Home I pakategorizuar Kulti i dhunës, rilindësit dhe shteti

Kulti i dhunës, rilindësit dhe shteti

Nga Fatos Lubonja

Në një nga intervistat  e tij, që janë të njohura për thellësinë dhe mprehtësinë e argumenteve, gazetari italian  Enzo Biaggi e pyeti politikanin Pietro Nenni se cili është gabimi më i madh që bëjnë të rinjtë. Nenni, tashmë senator në moshë të vjetër, iu përgjigj: “është një gabim që e kemi bërë të gjithë kur kemi qenë të rinj: mendojnë se historia fillon me ta.”

Në vazhdën e intervistës Nenni jep tre këshilla për evitimin e këtij gabimi: së pari, njohjen e historisë dhe traditës; së dyti, distancimin nga kulti i dhunës dhe, së treti, pikërisht si alternativë ndaj dhunës si mjet politik, përpjekjen për transformimin e shoqërisë nëpërmjet aksionesh kolektive, që i bëjmë sëbashku me njerëzit.

Kuptohet se Nenni ka parasysh kryesisht historinë e Italisë, veçanërisht të fashizmit, por edhe të komunizmit, që në emër të fillimit nga e para të historisë, legjitimuan edhe përdorimin e dhunës si mjeti më efikas për ta arritur sa më shpejt qëllimin dhe që, në vend se t’i bënin gjërat sëbashku me njerëzit, i përdorën ata thjesht si objekte jo si subjekte. Por historia tregon se fenomeni shkon shumë më thellë në kohë se shekulli XX dhe arrin, i veshur me petka te tjera, deri në ditët tona .

***

Këto mendime të Nennit m’u rikujtuan duke parë një rritje dramatike të përdorimit të dhunës si mjet politik kohët e fundit që e dëshmoi javën që shkoi  dhuna e ushtruar në Elbasan ndaj Ben Blushit nga militantët e PS dhe ajo kundër të rinjve protestues në Parkut tashmë historik të Liqenit. Të dyja: e para dhunë brenda strukturave të partisë ndaj një zëri kritik ndaj udhëheqësit të partisë dhe tjetra dhunë policore ndaj protestuesve që protestojnë kundër veprimeve të këtij udhëheqësi si qeveritar nuk i shoh pa lidhje me njëra tjetrën, përkundrazi si pasqyrë të njëra tjetrës.

***

Në fakt historia e Shqipërisë është dramatikisht e mbushur me gabimet e mendjeve të ekzaltuara dhe të papjekura politikisht, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj atyre që i pengonin në rrugën e tyre. E tregon këtë jo vetëm përvoja e komunizmit, por edhe përvoja e këtyre 25 vjetëve.  Gjithsesi më duket se me Edi Ramën dhe pretendimin e tij për rilindje po përjetojmë një kulm të ri të këtij fenomeni. Sepse tek Rama dhe rilindësit e tij që pretendojnë një fillim të ri (sa për asosacion po i ve në dukje lexuesit se emri “Ba’ath” i partisë së Sadam Huseinit në arabisht ka kuptimin “rilindje”) gjen të shprehura në formën më të spikatur injorimin e të tre këshillave të Pietro Nenni-t. Gjen, së pari, mospërfilljen e historisë dhe të traditës. Nuk ka kryeqytet në botën që të ketë ndryshuar arkitekturën dhe urbanistikën e qendrës ashtu siç e ka ndryshuar Tirana, ku kushdo që ka ardhur në pushtet ka synuar të fshijë simbolet e paraardhësve në emër të fillimit të historisë me të, por Edi Rama do të mbahet mend si kryevandali i kësaj masakre mbi Tiranën, çka po e vazhdon tani edhe si Kryeministër, edhe tek Parku. Së dyti, gjen kultin e dhunës, që fillon nga ajo verbale mediatike e vazhdon me atë policore, që synon të frikësojnë njerëzit e që gjithnjë e më shumë ka bërë që këta të shohin sot tek figura e policit, e tatimorit e administratorit, e ministrit deri tek kryeministri një figurë që ngjall frikë dhe urrejtje. Së treti, gjen faktin se thuajse të gjitha aksionet e qeverisë Rama, qoftë shkatërruese, qoftë gjoja shtetndërtuese ndërmerren pa bashkëpunim e konsultim me njerëzit përkundrazi ose fshehurazi tyre ose duke ua imponuar atyre dhunshëm.

***

Edhe në rastin e projektit të Parkut kundër të cilit po protestojnë qytetarët vihen re të tre karakteristikat e pushtetarit që kujton se historia fillon me të: injorimi i historisë dhe i kujtimit të atij vendi; imponimi i dhunshëm i një projekti për të prerë pemë, për të shkulur bar dhe ushtrimi i dhunës policore ndaj protestuesve që e kundërshtojnë këtë; mungesa e konsultimit dhe bashkëpunimit me publikun nëse e miratonin atë projekt dhe nëse kishte diçka më të dobishme ku mund të hidheshin ato 600 000 euro. Si kulm i kësaj dhune të trefishtë është fakti se, me sigurinë që u jep kapja e shtetit, nuk kanë përfillur as të kryejnë hapat ligjore që parashikohen për realizimin e një projekti të tillë (siç është nxjerrja e lejes mjedisore psh.) – për çka do të duhej të ishin ata të proceduarit nga drejtësia – ndërkohë që, policia e paguar nga taksapaguesi, ushtron dhunë kundër protestuesve që mbrojnë edhe ligjin edhe Parkun.

***

Ajo që të intrigon në këtë historinë tonë është pyetja se çfarë ndikon që tek ne politikanët në vend se të fillojnë e kuptojnë, me moshën, peshën e historisë, efektin shkatërrues të dhunës si dhe të kuptojnë se janë vdekatarë si gjithë të tjerët, shumë të vegjël përpara historisë dhe botës, sa më shumë rriten në moshën biologjike aq më shumë e manifestojnë paditurinë dhe papjekurinë e tyre edhe aq më shumë sillen sikur historia jo vetëm fillon me ta, por edhe se do të mbarojë me ta. Sepse Edi Rama nuk mund të quhet më i ri; i ka kaluar të pesëdhjetat. Dhe problemi është se ai nuk është i vetëm. Po të kthejmë kokën prapa do të shohim se të gjithë ata që na kanë drejtuar të tillë kanë qenë, kush më shumë e kush më pak: njerëz që edhe kur arrijnë moshën biologjike nuk arrijnë dot moshën mendore të Nennit. Besoj se kjo pikëpyetje meriton një reflektim të thellë, sepse kemi mëse njëqind vjet, që kur është krijuar shteti shqiptar, që kush vjen në pushtet pretendon ta fillojë historinë nga e para, duke na lënë, kësisoj, gjithmonë në vend, të pandryshuar në papjekurinë tonë politike. Si provën më dramatike të kësaj papjekurie kemi rritjen e përdorimit të dhunës me rritjen e qëndrimit në pushtet të politikanëve kësisoj. Dhe kjo rritje e dhunës, tek e fundit, rrënon themelet e shtetit, siç ndodhi edhe në 97-tën, duke na vënë damkën e një populli që nuk di të ndërtojë shtet. Sepse ndryshe nga ç’mendojnë të papjekurit tanë dhuna nuk e rrit pushtetin, por e minon atë. Hannah Arendt kur flet për raportin e pushtetit me dhunën thotë se dhuna gjithmonë e shkatërron pushtetin të cilin ajo e konsideron jo si pronë individuale, por si diçka që ka të bëjë me aftësinë njerëzore për të vepruar në bashkëpunim, pra si diçka që i përket një grupi dhe që ekziston sa kohë që ekziston ky grup. Duke iu kundërvënë teorisë që reklamonin komunistët se pushteti ka dalë nga gryka e pushkës ajo thotë se me grykën e pushkës  mund të nxjerrësh urdhrin më efektiv me rezultat bindjen më perfektë dhe më të menjëhershme, por nëpërmjet grykës së pushkës nuk mund ta rritësh  kurrsesi pushtetin.

***

Nuk pretendoj t’i jap përgjigje me pak radhë pyetjes që meriton volume se pse tek ne politikanët nuk e arrijnë pjekurinë politike të domosdoshme për të ndërtuar një pushtet të qëndrueshëmn – në kuptimin që i jep këtij Hannah Arendt, si aftësi e njerëzve për të vepruar së bashku, – por mbeten në stadin rinor të atij që mendon se historia fillon me të dhe e gërryejnë gjithnjë e më shumë pushtetin, nëpërmjet dhunës. Por dua të paralajmëroj edhe një herë se sjelljet e dhunëshme të Edi Ramës dhe të oligarkëve e kriminelve që e mbështesin – që u demostruan edhe javën që shkoi në mënyrë të shëmtuar në Elbasan dhe tek Parku –  janë në këtë ravë e se, në terma afatgjata, kjo sëmundje, që ka rezultuar aq shkatërrimtare për ne, mund të çojë në shpërbërjen e mëtejshme të aftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar shtet. Prandaj njerëzit e vullnetit të mirë, edhe brenda partisë Socialiste, duhet të ngrenë barrikadë sa s’është vonë ndaj kultit të dhunës që po promovojnë këta rilindas duke i kundërvënë atij bashkëpunimin e vërtetë dhe të sinqertë me njerëzit në rrugën e vështirë, por të vetmen, për ndërtimin e një shteti demokratik. (Panorama, 9 mars 2016)

Share: