Home KRYESORE Urime Tetë Marsin grave dhe ndjesë!

Urime Tetë Marsin grave dhe ndjesë!

Nga Lis Bukuroca

Për fat të keq, në atdhe, shumë gra nuk kanë fituar barazinë dhe lirinë siç fituam ne burrat. Na duhet akoma kohë dhe përpiquni të na kuptoni, por gjeni një mënyrë për ta luftuar trysninë dhe dominimin. Ky duhet të jetë qëllimi jetës. Ne, burrat, nuk jemi prodhim i vetvetes, por rezultat i një manipulimi dhe një edukate rurale, fisnore: i nënshtrimit të gruas. Ne nuk kemi mësuar dashurinë në shtëpi, as barazinë, por dominimin dhe mbikëqyrjen. Madje as në shkollë. Madje as shkrimtarët tonë, me pak përjashtime, nuk kanë luftuar shtypjen ashtu siç duhej: nga utilitarizmi.

Në atë edukatë, ka një kompozicion rregullash dhe parimesh, që merren me me paragjykimin e grave dhe trajtimin e tyre në mënyrë shumë të padrejtë. Ajo edukatë prodhon burra me komplekse, xheloz dhe pa empati. Në atë edukatë, nuk ka asnjë mësim se bashkëshortja duhet trajtuar me dashuri. Në atë edukatë mburren edhe me rrahjen e saj, madje, edhe me vrasjen. Në atë edukatë, nuk i thuhet fëmijës: Bir, nesër do të martohesh dhe lumturia e familjes tënde, varet nga barazia e bashkëshortes. Duaje, por mos nënshtro kurrë! Mos diskrimino në shtëpi! Vajzat janë gra që nesër bëhen nëna dhe gjyshe.

Tetë Marsi, është një ditë që neve burrave na përkujton ekuilibrin e e luhatur të shoqërisë: një popull përgjysmë i shtypur, ose ku shumica e grave, rrihen dhe keqtrajtohen shpirtërisht, ai popull nuk jeton i lumtur. Në atë popull, ku gjysma e popullsisë diskriminohet, ai popull nuk mund të ecën para. Ai shndërrohet në viktimë kolektive dhe vegjeton duke lëpirë plagë dhe pritur zgjidhje nga jashtë. Në atë popull, kur nuk mund të fajësohet gruaja, fajtori gjendet jashtë, por jo tek divani, ku ata janë shtrirë.

Megjithëse tani për tani vetëm 43 për qind nuk rrihen, kemi bërë ca hapa para dhe na ndjeni. Dikur rriheshin gati të gjitha. Kemi ecur para, por jo sa burrat e kombeve tjera. Faji është tek jeta fisnore dhe nënshtrimi i nënave: edhe mosgjetja e mënyrës për ta luftuar atë pushtet të ashpër.

Tetë Marsi është një ditë kur neve burrave na përkujton drejtpeshimin e humbur dhe paleoedukatën tonë. Ajo datë na përkujton se ne mund të përdorim në shtëpi metoda të pushtuesve, që vet i kemi luftuar. Tetë Marsi është simbolikë dhe përkujton kafshërinë mashkullore. Derisa të festohet ajo festë, do të na bëhet e qartë një fakt neve burrave: Gruaja shtypet dhe keqtrajtohet në shtëpinë e vet, pranë fëmijëve të vet. Nuk ka telashe në jetë gruaja që shtypet, por vështirësi me ekzistencën, ka ai që ndjen nevojën për të shtypur. Për të ndryshuar më mirë dhe më shpejtë, mund të na ndihmoni, si psikologu pacientin. Silluni si ata sepse dhuna me dhunë brenda familjes, nuk luftohet. Lexoni më shumë se ai dhe një ditë, do t’i besojë argumenteve dhe jo grushtave.

Urimet e mia të gjitha grave dhe ju kërkoj ndjesë për barbarinë e shkaktuar nga gjinia ime, që akoma nuk arrin të shërojë komplekset e imponuara në fëmijëri. Jini të mrekullueshme dhe kemi mijëra arsye për të jetuar një jetë të lumtur. Keni arritur shumë suksese. Me arsimimin Tuaj, me poezitë Tuaja, me romanet Tuaja, na keni ofruar shpirtin femëror: potencialin aq të madh emocional, që mund ta ketë vetëm gruaja! URIME!!! Një gjë nuk duhet harruar, barazia nuk falet, ajo merret!

Gruaja

Mirëpo, ti je dhe Nëna me fëmijë në gji
Që rrit vogëlushët e mbanë të tërën shtëpi
Ti je Ajo që me fëmijën në shkollë nxituar
Me vogëlush para mjekut qëndron trishtuar
Ti je Gjyshja, që me përralla nipat rrit
Ti je Mike, që këshillon pleqtë dhe të rinjt
Ti je Motra, që qanë për vëllanë e mërguar
Ti je Halla, që qafon nipin e lazdruar
Ti je Zonjë me vepra, me ndjenja sipërore
Nga larg e nga afër, lë mbresa hyjnore
Me Ty lindet jeta, me Ty rritet dashuria
Ku mungon Fjala Jote, rritet hasmëria
Ti je Nëna, që pret fëmijën me padurim
Ti je Nëna, që dërgon bijë e djalë në luftim
Edhe në ditë festive je duke punuar
Kur çlodhen të tjerët, je duke gatuar
Edhe për tetë marsin, më 28 Nëntor
Ofron shërbime për burrin gazmor
Jashtë e punësuar dhe në shtëpi
Pa falënderime dhe çdo ditë bëhesh fli
Edhe rrahësit i shtrihesh natën pranë
E helmuar i kthen shpinën, tutje ofshanë
U falë të gjithëve, me lot në sy
Të zë ankthi të jetosh pa fëmi
Dhe shpreson se një ditë burri mësohet
Se në familje vetëm me dashuri jetohet
Ti je hyjnore dhe me shpirt fisnike
Kryedhurata je Ti, në këtë botë gati tragjike!

Share: