Nga Artan Fuga
Ministria e Arsimit vendos juntat ushtarake në universitete !
—————————————-
Jo,
universitarët nuk e gëlltisin këtë rregullore që na provokon me rastin e zgjedhjeve të drejtuesve të universiteteve publike.
Ne duam zgjedhje të lira dhe të ndershme të drejtuesve të rinj !
Punët kanë shkuar shumë larg. Na kërkohet të pranojmë dhe të bëhemi palë në shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës.
Ne asnje rast ligji, ndonese gjysem-demokratik, ne fuqi nuk parashikon qe universitetet publike, per asnje cast dhe per asnje rrethane institucionale te komandohen nga persona te pazgjedhur lirisht nga vete universitetet per te bere zgjedhjet, cilitdo qofshin keta..
Zgjedhjet e lira nuk mund te behen nen komanda te deleguarish, te komanduarish, te pambeshtetura ne ligj.
Po provokohemi duke na kërkuar të pajtohemi që për një periudhë të papërcaktuar kalendarike të pranojmë vendosjen e juntave me persona të komanduar nga politika në të gjithë hierarkinë universitare.
Ata mund të bëjmë pastaj çfarë të duan me universitetet, me pedagogët dhe studentët.
Na duhet të mbrojmë ligjin gjysëm-demokratik në fuqi nga sulmet dhe atentatet që i bëhen nga vetë autorët e tij.
Vetëm në diktaturën moniste ka ndodhur që shteti të shkeli me takat e këpucëve ligjet që ka nxjerrë vetë.
Kjo nuk është sjellje demokratike, as diktatoriale, kjo është sjellje tiranike sepse nuk njeh asnjë normë a ligj, të mirë a të keq, me të cilën pushtetari duhet t’i lidhi duart vetes së vet.
Ligja trajtohet si një shuk letre i qullur që i hidhet universitarëve në fytyrë.
« Dashkeni edhe të zbatohet ligji ju intelektualë ! Në satër ! »
Kemi arritur larg.
Një ministër guxon që me anë të një projekt-rregulloreje të shkelë me të dy këmbët ligjin dhe Kushtetutën.
A ka më llogaridhënie në këtë shtet apo jo ? A ka më përgjegjshmëri qytetare apo jo ?
Vetëm një injorant mund t’a hajë gënjeshtrën se diktatura dhe tirania, komandat ushtarake, janë mënyra më e mirë për të bërë zgjedhje demokratike në universitete apo në shkallë vendit.
Me diktaturë nuk ndërtohet dot as demokraci, dhe as progres.
Kush ka frikë nga zgjedhjet e lira në universitete dhe kërkon t’i manipulojë ato me çdo kusht ???
Larg kësaj kulture që do të na kushtojë shumë shtrenjtë po kaloi në universitete !
Na kërkohet që drejtësia, pra ankimimi, të bëhen me gjykata ad hoc, antikushtetuese, si në kohë lufte, me juristë të zgjedhur a të komanduar nga Ministria, a thua nuk e përcakton kushtetuta e Shqipërisë se cili sistem ka të drejtë të bëjë drejtësi në vendin tonë !
Jo, universitetet nuk mund të drejtohen me komanda ushtarake, me junta të komanduara pa asnjë legjitimitet ligjor dhe moral, nuk mund t’u jepen komisarëve politikë pushtete të pakufizuara as për periudha të caktuara !
« Diktatura e përkohshme » në Shqipëri është një koncept i dalë boje. Që nga Roma e Lashtë dhe më parë në Greqinë Antike, diktatorët e përkohshëm ishin tiranë.
Universitarët po provokohen rëndë duke i ndëshkuar të pranojnë të drejtohen me të komanduar si në kazermat ushtarake me komandantë, që për turp, mund të caktohen pa asnjë kriter, mund të kenë qenë edhe të dënuar, trafikantë, pa asnjë gradë shkencore, me formim nga kurse dhe shkolla me provime të marra pa ardhur në provim, me diploma fallco, madje edhe ndoshta analfabetë. Asnjë pengesë për të gjithë këta!
Ne duam të zbatohet ligja dhe të zgjedhim lirisht e të rinovojmë drejtuesit tanë !
Jo, juntave ushtarake në universitete !
Jo, puçit institucional në universitete !
Jo, « diktaturës të përkohshme » pa afat !
Jo manipulimit të zgjedhjeve të lira në Universitete me infrastruktura të komanduara dhe nën presionin e juntave ushtarake !
Jo teksteve zyrtare me gabime daktilografike, pa kulturë juridike, me gabime gjuhësore dhe logjike !