Nga Frank Hantke*
Prej disa dekadash në të gjithë Europën është gjetur si zgjidhje për trafikun e rënduar nëpër kryqëzime ndërtimi i rrethrrotullimeve. Kosto është relativisht e ulët. Por jo në rastet kur ndërton “vepra arti” groteske apo te kushtueshme, që njerëzit kanë nisur t’i pagëzojnë me “nofkat” e tyre (p.sh., rrethrrotullimi në Sauk quhet tualeti i elefantit) Në rrethrrotullim në varësi të dendësisë së trafikut, automjetet mund të qarkullojnë në mënyrë shumë më të shpenguar pa ndihmën e semaforit. Përveç qarkullimit rrugor njëkohësisht mbrohet mjedisi, sepse sa më pak të frenohet/niset automjeti nga gjendja e qetësisë, aq më pak energji harxhohet. Kaq në lidhje me përfundimet e qarta të nxjerra në pothuajse të gjitha shtetet europiane. Edhe në Tiranë janë duke u ndërtuar masivisht rrethrrotullime, në shumë kryqëzime ndërtimi i rrethrrotullimeve premton për përmirësimin e trafikut rrugor në të ardhmen – kjo edhe në kuadër të ndërtimit të unazës së vogël dhe të madhe në Tiranë dhe përreth saj. Por, si pothuajse gjithmonë në jetë, edhe rrethrrotullimi nuk vjen “badihava”. Është pak a shumë si me sistemin demokratik, sa më shumë liri të garantohet, aq më shumë përgjegjësi personale dhe respektim të rregullave duhet të ketë secili.
Liria jote mbaron aty ku nis e tjetrit
Në përgjithësi liria këtu vlen shpesh si një mundësi e pakufizuar e gjithsecilit për të marrë atë që dëshiron – shpesh pa marrë parasysh asgjë dhe në raste të dyshimta edhe në kurriz të njerëzve të tjerë. Vili Brand, një ish-Kancelar gjerman, i respektuar në mbarë botën dhe mbajtës i çmimit Nobel për Paqen, e ka përkufizuar lirinë në sistemet e zhvilluara në një mënyrë mjaft domethënëse: “Liria jote mbaron atje, ku nis liria e tjetrit”. Alternativa është: padrejtësi dhe kaos – apo siç ndodh në rrethrrotullimet shqiptare, do krijohet më shumë trafik, do të ketë më shumë aksidente dhe më shumë telashe.
Një rregull relativisht i thjeshtë
Cilët rregulla vlejnë në një rrethrrotullim? A do të ishte dashakeqe të pohoje, se pjesa më e madhe e drejtuesve të automjeteve në Shqipëri (dhe meqë ra fjala edhe ndërtuesit e rrethrrotullimeve apo policët!) nuk janë gjendje t’i përgjigjen kësaj pyetjeje plotësisht apo mund t’i përgjigjen vetëm pjesërisht? Sa i thjeshtë duket një rrethrrotullim, aq të komplikuar janë rregullat e drejtimit të mjetit brenda tij. Së pari, një rrethrrotullim duhet të ketë po aq korsi sa është numri i korsive të rrugëve hyrëse në të (kjo vlen për ndërtuesit e rrethrrotullimeve). Këto korsi – ashtu si edhe në rrugët e tjera – duhet të jenë të vijëzuara qartë me vija të bardha. Drejtuesi i mjetit duhet të lëvizë brenda këtyre vijave, dhe në rast se dëshiron të ndërrojë korsinë, atëherë duhet të ndezë sinjalin.
Si kudo në qarkullimin rrugor në Europë – përveç Britanisë së Madhe, ku ecet majtas – vlen rregulli: e djathta ka përparësi. Për këtë arsye, për qarkullimin në rrethrrotullim vlen parimisht, sepse këtu përparësi ka ai që hyn në rrethrrotullim. Në fakt ky rregull parimor është në kundërshtim me kuptimin e qarkullimit në rrethrrotullim, sepse në këtë mënyrë do të mbeteshin të bllokuar pothuajse të gjithë ata që ndodhen brenda rrethrrotullimit – dhe në këtë mënyrë rrethrrotullimi do të tejmbushej. Për pasojë do të bllokohej qarkullimi. Kush nuk e beson këtë, le të qëndrojë vetëm 10 minuta në sheshin Skënderbej – shumë shpejt ka për t’i humbur buzëqeshja që kishte në fillim! Për këtë arsye në Europë – por jo vetëm atje, por shpesh edhe në Shqipëri! – krahas rregullit parimor “e djathta para të majtës”, në rrethrrotullimet me trafik të rënduar është vënë një rregull tjetër, i cili duhet zbatuar duke vendosur tabela shtesë të qarkullimit rrugor.
Respektimi i përparësisë në qarkullim është një rregull i rëndësishëm dhe nënkupton që duhet bërë kujdes.
Nëpërmjet tabelës trekëndore “jep përparësi” frenohen automjete që futen në rrethrrotullim dhe u jepet përparësi automjeteve dalëse. Në këtë mënyrë rrethrrotullimi do të zbrazet në mënyrë të rregullt dhe do të ketë hapësirë për më shumë automjete hyrëse. Në mënyrë që kjo të funksionojë duhet që këto tabela të qarkullimit rrugor të vendosen në mënyrë qartësisht të dukshme, por nga ana tjetër – dhe kjo është shumë e rëndësishme – ky rregull i qarkullimit rrugor duhet të respektohet nga të gjithë drejtuesit e automjeteve. E para nuk ndodh gjithmonë, e dyta pothuajse nuk ndodh asnjëherë në Shqipëri! Për këtë arsye qarkullimi në rrethrrotullime në Shqipëri do të krijojë më shumë problem sesa në kryqëzimet me semaforë, në rast se nuk do të ndryshojë sjellja e drejtuesve të automjeteve – dhe e kontrollorëve – policëve. Kësaj i shtohet edhe rregulli logjik, që drejtuesit e automjeteve duhet të pozicionohen brenda rrethrrotullimit: Ata që dalin më shpejt nga rrethrrotullimi, duhet të pozicionohen më djathtas. Dhe sa më gjatë të qëndrohet brenda rrethrrotullimit, aq më majtas duhet qëndruar, në mënyrë që gradualisht të kalohet djathtas për t’u orientuar drejt daljes. Dhe nuk duhet harruar ndezja e sinjalit! Por çfarë ndodh këtu rëndom? Drejtuesit e automjeteve pothuajse nuk frenojnë fare kur hyjnë në rrethrrotullim – edhe pse është vendosur tabela me trekëndësh, e cila kërkon respektimin e përparësisë. Pastaj ata “presin” vijat e korsisë brenda rrethrrotullimit nga e djathta në brendësi dhe përsëri anasjelltas, duke penguar në këtë mënyrë të tjerët dhe duke e kthyer rrethrrotullimin në një vrimë gjilpëre për qarkullimin e automjeteve, sepse në këtë mënyrë ata zvogëlojnë numrin e korsive. Saktësisht e kundërta e asaj që duhet të ofrojë një rrethrrotullim. Këtu dua ta mbyll me këtë “leksion të shkurtër për qarkullimin” – por duke theksuar shprehimisht, se faji nuk duhet gjetur te ndonjë “keqkuptim” i mundshëm i shqiptarëve ndaj këtij fenomeni, sepse në të gjitha shtetet e tjera europiane, ku jetojnë dhe ngasin automjete shqiptarët, nuk është dëgjuar asnjëherë të thuhet, se ata e ngasin keq automjetin ose i shkelin të gjithë rregullat.
Rrethrrotullimi i atyre që bëjnë ligjet dhe rregullat
A do të ishte gabim sikur ky fenomen të diskutohej duke iu referuar edhe rregullave të tjera në një shoqëri si shoqëria shqiptare? Ligjet, rregullat dhe institucionet në Shqipëri ngjajnë shumë me ato të shteteve të tjera europiane – në letër Shqipëria i ka përmbushur me kohë standardet europiane. Po përse jo edhe në jetën reale? Dhe këtu po i kthehem përsëri trafikut rrugor. Ashtu siç ka me shumicë drejtues të pakujdesshëm në rrethrrotullim, “drejtues mjeti” të kësaj cilësie gjen edhe në politikë, në ekonomi dhe në jetën e përditshme. Përtej të vërtetës lakuriqe, se rregullat funksionojnë, shumë persona për fat të keq besojnë, se rregullat e vendosura nuk vlejnë për ata personalisht. Kjo gjë është ekstremisht e dëmshme për një demokraci, në të cilën nuk duhej të kishte njerëz, të cilët qëndrojnë mbi Ligjin apo për të cilët bëhen përjashtime. Demokracia mund të funksionojë vetëm atëherë, kur të gjithë e respektojnë Ligjin dhe të gjithë i respektojnë rregullat e përbashkëta! Nisur nga ky këndvështrim, a mund të themi që në Shqipëri ka demokraci? A i njohin të gjithë politikanët dhe qytetarët rregullat aq sa duhet? A janë ata demokratë të formuar që i japin jetë demokracisë dhe e bëjnë atë funksionale?
Respekti i të drejtave të tjetrit çon shoqërinë përpara
Kudo në botë ka njerëz, të cilët – me apo pa qëllim – nuk i respektojnë rregullat. Prandaj në shtetet demokratike ekzistojnë organe të pavarura kontrolli, të cilët i ndjekin dhe i dënojnë shkeljet – sipas shkallës së shkeljes apo pozitës dhe funksionit të shkelësit! Këto organe kontrolli, si policia apo gjykatat, nuk duhet vetëm të veprojnë plotësisht të pavarur dhe në zbatim të ligjit, por ato duhet t’i njohin shumë mirë të gjithë rregullat dhe t’i zbatojnë ato. A ndodh kështu në Shqipëri? Në një situatë, ku respektimi i rregullave nuk merret seriozisht nga shumë persona, do të ketë gjithnjë autorë dhe viktima – por shpesh viktimat janë në të njëjtën kohë edhe autorë. Kështu ndodh edhe në shembullin tonë të “rrethrrotullimit”. Të gjithë duan ta përshkruajnë rrugën e tyre sa më shpejt dhe pa marrë parasysh të tjerët, në këtë mënyrë ata janë “autorë”, bllokojnë veten e tyre dhe në fund mbërrijnë shumë më vonë në shtëpi – për këtë arsye ata janë edhe “viktima”. Kujdesi në qarkullimin rrugor do t’i përshpejtonte shumë gjërat. Kjo vlen edhe për fusha të tjera të demokracisë. A do të kishte p.sh. më shumë investime, në rast se investitorët do të gjenin mbështetje në një administratë dhe sistem drejtësie mirë-funksional dhe të pavarur? A do të kishte një përmirësim më të shpejtë të infrastrukturës – furnizim me ujë, energji apo rrugë – nëse të gjithë do të vepronin duke u bazuar në rregulla dhe nuk do të vepronin kundër njëri-tjetrit apo në mënyrë egoiste? Lindin shumë pyetje të tilla – dhe këto i lindin çdo qytetari pothuajse çdo ditë.
Mësimet e demokracisë, që në fëmijëri…
Që fëmijë më ka pëlqyer një emision, i cili na mësonte rregullat e qarkullimit rrugor. Në atë periudhë qarkullimi i automjeteve në Gjermani po rritej me shumë shpejtësi, po aplikoheshin teknika të reja etj. Për këtë arsye drejtuesit e automjeteve – dhe njerëz si unë që ngisnim biçikletën – duhet të mësonin me saktësi respektimin e rregullave përkatëse. Në atë kohë unë mësova p.sh. se një fëmijë që nuk është lidhur me rripin e sigurimit në automjet, në rast përplasjeje të automjetit që është duke ecur me vetëm 15 km/h dhe nuk arrin të frenojë, përplaset me xhamin e parë të automjetit (dhe vdes). Kjo më bëri shumë përshtypje dhe unë e mësova leksionin. Sa fëmijë në Shqipëri nuk lidhen me rripin e sigurimit në makinë? A nuk na duhen më shumë njohuri për rregullat e tjera të nevojshme për jetesën në vend? Të mësuarit e sjelljes demokratike mund të fillojë që në kopsht, në shkollë duhet të jetë i detyrueshëm: Pra më pak egoizëm, më shumë shpirt skuadre, më pak pakujdesi dhe më shumë respekt për të tjerët, më pas futje bërrylash dhe më shumë pranueshmëri dhe respektim të rregullave të përbashkëta, pra në fund më pak anarki dhe servilizëm dhe më shumë përgjegjësi vetjake dhe bashkëpunim në të gjitha fushat e jetës. Jetesa do të bëhej më e mirë, vendi do të merr hov përpara – dhe qarkullimi në rrethrrotullime do të bëhej shumë më mirë./Mapo.Al
*Autori është drejtues i zyrës së Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë