Nga Lis Bukuroca
Një familje ka pesë apo më shumë anëtarë. Si zakonisht, të të dy gjinive. Ata njerëz, brenda një shtëpie, nuk janë të barabartë, por ekziston një hierarki, që bazohet në moshë dhe gjini. Sa më i moshuar individi, aq më shumë pushtet dhe autoritet, jo duke pasur për bazë dijen, por vetëm vitet e tij. Me posedimin e viteve, por jo të dijes, diskriminimi dhe nënshtrimi shndërrohet në parim teorik dhe praktik, ku çdo individi, i dhunohet identiteti.
Fëmija i rritur në kushte të tilla, nesër shfaqet i pasigurt në shoqëri, pa sedër, xheloz dhe me komplekse vogëlsie. Ky është rezultat i nënshtrimit, në vendin ku nuk duhej nënshtruar, por edukuar. Mirëpo, do t’i ishte iluzion të pritet edukimi i drejtë i fëmijëve, në një shtëpi, ku nuk lexohet kurrë një libër mbi edukatën.
Socializimi në ato rrethana, nuk është sintezë e dijetarëve, por tejbartje e fragmenteve të një sjellje primitive, të një paleoedukatë, kur njeriu komunikonte me paralinguistikë, pra me një gjuhë, që nuk respekton rregulla gjuhësore.
Ndarja e parë që bëhet brenda asaj familje, është ndarja gjinore. E dyta, e moshës. Aty shpërfillet çdo rend dhe çdo ligj përplaset mbi bindjet fikse të despotit dhe jetohet me një kushtetutë private, të cilën shoqëria, konsideron për normale, por që është në kundërshtim të hapur me ligjet e aprovuar nga Kuvendi. Despoti në atë familje lejon vetes të shkelë ligjet, sepse ai është i bindur, se din më shumë se krejt Kuvendet e Europës.
Si rezultat i atij socializimi primar të dështuar në vija të trasha, njerëzit kërkojnë demokraci, drejtësi dhe barazi jashtë, por duke pezulluar parime themeltare të saj në qelizën e parë të shoqërisë, në familje: si lirinë e lëvizjes, lirinë e mendimit, lirinë e zgjedhjes së partnerit, partneres në martesës apo lirinë për zgjedhjen apo ndërrimin e religjionit. Në shtëpi të tillë, despoti, paleoedukatori, depersonalizon të gjithë duke u anuluar të gjitha të mirat, të cilat ofron epoka e vet dhe që i garanton Kushtetuta.
Në një shtet të tillë, hibridi demokracia është tepër kaotik, sa përleshja e brendshme, që ka origjinën tek struktura e parë e shoqërisë, familja, vazhdon pastaj edhe jashtë me kaosin e njëjtë me tendencë shpërbërje, që më shumë është përpunim traumash, ankthesh, se sa tregues i rrugës që duhet ndjekur.
Sistemi gjoja demokratik në administratë, por rendi primitiv, despotik në shtëpi, konsumojnë energji të madhe brenda një shoqërie, që merret pastaj me vetveten duke shpërfillur edhe shembjen tërësore. Ose, duke u përpjekur rezultatin dhe sedrën e munguar kolektive, ta kompensojë me nacionalizëm, terrorizëm apo krenari të stisura, të rrejshme. Shpesh, mirëpo, edhe duke u kënaqur dhe duke përkëdhelur, përdhelur sedrën përdhese. Vijimisht, duke u pasivizuar pastaj në rolin e viktimës; fajtor është gjithmonë dikush tjetër, por jo mosveprimi i drejtë i tij dhe botëkuptimi i gabuar.
Aty ku demokracia pezullohet në shtëpi, por synohet jashtë, nuk mund të ketë kurrë sukses shoqëria dhe nuk mund ta gjejë paqen e brendshme pa dëmtuar vetveten. Si liria, ashtu edhe barazia gjinore, nuk dhurohen, por merren. Shteti aty nuk është garantues dhe mbrojtës i ligjeve të veta, por në luftë permanente për ta mbrojtur mbijetesën, që masa e traumatizuar, sulmon të traumatizuarit me pushtet. Aprovimi i ligjeve moderne nuk është përparim, por zbatimi i tyre. Demokracia e anuluar brenda shoqërisë së vogël, si familja, është garantues për implozionin e mundshëm në shoqëri nesër, ose për përgatitjen e tij.
Nëse shumica brenda një populli, ndanë familjen në gjini dhe moshë, ku mund të shtypen pa pasoja ata që kanë më pak forcë, të dobëtit, qoftë pse nuk kanë organe gjenitale me të cilat mburret pjesëtarët e fortë të asaj shoqërie, qoftë pse kanë lindur më vonë, atëherë kemi një popull të ndarë në tri kasta: kasta dhunuese mashkullore, e lindur me “fat”, por me një detyrë çnjerëzore. Kasta e pafat femërore, e stigmatizuar qysh në lindje, e pafuqishme për t’u mbrojtur që, e shtypin ata që duhej ta donin dhe kasta fëmijërore, që mund të traumatizohet nga kasta e parë dhe në atë kaos paleolit, mund të shpërfillet edhe nga kasta e dytë. Fëmijët e rritur në atë ambient, janë të traumatizuarit e nesërm, që nesër traumatizojnë një popull.
Në gjendje të tillë, fëmijës do t’i mungojë socializimi primar dhe duke jetuar në një shoqëri të tillë dhe duke pasur shkolla formale dhe rreth jo shëmbëlltyrë, do t’i mungojë edhe socializimi sekundar.
A mund të pritet ndërtimi i shtetit ligjor dhe shtetit të drejtë, kur ata që drejtojnë vendin, kanë qenë të depersonalizuar, ose kanë nënshtruar, sepse kishin mundësinë duke u bazuar jo në mençuri, por në organ gjenital apo moshë?
Ata që janë të bindur se dhuna është edukatë, se nënshtrimi është i moralshëm dhe se depersonalizimi krijon njeri të fismë, nuk kanë potencial mendor, gjykues, analitik, të vërejnë dëmtimin e shpirtit. Kjo ndodh sepse shumë veta, nuk janë në gjendje të kuptojnë esencën e shpirtit. Ata shohin vetëm trupin para vete, por nuk janë në gjendje të perceptojnë, ta kapin me shqisa, shpirtin, ku dëmet regjistrohen dhimbshëm, sa nga fjala, po aq edhe nga dhuna. Fytyra e çdo njeriu vizaton imazhin e shpirtit. Kjo mirëpo nuk merret seriozisht si çrregullim ishpirtit, si humbje e ekuilibrit, – që nesër mund të dëmtojë edhe suksesin në jetë,- por vetëm si shqetësim kalimtar, i rëndomtë.
Ndalimi i dhunës kundër të dashurve në familje, nuk është arritje e qytetërimit autokton, por thjesht imponim i Europës dhe pranim nga gazepi ekonomik. Me një fjalë, Europa urdhëron: Ty të ndalohet rrahja e fëmijëve tu! Ty të ndalohet dhunimi i shoqes tënde! Ty të ndalohet traumatizimi i familjes! Ty të ndalohet pezullimi i lirive dhe të drejtave të njeriut! Nuk mund të ketë poshtërim më të madh për njeriun e kësaj epoke, të këtij zhvillimi shkencor, se sa, kur ligji urdhëron t’i duam dhe respektojmë ata që për nga natyra, për nga rregulli dhe lidhja farefisnore, kemi obligimi respektin dhe dashurinë.
Shtypja në familje është tregues eksplicit, simptomë e komplekseve të shtypësit, pasigurisë së tij, sedrës së humbur dhe frikës së madhe, deri në paranojë.
A ka zgjidhej? Po, por për shtetet tona e pamundur tani për tani. Pikë së pari nevojitet provim shtesë për personelin arsimor, nga kopshti, deri në fakultet mbi edukatën dhe transferimin e dijes. Liritë dhe të drejtat e njeriut në kopsht, pastaj në klasën e katërtë libër mbi edukatën, ku i shtohet edhe edukimi seksual. Në të gjashtë, ku sipas moshës dhe nevojave zgjerohen tema dhe natyrisht përsëri edukimi seksual dhe mbrojtja nga sëmundjet ngjitëse. Në të mesmen libër mbi edukatën, edukatën seksuale dhe ndërtimi familjes, përgjegjësia si prind dhe kujdestari ndaj fëmijëve pa dhunë fizike apo psikologjike, por me dashuri. Pas njëzet viteve, do të kishim brezin e parë të sigurt në vetvete, të barabartë në mes gjinive, pa luftë të brendshme në familje dhe shoqëri, pa komplekse dhe të aftë për ta ndërtuar të tashmen, respektivisht, të ardhmen.