Home KRYESORE Rrenat e Ivica Daçiqit dhe argumentet e Vlora Çitakut në Nju Jork

Rrenat e Ivica Daçiqit dhe argumentet e Vlora Çitakut në Nju Jork

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për periudhën tremujore, 16 tetor 2015 e deri më 15 janar të vitit 2016, për të cilin do të diskutohet në mbledhje, theksohet se kjo periudhë është “shënuar me vazhdim të shkatërrimit të funksionimit të Kuvendit të Kosovës nga ligjvënësit opozitarë, që protestojnë, pjesërisht, kundër pakos së marrëveshjeve të miratuara në gusht të vitit 2015, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka folur edhe njëherë për krimet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë, duke vënë theksin te gratë e dhunuara për të cilat ajo shtoi se askush nuk ka marrë përgjegjësinë deri sot dhe për të cilat tha se do të jetë synimi i saj për të kërkuar drejtësi.

“Mijëra viktimave u është mohuar drejtësia. Të mbijetuarat e dhunës seksuale, 20000 prej tyre, ende mbajnë plagët, fizike dhe plagë psikologjike të kësaj forme të torturës. Shumë janë përdhunuar para familjeve të tyre derisa forcat serbe erdhën për të na shkelmuar si pjesë e fushatës së tyre të spastrimit etnik. Fushata sistematike e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë.

Në emër të të gjitha prej tyre, unë do kërkoi drejtësi. Ne duhet të shohim autorët pas hekurave, dhe ne kemi nevojë që mënyrë kolektive dhe globale të bëjmë më shumë, në mënyrë që viktimat e dhuna seksuale gjatë luftës por edhe kudo në botë të ndjehen të mbështetura dhe jo vetëm”, ka thënë Çitaku.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq ka shpërthyer me akuza ndaj përfaqësuesve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Ai në këshillin e Sigurimit të OKB-së, u ka thënë këtyre përfaqësuesve se a i thonë edhe përfaqësueses së Kosovës, ambasadores Vlora Çitaku që të qëndrojë e qetë në këtë mbledhje.

Më pas ai ka vazhduar me pretendime se serbët dikur kanë qenë shumicë në Kosovë dhe jo anasjelltas.

“Ne marrim disa sugjerime për të vepruar në kuadër të pajtimit që të jemi më të qetë. A jepni të njëjtin rekomandim edhe përfaqësuesve të Kosovës sikurse neve, apo të ulemi të dëgjojmë akuzat e drejtuara drejt nesh”, ka deklaruar Daçiq.

Ai ka shtuar se gjatë kohës së Titos në Jugosllavi ka mbretëruar demokracia, në krahasim me regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri.

“Çka mund të bëjë Serbia që të mund të mbani seancën pa gazëlotësjellës. Duket se deputetët më aktiv në kuvendin e Kosovës janë serbët. Ne nuk kemi kurrfarë roli atje dhe nuk mund të na jepni leksione sa i përket dëshmitarëve ju e dini çfarë ka ndodhur gjatë rastit Haradinaj ku janë vrarë dëshmitar dhe kushdo që ka bërë krime duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se në Kosovë më herët ka pasur shumicë serbe dhe kjo vërtetohet nga trashëgimia kulturore.

“Nuk keni të drejtë të thoni se 200 mijë serb nuk mund të kthehen në Kosovë sepse atje ka pasur shumicë serbe dhe kjo vërtetohet nga trashëgimia kulturore”, ka deklaruar Daçiq.

Ai ka komentuar edhe marrëveshjet Prishtinë-Beograd, duke thënë se Qeveria nuk duhet të kërkoj mendim nga Gjykata Kushtetuese dhe t’i shpërfill marrëveshjet./Gazeta FAKTI

Share: