Home KRYESORE Koha kur barbaria dhe babëzia i kanë zënë vendin arsyes

Koha kur barbaria dhe babëzia i kanë zënë vendin arsyes

Nga Mentor Kikia

Arsyeja nuk funksionon më. Njerëzimi është zhytur në një konflikt, që në thelb ka fenë, por që është ngjizur nga përplasjet e mëdha për interesa ekonomike dhe ambicja për të sunduar botën. Në vendet e pasura të popujve të varfër të Afrikës, njerëzve u jepen armë e bomba e u thuhet të luftojnë gjysma kundër gjysmës, sepse “ata” kanë sharë zotat e “këtyre”.

Ndërsa ata që u japin armët thithin naftën dhe gërryejnë minierat. Në Lindjen e Mesme, paqja ka marrë fund qëkur njerëzit mesuan të shpojnë nëntokë për të ngjerr prej saj energjinë e industrializimit të botës. Aty u mbrumën ekstremizmat, dhuna fetare, terrozimi… dhe sot njerëzimi po përjeton një kacafytje, që është më e rëndë, më e egër, më e ndyrë, më e pabesë dhe më makabër se çdo luftë me të cilën është përballur deri tani.

Ata që sot përpiqen të luftojnë monstra njerëzore si ISIS, toleruan, mbështetën dhe bënë tregti me një palo udhëheqës si Bashar Al Assad, që i ka vënë flakën vendit të tij dhe ka përzënë si kope tërë popullin e tij.

Dhe sot një tufë injorantësh, ca si shumë, janë bërë bashkë dhe luftojnë për Kalifatin. Krimi po njeh forma që i kishte lënë pas prej të paktën 500 vjetësh. Një tufë injorantësh mbushin trupin me eksploziv dhe, duke bërtitur “Allahu Akbar”, vrasin veten mes njerëzve, duke shkaktuar viktima mes atyre që nuk ka asnjë faj për këtë botë mizerje që është krijuar rreth nesh.

Duket se njerëzimi është në një rrokullisje të pandalshme…

Share: