Home I pakategorizuar Rama i zgjat dorën, por ja përgjigja që merr nga miku i...

Rama i zgjat dorën, por ja përgjigja që merr nga miku i Nanos

Edi Rama, për herë të parë, sot vlerësoi kontributin e Fatos Nanos në Partinë Socialiste dhe i zgjati ish-kryeministrit dorën e bashkëpunimit.

Rama e ftoi Nanon që të jetë pjesë e festimeve për 25 vjetorin e themelimit të Partisë që pritet të kremtohet në korrik, por ai ka marrë një përgjigje të hidhur nga një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Fatos Nanos.

Emin Barçi, një nga këshilltarët kryesorë të Nanos, shkruante sot te gazeta Panorama, duke paraprirë nisjen e Kongresit të PS me tone mjaft kritike për Ramën, duke i vënë në dukje rënien nga 700 mijë votat e 2013-s në 400 mijë votat e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, si dhe duke i bërë një krahasim me Churchill-in, i cili edhe pse fitoi luftën humbi zgjedhjet.

Shkruan Barçi ndër të tjera:   

Ky Kongres vjen pas një atrofizimi pa precedent të jetës politike të PS­së në historinë e saj dhe një qeverisje që nuk po prodhon mirëqenien, punësimin, drejtësinë dhe prosperitetin e premtuar.

Sipas Ramës, atrofizimi i partisë ka ardhur për shkak të angazhimit mbinjerëzor të tij dhe udhëheqjes ekzekutive në përballimin e efekteve të krizës që Berisha i la në trashëgim.

Meqenëse jemi rreth një vit larg nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duhet analizuar nëse atrofizimi i partisë jep efekt në rezultatin elektoral.

Meqenëse në PS është bërë e modës që shembujt të merren nga Anglia, po kujtoj Churchill­in e famshëm dhe zgjedhjet e humbura parlamentare menjëherë pas Luftës.

Politologët janë marrë gjerësisht me këtë “çudi” angleze ndër vite. Konkluzioni i parë dhe më i mbështetur është se për shkak të angazhimeve në luftë, Churchill atrofizoi partinë duke mbledhur në 5 vjet vetëm një herë Konferencën Kombëtare.

Zgjedhjet e fundit vendore, ku PS ra nga 700 mijë në 400 mijë vota janë një provë se të zgjedhësh një ndeshje NBA në Majamin e largët, në vend të organizatave socialiste në derën e shtëpisë – siç bëri Rama këto kohë – jep efekt anglez edhe në Shqipërinë e përhumbur.

Për 5 vjet socialistët e thjeshtë janë trajtuar si makina elektorale, që herë pas here duhet të mbushin koshat e votave për një pakicë të vetëquajtur “elitë” që mandatin politik po e përdor si letër me vlerë për të tregtuar influenca personale me para dhe pasuri publike në tenderë e koncesione, vende pune dhe vendime gjykatash.

Në shumë raste, socialistët e thjeshtë u drejtuan në betejat elektorale nga njerëz me para apo pistoletë në dorë si një model i ri i përçudnimit të idealeve dhe vlerave të socialdemokracisë moderne.

Sipërmarrësve të vegjël socialistë (dhe jo vetëm) u vihen gjoba për kuponin tatimor, ndërsa sponsorët financues të kapardisjes së “elitës” socialiste kanë marrë vetëm në 2015 60% të tenderëve pa konkurrim, kanë marrë leje ndërtimi në vende të paimagjinueshme pronë e publikut, kanë marrë koncesione për të përfituar qyl nga paratë publike qindra miliona euro për të paktën 10 vjet.

Nëse një socialist kërkon punë në shtet, i tregohet ligji për administratën publike, ndërsa për servilët e senatorëve të rinj socialistë bëhet “lobing”.

Pa folur këtu që ligji nuk përfillet fare kur bëhet fjalë për të ndarë vendet e punës me LSI­në dhe parti të tjera të koalicionit transversal.

Kjo dyfytyrësi dhe standarde denigruese për socialistët e thjeshtë janë një element më shumë në atë që quhet atrofizim i partisë dhe që, pa dyshim, do të vazhdojë ta gërryejë palcën kurrizore të socialistëve në zgjedhjet e ardhshme, duke e rritur vartësinë e saj nga LSI­ja dhe aleatët.

Lidhur me qeverisjen, udhëheqja socialiste flet për rezultate historike, sidomos kur bëhet fjalë për shtetformim.

Fjala “reforma” është kryefjalë e çdo diskuri publik duke ngatërruar instrumentet me qëllimet. Ndoshta është e udhës të kujtojmë që Enver Hoxha bëri shtet, por bustin ia hoqën zvarrë në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.

Me këtë nuk po them se e njëjta gjë do t’i ndodhë dhe Ramës, por se “shteti” është i pamjaftueshëm për të marrë maxhorancën e votave. Jemi vendi më i varfër në Europë.

Një shqiptar merr mesatarisht 8 herë më pak se një qytetar i Europës ose vetëm 4 mijë euro ne vit nga 31 mijë euro në vit që marrin europianët.

Ajo që të bën pesimist është fakti se me ritmet aktuale të rritjes (le të pranojmë se janë 3%) na duhen edhe 70 vjet që të arrijmë të marrim dy herë më pak se europianët që rriten me 1,3% në vit.

Edhe brenda vendit pabarazia është e frikshme; një fermer fiton 5 herë më pak se punonjësit e sektorit jobujqësor. Atëherë me këto rezultate politiko­qeverisëse për çfarë do të mbahet mend Kongresi i lodhur prej shtyrjeve i 19 marsit 2016?

Ndoshta vetëm për faktin se tashmë që të konkurrosh Ramën nuk mund të jesh si Rama. Sepse statuti i ri parashikon që për kryetar mund të konkurrojë vetëm një anëtar që ka 5 vjet jetë partie dhe jo si Rama që kishte vetëm 5 javë kur konkurroi në 2003.

Kongresi do të mbahet mend se humbi mundësinë për të dekriminalizuar partinë dhe për të rikthyer parime dhe vlera si meritokracia, barazia e shanseve, drejtësia

etj. Pas mbarimit të Kongresit, epiqendra e pushtetit dhe politikëbërjes, e arritjeve dhe dështimeve, e promovimeve dhe sulmeve kthehet në bulevard te zyra e Kryeministrit të vetëkënaqur Rama.

Share: