pjesë e së tërës, për faktin se ndryshimet në to përmbajnë elementë kushtetues, pavarësisht se kanë përmbajtje specike dhe teknika të veçanta legjislative. Në takimet e tij, partitë e vogla të këtij Forumi Politik konstatojnë se padrejtësia dhe pabarazia që mbart Kodi i sotëm Zgjedhor shfaqet në mënyrë të hapur antikushtetuese në tërësinë e tij. Tërë piramida organizative dhe përbërja e anëtarësisë së komisioneve zgjedhore është partiake dhe u përket të ashtuquajturave parti të mëdha, si dhe një apo dy partive të tjera, si rregull, aleate të tyre. Kjo antikushtetueshmëri shfaqet edhe në hordhitë banditeske të anëtarëve të panumurt të grupeve politike të numurimit të votave, si edhe të vëzhguesve të të zhvillimit të procesit zgjedhor dhe numurimit, anëtarë të të njëjtave formacione politike. Pabarazia dhe padrejtësia e një sistemi zgjedhor të tillë vazhdon më tej me vështirësitë e papërballueshme në procesin e të drejtës për ankimim ndaj procesit në të gjitha fazat e tij dhe, sidomos, për rinumurim të votave, ku vota popullore e deformuar nga vetë sistemi zgjedhor, vazhdon të shitet, të blihet e të vidhet më tej në Tregun e Zi Elektoral, nga sisteme të organizimit të këtij tregu prej vetë partive kryesore të babëzitura për vota dhe për pushtet qeverisës me çdo kusht. Pabarazia dhe padrejtësia në financimin e partive nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore dhe diferencat e mëdha në hapësirën kohore që jepet për paraqitjen televizive të veprimtarive të partive politike dhe të liderëve të tyre, janë tepër të dukshme dhe thuajse vrastare. Është e dukshme, gjithashtu, mungesa e demokracisë në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, si brenda vetë forcave politike, ashtu dhe në listat e mbyllura të kandidatëve që i paraqiten elektoratit, i cili nuk ka mundësi që të zgjedhë drejtpërdrejt përfaqësuesit e tij brenda listës së partisë së preferuar.

3. Domosdoshmëria e një revolucioni demokratik në procesin zgjedhor

partite e vogla bashkeNë mënyrë që të eleminohet antikushtetueshmëria, padrejtësia dhe pabarazia e tejskajshme që mbart Kodi Zgjedhor i derisotëm, duhet të ndërmerren domosdoshmërisht disa hapa të rëndësishme legjislative dhe kushtetuese. Kështu, Sistemi Proporcional Rajonal, përmes rregullave dhe formulave që ai aplikon, krijon barriera për shumicën e partive politike pjesëmarrëse, duke grabitur votat e tyre në zonat zgjedhore të rajoneve të vecanta të vendit në favor të partive të tjera, duke dëmtuar realisht karakterin e barabartë të zgjedhjeve që duhet të garantojë sistemi, në shkelje të hapur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e të parimeve themelore të kushtetutës. Veç kësaj, sistemi zgjedhor i sotëm pengon zhvillimin e mëtejshëm të pluralizmit politik, për të cilin, Shqipëria, si një vend me tradita qeverisëse të theksuara despotike e totalitare, me një demokraci të brishtë dhe jo funksionale, ka ende nevojë jetike për ta mbrojtur vetveten nga abuzimi dhe sundimi qeverisës autokratik, që sistemi ekzistues zgjedhor stimulon.

Në këtë kontekst, sistemi proporcional rajonal ekzistues, që të mbartë në vetvete barazi, duhet të korrigjohet në mënyrë që rezultati zgjedhor të shoqërohet me korrektimin kombëtar të votave të partive, ku barriera elektorale të lejojë që partia të përfaqësohet në parlament, kur ajo, në funksion të votave të marra në nivel kombëtar, fiton minimalisht edhe një deputet të vetëm. Për rrjedhojë, në këtë rast do të duhej, që krahas listës së kandidatëve rajonalë, partitë do të duhej të dorëzonin edhe një listë me kandidatë në nivel kombëtar. Për të rritur nivelin e demokracisë në përgatitjen e listave të kandidatëve për deputetë, si listat rajonale në nivel qarku, ashtu edhe listat në nivel kombëtar të partive duhet të jenë të hapura, që do të thotë se votuesi në çdo qëndër votimi ka të drejtë të ndërhyjë në renditjen e listës së partisë që preferon, pavarësisht nga renditja që është përcaktuar në listë nga organet drejtuese të partisë, duke zgjedhur sipas preferencës së tij një numur të caktuar kandidatësh, siç do të përcaktohet në Kodin e ri zgjedhor. Në fund të procesit të numurimit të votave, bëhet renditja e re në listën e kandidatëve sipas votave të fituar dhe shpallen fituesit.

Pra, fituesit i shpall populli që voton, ndërsa partitë vetëm propozojnë. Në këtë rast, që demokracia e këtij procesi të zgjerohej më tej, do të rekomandohej, që zgjedhja e kandidatëve nga partitë të bëhej përmes konkurimit me dosje personale dhe me ballafaqim të tyre përpara forumeve apo komisioneve speciale të partive, të hapura për publikun. Rezultati i konkurentëve fitues t`i bashkëngjitej dokumentave të tij për regjistrim në Komisionin Qëndror të zgjedhjeve. Kjo do të eleminonte zgjedhjet subjektive të kandidatëve për deputetë nisur nga preferencat personale të kryetarëve, siç ka ndodhur deri më sot, duke eleminuar mediokritetin arsimor, profesional dhe deri kriminalizimin e parlamentit shqiptar që në zanafillën e procesit zgjedhor të tyre. Pra, sistemi dhe procesi zgjedhor i derisotëm, nuk kërkon thjesht korrektim në një sërë hapash, por kërkon një revolucion demokratik të procesit zgjedhor të derisotëm.

4. Administrata jopartiake organizon zgjedhjet dhe numuron votat, partitë politike vëzhgojnë dhe ankimojnë procesin

Një reformë totale për demokratizmin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe vendosjen e tij tërësisht mbi baza kushtetuese, që nga organizimi i zgjedhjeve dhe deri tek rezultati i tyre, do të kërkonte padyshim ndërtimin e një administrate zgjedhore jopartiake dhe jo qeveritare në të gjitha nivelet e saj, duke filluar që nga ndryshimi i metodologjisë së zgjedhjeve të anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ), të përcaktimit të anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe të Komisioneve të Qëndrave të Votimit. Këta komisionerë të të gjitha niveleve të administratës zgjedhore, duhet të zgjidhen vetëm mbi bazën e kritereve arsimore, profesionale dhe morale dhe jo mbi kritere të përkatësisë partiake. Mbi të njëjtat kritere duhet të zgjidhen edhe anëtarët e Grupeve të Numurimit të Votave (GNV), të cilët janë pjesë tepër e rëndësishme e administratës zgjedhore.

Këto ndryshime fondamentale në procesin e organizimit të zgjedhjeve dhe të numurimit të votave, jo vetëm do të demokratizonte procesin zgjedhor, duke e bërë atë të paanshëm, të drejtë e të barabartë ndërmjet subjekteve zgjedhore, përmes krijimit të një administrate zgjedhore neutrale, por do të eleminonte edhe pabarazinë që shfaqet dukshëm në financimin nga buxheti i shtetit mbi 40 mijë komisionerëve e numuruesve partiakë të partive të mëdha, që përvec disa milion eurove pabarazi financiare, e përkthyer në vota, do të thotë që partitë e mëdha parlamentare e fillojnë afërsisht edhe me mbi 140 mijë vota avancë garën elektorale. Kjo përbën një korrupsion financiar – elektoral, që në start të procesit zgjedhor.

Në këtë mënyrë, Administrata Zgjedhore jo partiake organizon tërë procesin zgjedhor deri në përfundimin e numurimit të votave të partive, ndërsa partitë politike e shprehin interesimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit dhe rezultatin e tyre zgjedhor. Ato vëzhgojnë dhe monitorojnë këtë proces gjatë tërë kohës dhe në të gjitha dimensionet e tij, duke vendosur vëzhgues pranë tërë komisioneve zgjedhore si KQZ, KZAZ dhe KQV për të ndjekur veprimtarinë e tyre në tërë procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të procesit zgjedhor, si edhe në finalen e tij, në procesin e numurimit të votave nga Grupet e Numurimit të Votave, deri në llogaritjen e rezultateve përfundimtare.

Partitë politike gjatë këtij procesi organizimi, votimi dhe numurimi kanë të drejtën e ankimimit për veprimtarinë e Admistratës Zgjedhore në nivele të ndryshme, pranë KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, sipas procedurave të përcaktuara në Kod, duke kërkuar në mënyrë të argumentuar deri në hapjen e një apo disa kutive të votimit, apo të të gjitha kutive të Zonës Zgjedhore, për të cilat ato kërkojnë rregullsinë e procesit zgjedhor dhe deri në rinumurimin e votave. E drejta e rinumurimit të votave nuk mund të kufizohet në asnjë rast, veçse jo më shumë se njëherë për çdo Qëndër Votimi dhe për çdo Zonë Zgjedhore.

5. Cështje të fundit të një rëndësie vecantë

• Besueshmëria e rezultateve kërkon instalimin e sistemit të numurimit elektronik

Domosdoshmëria e instalimit dhe përdorimit të paisjeve dhe një sistemi automatik dhe elektronik në procesin e numurimit të votave, kërkon një përparësi dhe përgatitjet për relizimin e një projekti pilot duhet të jenë të menjëhershme, sepse një dështim tjetër në këtë drejtim do të ishte fatal dhe do të zhdukej një element krucial i besimit në zgjedhjet parlamentare që, gjithsesi, janë në prag.

Proces i drejtë në financimin e partive

Fondi për financimin e partive duhet të përmbajë në thelb një proces të drejtë financimi nga buxheti i shtetit, i mjaftueshëm për cdo parti, i mjaftueshëm në kuptimin që ato të parshikojnë në mënyrë objektive një fond real në raport me rezultatin e pritshëm zgjedhor dhe, në tërësinë e tij, ai nuk duhet të kapërcejë fondin e deritanishëm të financimi të partive në fushatat e fundit zgjedhore.

Proces i drejtë në ndarjen e kohës në televizionet kombëtare

Ndarja e kohës për veprimtarinë dhe propagandën elektorale të partive politike dhe pasqurimin e tyre në median elektronike kombëtare duhet të jetë e barabartë në kohë dhe të mbartë drejtësi në tërësinë e saj. Financimi i paqsqyrimit të aktiviteteve në televizionet kombëtare të financohet nga shteti. Në tërësinë e tij, financimi i partive politike në fushatën zgjedhore duhet të përballohet nga shteti, si në rastin e organizimit të veprimtarive të tyre apo të pasqyrimit të tyre në median publike kombëtare. Ky financim duhet të jetë objekt deklarimi dhe auditimi nga organet kompetente të financave publike dhe auditit financiar të autorizuar.

Regjistrimi i koalicioneve zgjedhore të partive

Procesi i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore të partive duhet të demokratizohet, duke u kryer pranë KQZ, mbi bazën e vullnetit të lirë të cdo partie që kërkon të marrë pjesë në koalicionin që preferon, pa u penguar në asnjë rast nga vullneti negativ i ndonjë partie. Ky vullnet buron natyrshëm nga fakti se asnjë pjesë e elektoratit, apo e spektrit politik nuk është pronë private e asnjë partie, apo lideri politik, por është pjesë e së tërës, që është shoqëria dhe elektorati shqiptar.

Pjesëmarrja në zgjedhje e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë

Cështja e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor të shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, është çështje e rëndësishme që përbën një detyrim madhor për politikën , rrit standartet e barazisë dhe drejtësisë së procesit zgjedhor në Shqipëri, duke emancipuar në tërësi vetë politikën, institucionet e tjera të vëndit dhe tërë shoqërinë shqiptare.

Share: