Home I pakategorizuar MIRAZHE TE JETES SHQIPTARE

MIRAZHE TE JETES SHQIPTARE

Nga Llazar Syziu

Kur e pyeta Enverin se kush ishte arsyeja që e mbante Shqipërinë të izoluar, ai u përgjigj: “Doktor, unë do ti mbaj kufijtë mbyllur edhe ca vjetë, sepse ky vend duhet ndërtuar dhe ky popull duhet ndërgjegjësuar. Në qoftëse unë do të hap kufijtë. Shumica dërmuese do të emigrojë, siҫ ka bërë në shekuj. Shqiptari është i aftë të japë maksimumin në dhe të huaj, ndërsa për vendin e vetë kontribuon në kafene dhe restorante duke pirë raki rrushi dhe dëllenje”…

PAUL MILLIEZ ( Mjeku francez i Enver Hoxhës )

Kjo është një përgjigje e thjeshtë, të cilën e nxjerr nga goja një pacient, i molepsur me hijen e dyshimit, për cilësinë e punës së doktorit të tij. Përpara doktorit ai përpiqet të duket sa më njerëzor, pavarësisht kultit të pacënueshmërisë që kishte thurur te bashkëkohësit e tij. Veprimtaria e një udhëheqësi shteti nuk është kaq e thjeshtë. Enveri këtu kërkon të marrë një pozicion sa më pozitiv, ndaj fatkeqësisë që iu kishte servirur bashkëkombasve. Mbyllja e kufijve nuk ishte vetëm fizike, por edhe informative e shpirtërore. Në qoftë se Enver Hoxha do të kishte patur merak nivelin e punës te shqiptarët, atëhere ai do të krijonte kushte, në të cilat shqiptarët do të punonin më shumë. Puna vullnetare e pa paguar, nuk e rrit dëshirën për punë të njerëzve. Megjithëse e kuptonte fare mirë se ҫfarë i ndërgjegjësonte shqiptarët të jepnin maksimumin në vende të tjera, ai nuk i krijoi këto kushte, sepse ato nuk përputheshin me idealet e tij.

Meraku i Enver Hoxhës ishte më i madh, për të ndërtuar një shoqëri sipas idealit marksist, ku njerëzit të ndiheshin sa më të barabartë me njeri-tjetrin. Mirëpo njerëzit nuk janë njësoj, as nga mundësitë fizike dhe as nga potenciali mendor e intelektual, pa le pastaj nga niveli i përgjegjshmërisë shoqërore që ata mishërojnë, nuk kanë të krahasuar fare. Këta njerëz të ndryshëm midis shqiptarëve nuk mund të ndryshonin shumë ekonomikisht, sepse rrezikonin të “borgjezoheshin” dhe të vuanin pasojat që servirte sistemi. Por ata kishin liri të pa kufizuar, për të ndryshuar statusin shoqëror të tyre. Për këtë u mjaftonte të përfitonin disa parametra të performancës shoqërore. Bile disa prej tyre u realizuan aq mirë në këtë drejtim, sa që jo vetëm për vete, familjen dhe të afërmit e tyre, mund të siguronin gjithshka dhe në ҫdo kohë, por më e keqja ishte se arrinin të bëheshin pengesë serioze për të përfituar të tjerët, atë që u takonte. Ca më keq akoma, ata duke shfrytëzuar statusin e privilegjuar shoqëror, mund të rrezikonin jetën e njerëzve të tjerë, familjet e tyre dhe jo rrallë edhe të afërmit e tyre.

Izolimi i vendit krijonte mundësinë e kontrollit efikas shtetëror. Me lëvizjen e lirë të njerëzve nuk mund të realizohet dot survejimi dhe kontrolli i tyre. Në kushte të tilla për menaxhim të situatave delikate nuk mund të bëhej fjalë fare. Modeli shtetëror që shfrytëzoi Enver Hoxha, e përdorte me efikasitet diktaturën dhe i nënshtroi për shumë kohë njerëzit, por nuk kishte efikasitet në rritjen e rendimentit të punës së tyre. Pas 45 vjetë ekzistencë, kur ishin alternuar dy apo tre gjenerata të punonjsve, pushtetarët u kujtuan se shqiptarëve u kishin mbetur vetëm “pesë ditë bukë”. Përrallë e bukur kjo, e jetuar. Epilogu i kësaj mënyre të drejtimit shoqëror ishte se mbeturinat “mikroborgjeze” dhe sjelljet “e pa dëshiruara” gjendeshin vetëm tek populli i thjeshtë. Kurse “elita” qeverisëse “lodhej” jashtëzakonisht për të rregulluar këtë popull me vese.

FB_IMG_1455222652754Fati i një mënyre të tillë të drejtimit shoqëror, nuk ishte i rastësishëm në Shqipëri. Pothuajse një ҫereku i popullsisë së botës që provoi këtë eksperiment, dështoi. Të gjithë u dorëzuan në mënyra të ndryshme, ndaj rendimentit më të lartë të punës në vendet e tjera. Disa vende u dorëzuan duke moderuar veprimtaritë e tyre dhe disa të tjerë duke kapitulluar pa kushte. Ideatorët e këtij modeli të menazhimit shoqëror jetuan në zemër të Evropës. Ata e përgatitën këtë model për kohën kur jetuan. E modeluan për shtresëzimet shoqërore të kohës së tyre dhe kontradiktat që ato mbartnin. Këto shtresëzime shoqërore tani nuk vërehen qartë. Konceptet 150 vjeҫare nuk mund të përdoren më me efikasitet. Sot pas 150 vjetëve nuk mund të përdoren të njëjtat modelime për përmirësimin e karakteristikave të shoqërisë, sepse janë krijuar shtresëzime të tjera sociale, të cilat shoqërohen me të tjera kontradikta të mbartura ndërmjet tyre.

Ndërtimi i formave të menazhimit shoqëror, të cilat përfshijnë një pjesë të faktorëve shoqërorë dhe janë përjashtuese për faktorë të tjerë, sado të sofistikuara që të ndërtohen, sado që të përdorin me sukses format e diktatit, historikisht, ato kanë treguar se janë të destinuara të dështojnë.

Shenim: Jo domosdoshmërish opinioni i autorit përkon me politikat e Perqasje.com

Share: