Home KRYESORE Ontario vishet kuq e zi

Ontario vishet kuq e zi

Nga Marjana BULKU

Është një ditë e zakonshme pune në selinë e legjislativit kanadez, por për shqiptarët, jo vetëm të Kanadasë besoj se një ditë si kjo do të lerë gjurmë historike. Jo pse është veshur me ngjyra kuq e zi, as pse kostumet tona kombëtare perfomojnë mes tingujsh apo edhe heshtur, jo vetëm pse dhjetra shqiptarë janë ulur në mes të tempullit ku demokracitë rriten maturisht, por sepse sot flet SHQIP tradita përmes ligjit që e mbron, kohës që nuk e zvetënon dhe rrënjëve të hershme që e risollën të gjallë, të larmishme trashëgimninë tonë kulturore, vlerën që jeton më gjatë se ne m’u në zemër të qytetërimit perëndimor: Kanada.

 Shkëlqimi i kësaj dite i ka rrënjët tek ato dhjetra e dhjetra përpjekje që Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze ka ndërmarë që prej tre vitesh duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetin shqiptar që jeton në Kanada, i vjetër dhe i ri, me institucionet shtetërore që kanë mundësi ti mbështesin këto lloj pasurish kulturore me ligj, për ti njohur, mbrojtur dhe trashëguar. Janë përpjekjet e Zonjës Ruki Kondaj, Presidente nderi e Bashkësisë shqiptaro-kanadeze, bashkëpunëtorëve te saj të palodhur, si dhe vullnetit dhe gadishmërisë së Znj. Laura Albanese, propozuese e ligjit që e shpalli muajin nëntor, muaj të trashëgimnisë sonë kulturore në Kanada. Ajo bëri një prezantim të historisë shqiptare, valëve të emigracionit ku me tone prekëse theksoi dy protagonistët e krenarisë dhe historisë shqiptare; Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Fjala e saj pushtoi sallën, ku nuk munguan duartrokitjet e përfaqsuesve parlamentarë, madje po aq historike do të mbeten edhe fjalët e hirësisë së tij, zotit Brad Duguid i cili përsëriti në ”You adopted me” pasi ndjehej i mrekulluar nga historia e vyrtytëshme dhe festat e shqiptarëve të Kanadasë aq sa dëshirën të festojë me ta nuk e fsheh aspak.

Është ngjarja që ndoshta na bën të mendojme thellësisht se sa i vlefshëm është identifikimi i komuniteteve etnike përmes kulturës, është vlera që na bashkon, është dëshmia që na qartëson origjinën kur fëmijët tanë në emigracion mund të harrojnë edhe shqipen si gjuhë…është e shkuara jonë që rron në të ardhmen që po jeton jashtë Shqipërisë kaq e sigurt…është kujdesi që përkëdhel këto pasuri shekullore që janë rrënjët tona, është pasuria jonë që pasuron edhe komunitete kaq të zhvilluara që nuk reshtin së falenderuari për kërë bashkëjetesë.

Ky akt përligj natyrshëm buzëqeshjen krenare të Ruki Kondajt, shqiptarizmën që nuk shuhet të Laura Albanese, gjallërinë e mjeshtrit Ramazan Këllezi që energjitë artistike duket se ia ka përtërirë akoma më shumë Kanadaja e largët, fjalën e matur dhe të mencur të Profesorit Kristian Bukuroshi i cili ka mposhtur moshën dhe i ndjek me vlerësime maksimale ditët e ngjarjeve të tilla që bëjnë histori, lotët e Ilir Lenës që edhe pse pronar i ekranit, emocionet nuk i shmang dot teksa flet për këtë ditë që Kanadaja ua dhuron këtyre shqiptarëve të mirë, e ku natyrisht konkluzionet e mencura te zotit Iliaz Loku te ndihmojne ne ndertimin e opinioneve objektive rreth kesaj shqerie tashme 25 vjecare. Unë pata rastin që të flas me disa prej tyre, ish-kryetarë, anëtarë të këshillit të nderit të Bashkësisë shqiptaro-kanadeze ku nuk mungonte as kryetari që e ka drejtuar i pari këtë bashkësi, zoti Murat Hashani.

 Këtu sot, me të drejtë gjithkush ndjehet pjesëtar i kësaj Bashkësie, madje edhe unë, teksa shoh familjet e hershme që emigruan në Kanada, intelektualët që emigruan më vonë dhe këtu arritën të bëjnë sukses, Lili Cingun që mjellmezon duke vallëzuar duke sfiduar edhe vitet. Thellësisht i jam mirënjohëse në heshtje strateges Kondaj dhe të gjithë atyre që pranojnë modestisht se falë saj gjërat ndodhin. Këtu gjithcka është pasuri kombëtare, Tringa Rexhepi që këndon, Ana Gorja që ka mberritur Hollivudin dhe është aq modestisht e bukur, torta muzeale ku mjeshtërisht janë mbivendosur aq bukur pasuritë tona aq sa të vjen keq ta presësh, artistët që interpretojnë, thënë thjesht është një mjedis klasik, patriotik dhe modern ku anglishtja dhe shqipja vallëzojnë bukur.

 Është si një familje e madhe e bukur, është një copë Shqipërie vitale që jeton në Kanadanë e largët, është një ditë që rishkruan historinë tonë nga fjala brilante dhe sigurisht historike e katër parlamentarëve që herë pas here përsërisin shqip “jam krenar që jam shqiptar” kaq shumë është rrënjosur Shqipëria që ju rrëfeu për besën, nanë Terezën, Skënderbeun nëpërmjet Bashkësisë shqiptaro-kanadeze dhe televizionit Pasqyra Shqiptare. Është historia jonë që na bashkon përmes të vërtetave të bukura, përmes trashëgimnisë, asaj vlere që na bashkon dhe na përjetëson ndër shekuj.otario1

Share: