Home KRYESORE Ta shënjojmë më pozitivisht këtë vit Ditën e Gruas miqtë e mi!

Ta shënjojmë më pozitivisht këtë vit Ditën e Gruas miqtë e mi!

Nga MAJLINDA F KETA

Kalendari do të na përshfaqë Ditën më kuptimplotë të muajit mars në gjithë botën, 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Thuhet se 2016-ta është shpallur si viti ku udhëheqësit, qeveritarët e të gjithë botës janë duke u zotuar të ndërmarrin veprime si kampionët e barazisë gjinore.
Këto të Shqipërisë padyshim janë zotuar mes tyre dhe kanë vite që e kanë përfshirë në misionin qeverisës.

Barazia gjinore sot është një kauzë e përbotshme që ka fizionomi kombëtare për zgjidhje po aq sa bart problematika të përbashkëta mes kombeve në këtë shekull.
Për përmbushjen e kauzës vlen të qenit i qartë për misionin qeverisës.

Nuk di se çfarë misioni i njohin vehtes qeveritarët tanë por nëse do i referohesha Mit’hat Frashërit (1922) ai nënvizonte këtë mision për to:

“ Ata duhet të zgjuajnë te shpirti i kombit besimin në vetëhe të tij, në besim me aktivitet dhe përgjegjësi për vete, për fëmijët, për shokët, për kombin, për shtetin”.
I pari tregues, kërcënues për këtë cilësi qeverisëse që do të dëshironim në përmbushje të kauzës, do të ishte publikimi i shifrave të Eurostat 2015 ku shprehet numri i madh i emigrantëve që kanë kërkuar azil në BE (2015) ku të parët rregjistrohen plot 362 mijë nga Siria, të dytët janë ata të ardhur nga Afganistani, 178 mijë, ndërsa të tretët janë emigrantët nga Iraku. Menjëherë pas tyre pas vijnë Kosova dhe Shqipëria!

Nëse shqiptarët nuk besojnë tek shteti i tyre dhe nuk ndjehen në siguri për fëmijët e tyre pak gjasa kanë të përmbushin objektivat e kauzës së gruas!!!!!!!

Nesër, nga qeveritarët shqiptarë vetëm konferenca statistikash nuk do doja të dëgjoja pasi ne vijojmë të ndërtojmë dhe japim statistika mbi vetëm gjysmën e popullsisë pasi gjysmën tjeter e kemi rrugëve të botës në emigracion, rrugëzgjidhje e njëjtë nga problematikat për popullatat në luftë.

Këtu,pas ketij fakti, vdes çdo lloj morali statistikor publicitar!

Duhet ta marrim më thjeshtë e të diskutojmë e raportojmë më bindshëm, duke respektuar çdo rast shqetësimi mes nesh.

E fillojmë nga shanset e barabarta për trajtim mjeksor falas dhe cilësor për nënat dhe fëmijët e tyre. Vdekshmërinë foshnjore dhe nivelin e autizmit në Shqipëri. Trajtimin dhe shërbimin për to. Numrin e qendrave që FALAS ofrojnë këto shërbime. Mos te harrojmë te pranojme tendencën e uljes së moshës së martesës për vajzat tona dhe të lindjeve të fëmijëve nga vetë fëmijët ku në qendra urbane dhe rurale si Vlora e Korça rastet e analizuara janë alarmante(studimi i Observatorit për të drejtat e fëmijëve 2016, janar). A ja u shtuam çerdhet publike prindërve të rinj që mirërritja e fëmijës të jetë nën standarde të shëndetit mendor e fizik?

Ta vazhdojmë me arsimimin e vajzave dhe grave apo lehtësirat që sistemi arsimor i mundëson nënave për fëmijët e tyre. Pa e zgjatur, ne jemi në debi të jashtëzakonshme me mundësitë që sistemi publik i detyrueshëm ofron për parashkollorët tanë…..kemi ende edhe pas 25 vjetësh probleme me kapacitetet fizike pritëse e më pas mund të diskutojmë për cilësitë e zhvillimit individual intelektual dhe qytetar që ju ofrojmë atyre si edukim. Falë zotit, ne kemi edukatore dhe mësuese HEROINA që edhe në kushte të mungesës së hapsirave dhe komoditeve fiziko higjenike, të mungesës së mbështetjes për didaktikën dhe këndet kreative japin shpirtin e tyre për fëmijët në kushte mbipopullimi. Humbja në vijim i kësaj mundësie përfshirëse në sistem heq shanset e cilësive të kënaqshme në edukim dhe aftësi e kompetenca qytetare.

A kemi forca neser të shprehemi se JA KEMI PËRMIRËSUAR këtë vit që shkoi menunë e ushqyerjes në kopshtet publike? A vijojme akoma me defragmetime të kësaj pamje nga Tirana drejt Tropojës e Konispolit? Nuk dua ta perseris por më duket se edhe këtu janë po HEROINAT gra e vajza në sistemin e edukimit që “mbulojnë” paqeverisjen e kauzës që do rrënohej nëse 9 vjecari shqiptar nuk prodhon mirëqënie mendore dhe fizike për fëmijët tanë, për vajzat tona, nëna të ardhshme.

Nuk mund të harroj se LEGJISLATORI shqiptar ende nuk ka kapur ligjërimin e detyrimit që ka shteti shqiptar për qasjen e moshës për arsimim të detyruar (15 vjeç) me moshën kur Gjykata lejon martesën edhe 14 vjeç për arësye që LEGJISLATORI i vonuar ka parashikuar. Mosha duhet të shkojë në 15 vjeç e të përkojë me detyrimin kushtetues arsimor.

Besoj nuk ka njeri prej nesh që nuk pranon faktin se sa më e ulët të jetë shkalla e arsimimit aq më të mprehta bëhen problematikat e barzisë gjinore në këtë vend dhe kudo.

Në se do të shkruante Fishta mbi shërimin e sëmundjeve kësajkohe do të shprehej:

“Kohë t’vështira janë; por detyra e komit për t’rritunit e t’fmive asht ma e randë”.

…për këto më sipër e shumë të tjera sidomos ato mbi numrin e shtuar të rasteve të dhunës ndaj gruas dhe përkeqësimin e figurës së krimit ndaj tyre apo pamundësisë për trajtimin e jetimëve nga shteti pas moshës 18 vjeç, për strehëzat e grave të dhunuara që nuk mbështeten nga shteti por mbeten me sy tek donatorët apo bamirësat shqiptarë …….lutem të mos ketë Konferenca qeveritarësh dhe donatorësh për numër drejtoreshash gra, ministre gra apo numër deputetesh në Parlament.

Kudo qofshin këto të fundit, le të japin publikisht llogari se si rasti i kuruar e nën kujdes strehëzash i çdo vajze apo gruaje në varfëri e nën dhunë, fëmijeve të tyre, ka sjellë një hartë të përmirësuar të gjeografisë së varfërisë dhe dhunës së çdo lloji ndaj femrës në shoqërinë shqiptare.

…………..

Mirënjohje për gjithë ato qytetarë të këtij vendi që në kontributet e tyre ditore profesionale dhe njerëzore fuqizojnë vajza dhe gra, djem dhe burra larg varfërisë dhe dhunës në shoqëri.

..Më pas vjen barazi gjinore me statistikë drejtoreshash e drejtorësh, parlamentaresh e parlamentarësh…….listash e kryetarësh partish.

Nesër pres që lajmi i parë të jetë ai që Nazimes ti jepet FALJA nga Presidenti i Republikës…….do shprehte shumë për motivin dhe kuptimin që ka DITA Ndërkombëtare e Gruas…….më pas një protestë….pasuar nga një auditor me ide dhe zgjidhje për cilësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive të grave që guxojnë të protestojnë apo shprehen kundër Bosave të Politikës……

Nesër Dita duhet TË BËHET jo të kurohet mediatikisht dhe politikisht në salla luksi.

Mirënjohje për gjithë pjesëtarët e kësaj kauze në vite!

Femrat gazetare, mësueset dhe pedagoget nesër DUHET të jenë më shumë se kurrë në mision.

Ta shenjojmë më pozitivisht këtë vit Ditën e Gruas miqtë e mij!

Share: