Home KRYESORE Për cilën drejtësi e keni fjalën Z.Majko?

Për cilën drejtësi e keni fjalën Z.Majko?

Nga Mentor Kikia

Pasi kishte votuar pro akteve nënligjore të dekriminalizimit, deputeti Pandeli Majko, me formularin në dorë, tha se kjo është një copë letër.

“Ka ca njerëz që quhen prokurorë. Ka ca njerëz që quhen gjykatës. Vetëm këta mund të të shpallin fajtor dhe të të dënojnë. Këto të tjerat janë copa letrash pa vlerë”- tha Majko nga foltorja e parlamentit.

Shumë e drejtë Majko. Vetëm drejtësia të shpall fajtor e të dënon. Dhe ju e kishin fjalën për personat e inkriminuar që janë përfshirë në politikë, që në fakt nuk do të dënohen, por vetëm nuk duhet të lejohen të jenë krah jush dhe shumë të tjerëve të ndershëm aty.

Por, ashtu sic “ka ca njerëz që quhen gjykatës e prokurorë”, ka edhe ca njerëz, z.Majko, që nuk dënohen kurrë nga këta gjykatësit e prokurorët. Ca nga ata, që të rrahin natën, e ditën të vënë pistoletën tek koka që të thuash se u rrëzova tek shkallët.

Ca nga ata që blejnë me para edhe votat edhe gjykatësit, edhe prokurorin. Këtyre nuk u bën derman drejtësia, të cilës Ju i referoheni. Në fakt cila është drejtësia jonë? Ajo që ka vënë në alarm Europën dhe Amerikën mbarë? Ajo që nuk po e reformojmë dot?

Drejtësia e Gjin Gjonit me shokë që shpallen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit? Kur doni të jeni realist, ju nuk lini gjë pa thënë për drejtësinë, e kalbur dhe korruptuar, pasi kështu është në të vërtetë. Por kur u duhet të mbroheni, dhe jo vetëm për këtë rast, të gjithë i referoheni drejtësisë.

mentor kikia2Në fakt, njerëzit për të cilit u bë ligji i dekriminalizimit, duhet ti pengojë vota jonë të shkojnë në parlament apo në bashki. Por në kushtet kur vota është bërë mall, nuk është keq të përdoren edhe ca filtra të tjerë. Dhe këtë fatkeqsisht nuk mund ta bëjë drejtësia.

Share: