Home KRYESORE VIKTORIA: “SI RASHË NË RRJETËN E TRAFIKUT SEKSUAL”

VIKTORIA: “SI RASHË NË RRJETËN E TRAFIKUT SEKSUAL”

Nga Irena Shabani

25 vitet që mban mbi supe Viktoria (emri real i të intervistuarës është ndryshuar, për arsye sigurie) nuk do të binin fare në sy sikur të mos ishte për disa rrudha të shtuara në ballë që të lënë të kuptosh se fytyra e saj e bukur ka kaluar në shumë furtuna emocionale. Viktoria flet një shqipe të bukur me dialekt verior, por ajo nuk është nga veriu dhe as shqiptare nuk është. Edhe pse sytë e saj të kristaltë të lënë po të njëjtën përshtypje. Ajo është e huaj. Ka mbërritur në Shqipëri në moshën 14 vjeçare, duke lënë pas qytetin e saj dhe pasaportën e vendit prej nga vjen, së bashku me një djalë shqiptar me të cilin u dashurua dhe mësoi shqipen dialektore njësoj si e fliste ai. Jeta e saj martesore shkoi për mrekulli derisa mes tyre hynë femra të tjera. Ajo u divorcua dhe u largua nga shtëpia. Mori një shtëpi me qira me disa vajza të tjera dhe gjeti një punë modeste.

Premtimi për punë

aeroporti-nene-tereza-tirane-rinasPas disa kohësh u njoh me një burrë të martuar dhe me fëmijë i cili i premtoi se do ta ndihmonte. Do ta prezantonte me një shokun e tij që jetonte në Itali dhe do i gjente punë atje. Viktoria nuk e shpjegon dot pse i besoi atij njeriu. Ajo përgjigjet me ngritje supesh kur e pyet për këtë. Komunikimin me djalin që do ta priste në aeroport e kishte pasur vetëm me mesazhe. Ai i pati premtuar se do ti gjente punë dhe sa kohë që ajo të mos kishte punë mund të jetonte tek shtëpia e tij. Udhëtimin me avion për në Venecia e ndërmori më shumë se dy vite më parë. Nuk e dinte se çfarë e priste dhe as sot nuk e imagjinon që ai kishte qënë një udhëtim drejt ferrit. Djali i pashëm që e priti në aeroportin e Venecias, dukej i butë dhe i sjellshëm, kjo ishte përshtypja e parë që krijoi Viktoria për të. Udhëtuan drejt Treviso dhe gjatë rrugës ai i shpjegoi se jetonte në shtëpi dhe me një vajzë tjetër. Po atë mbrëmje ai i tha të vishej e të dilte në punë me vajzën tjetër. “I pyeta se ku do shkonim, por nuk më kthyen përgjigje. Pastaj ajo më dha disa nga veshjet e saj dhe më tha ti vishja. Ishin veshje të çuditshme. Çisme të gjata të zeza, fustan i shkurtër i zi dhe një xhup me një çantë të vogël supi. Nuk po kuptoja asgjë. Ajo vetë u vesh me çisme të kuqe që flakërinin dhe me fustan tepër të shkurtër. Më dha çantën dhe dolëm”, tregon Viktoria. Rrugës për në vendin e punës Viktoria mendonte se meqë ishin veshur në mënyrë shumë të ekspozuar do iknin të punonin kamariere ose banakiere në një lokal nate. Pas 20 minutash ecje në këmbë vajza tjetër ndaloi dhe i tha se aty do punonin. “Ku këtu” e pyeti Viktoria e hutuar dhe tjetra filloi ti shpjegonte se do të punonin si prostituta në rrugë. Viktoria e kundërshtoi, por vajza i tha se tutori i tyre ishte djalë i i mirë dhe nuk do kishte kurrë probleme me të nëse sillej mirë, se ajo vetë e kishte bërë këtë punë për të prej vitesh. Vendi i punës ishte një rreth rrotullim jo aq i populluar. Vajza tjetër i tregoi se ku duhej të rrinte dhe i shpjegoi se aty afër ishte një parking ku ajo mund të konsumonte seks me klientët. I tregoi se në çantë kishte prezervativë, krem dhe letra të lagura. E këshilloi që ti merrte lekët paradhënie. “Makinën e parë e kujtoj si në ëndërr”, shprehet Viktoria, e ndaloi vajza tjetër dhe i tha klientit që ajo ishte “gocë” e re në rrugë, prandaj ai duhet të kishte kujdes”. Klienti foli me të një anglishte perfekte dhe i tha se ti je gjithë kjo gocë, pse ke përfunduar këtu. “Nuk i thashë asgjë”, tregon Viktoria, “Vetëm qaja pa pushim”. Klienti i parë e pagoi, por nuk kreu marrëdhënie me të. Të gjithë klientët e tjerë kryen marrëdhënie mes të qarave të saj. Mbaruan punë dhe shkanë tutje në rrugë, në jetën e tyre. Atë natë ajo bëri rreth 200 euro. Çmimi bazë për një marrëdhënie ishte 40 euro. U kthyen në shtëpi rreth orës 4 të mëngjesit. Të nesërmen Ajo i tha trafikantit se nuk do të dilte më në rrugë. Ai i qetë ia ktheu se do duhet të dilte përsëri se nuk kishte zgjidhje tjetër. Me ton aspak kërcënues ia dha mesazhin të qartë. Gjithë atë javë ajo e kaloi natën midis rrugës, seksit dhe lotëve të saj shpërthyes, por klientët ishin të pandjeshëm kundrejt kësaj pjese. Tutori nuk shfaqej gjëkundi. Ai kishte besim se e kishte nën vëzhgim nëpërmjet vajzës tjetër. 17 ditë më pas një klienti i erdhi keq për të, nuk kreu fare marrëdhënie seksuale, por ju përgjigj ndihmës që ajo i kërkoi për ta larguar që aty. Ai e mori me makinën e tij. I dha me vete gjithë lekët që kishte. I preu një biletë treni dhe e nisi për Verona.

Në “grackën” e dashurisë

Me ato lekë që kishte ajo ndenji dy ditë në hotel dhe pas ditës së dytë shkoi në një lokal për të pirë diçka. Dëgjoi një djalë që fliste shqip dhe i foli vetë duke i thënë se ishte nga Shqipëria. Ai e ftoi në tavolinën e tij ku ishte me të vëllain dhe të fejuarën e të vëllait. Ajo u tregoi historinë e saj të tmerrit dhe sesi kishte mundur t’ia mbathte dhe ai i ofroi suportin e tij duke i thënë se mund të vinte në shtëpinë e tyre dhe ata do kujdeseshin për të. Gjatë asaj periudhe ajo nuk mësoi asgjë për ta dhe punën e tyre. “Nuk e dija që vajza tjetër ishte një punonjëse seksi, ajo dilte në rrugë kur unë flija dhe kthehej kur unë isha ende në gjumë”, tregon Viktoria. Dy muaj më vonë, ata u kthyen të katërt në Shqipëri për të festuar vitin e ri në familjen e djemve. “Ia kaluam shumë bukur, u kënaqa shumë. Ata na prezantuan si të fejuarat e tyre”, tregon Viktoria. Ditën që u kthyen në Itali ai i komunikoi se ajo do dilte në rrugë së bashku me vajzën tjetër. “Unë e kundërshtova”, tregon ajo. Por ai ia ktheu se ajo kishte ngrënë dhe fjetur gratis dy muaj dhe duhet t’ia kthente lekët mbrapsht. Ajo i premtoi se do gjente një punë tjetër dhe do ia kthente lekët, por ai e vazhdoi bisedën me gjuhën e dhunës.

Rikthimi në trotuar

image_0144-620x350Atë natë ajo doli në rrugë përsëri, me shenjat e goditjes kudo nëpër trup, me veshjen e rëndomtë të prostitutës, me çantën ku kishte prezervativë, facoleta dhe krem. Duke menduar për atë kohën kur ishte fëmijë dhe kur kalonte në rrugë të tilla e hypur në makinën e mamasë së saj i përbuzte vajzat e veshura në atë mënyrë që rrinin dhe prisnin të ndalonte ndonjë makinë para këmbëve të tyre. Vendi ku dolën të prostituonin ishte vetëm 5 minuta larg shtëpisë së tyre. Aty tregon ajo bënim më shumë euro. Arrinim deri në 500 euro në natë. Të gjitha i dorëzonim tek djemtë. Vajza tjetër kishte shumë vite që e bënte atë punë. Ajo nuk fliste kurrë. Ishte e gatshme të bënte në sekondë çdo gjë që i thoshte tutori i saj. “Kur dilnim në rrugë dhe e pyesja për ndonjë gjë, ajo më lutej të mos i flisja. Kishte frikë se mos ata mendonin se po bënim ndonjë plan për tu arratisur”, rrëfen Viktoria duke parë vazhdimisht thonjtë e saj. Tutori i Viktorias ishte një njeri mizor dhe me rregulla strikte. Ai e ruante në anën përballë rrugës ku ajo takonte klientët. Rregulli i tij ishte që Viktoria duhet ta mbante hapur telefonin që ai të dëgjonte në telefon gjithë bisedat që bëheshin gjatë aktit seksual. Kur klientët i flisnin ajo u përgjigjej se nuk dinte italisht, duke ju thënë “english, english”. Por as paratë që i çonte ajo nuk e kënaqnin tutorin e saj. Ajo dhunohej rregullisht prej tij dhe xhelozisë së tij. Ai e kishte të ndaluar që ajo të shkonte me meshkuj që ai i njihte. Por pavarsisht kësaj ajo rrihej nën pretekstin se ajo shkonte me ta dhe nuk ju merrte lekë, ose që fshihte lekët që i jepnin klientët. “Na njihnin të gjithë, ishte shumë turp, ishim vetëm 5 minuta larg shtëpisë”, tund kokën plot hidhërim ajo. Pyetjes nëse ndonjëherë mori prej tij ndonjë dhuratë në shenjë falenderimi, apo i dha ndonjë lekë për të blerë ndonjë veshje që i pëlqente ajo i përgjigjet negativisht. Rrëfen se ai i blinte vetëm geta tre ose më shumë herë në javë, sepse klientët ndonjëherë ishin të dhunshëm. Nëse mund ta quaj si shenjë të “përkujdesit” të tij ajo kujton që ai çdo mëngjes i çonte mbi tavolinë një gotë qumësht, një molto dhe një paketë cigare. “Kur i thosha për ndonjë fustan, më thoshte jo, – tregon Viktoria dhe pastaj shton se nuk ishte e drejtë që ato të punonin në mes të rrugës të veshur siç donin tutorët dhe jo ta zgjidhnin vetë.

Robëri në shekullin e 21

Shumica e ditëve të saj kalonin e mbyllur në dhomën e shtëpisë së bashku me të. As me vajzën tjetër nuk kishte komunikim. “Kur donim të hanim bukë”, ai i binte murit për të hyrë në kuzhinë. Kështu merreshin vesh dy vëllezërit. Pjesa më e vështirë ishte kur vinin familjarët e tyre në Itali. Vetëm atëherë ajo dilte nga dhoma dhe bashkohej në kuzhinë me të tjerët duke u shtirur si një e fejuar, e lumtur në krahë të tij. Të vetmet raste kur dilte ishte kur dilnin të katër së bashku dhe uleshin në ndonjë lokal. Ai dhe i vëllai mund ti linin të dyja tek tavolina ngjitur për më shumë se katër orë. “Ata uleshin me shokët dhe pinin pa fund. Paguanin për të gjithë lokalin me lekët që kishim fituar ne” kujton ajo. Përpjekjet e saj për ti ikur rrugës u përsëritën tre herë. Nje nga herët ai e kapi në autobusin ku ajo hypi. Për çdo herë ai e rrihte dhe e godiste fort. Ajo dilte në rrugë me njollat e errëta mbi lëkurën e saj të bardhë. Gjatë asaj kohe humbi me dy masa rrobat dhe i ngjante më shumë një vogëlusheje të veshur me minifund dhe geta rrjetë me rombe të mëdhenj. Vetëm pak ditë pas të rrahurës së fundit ai doli herët në mëngjes. Ajo doli direkt pas tij. Vrapoi me sa fuqi që pati nëpër rrugë deri tek posta e policisë që ishte 20 minuta larg. Ai nuk po e ndiqte. Karabinierëve u tha të vërtetën dhe u kërkoi ndihmë. “Ata më besuan mua, kujton ajo, e kisha ende syrin e nxirë”. Kishin kaluar disa orë, kur ai i dehur shkoi deri në postën e policisë për të kërkuar atë. Ajo filloi të qante. “Pse qan më pyeti një nga policët dhe unë i thashë se po i dëgjoja zërin. Ai më tha të mos shqetësohesha se ai nuk hynte dot atje ku isha unë”, tregon ajo.

Shtatzanë me tutorin

FB_IMG_1456986690918Viktoria u transferua në një qëndër reabilitimi ndërkohë që në barkun e saj rritej një bebe e cila kishte dy muaj e gjysmë që ishte ngjizur. Kur Viktoria i kishte treguar tutorit që ajo ishte shtatzanë ai nuk e kishte besuar se ishte fëmija i tij, e kishte akuzuar se mund të kishte shkuar pa mjete mbrojtëse me klientët ose kishte shkuar me ndonjë nga shokët e tij. Megjithatë i pati premtuar se nëse analizat vërtetonin që ai ishte fëmija i tij, ajo që atë ditë do ta linte rrugën. Viktoria e la rrugën para premtimit të tij, përgjithmonë. Fillimisht ajo e urreu faktin që kishte në bark fëmijën e një monstre, të një njeriu që vetëm e kishte keqtrajtuar dhe përdorur, por sot që djali është më shumë se një vjeç ajo është e lumtur që e ka. Dhe jo vetëm ajo, por edhe vajzat e tjera të qëndrës “Të ndryshëm dhe të barabartë” ku ajo është strehuar që pas kthimit nga Italia. Tani Viktoria duket që është bërë një vajzë e fortë ajo i ka lënë pas netët pa gjumë kur zgjohej çdo natë nga ëndrrat e saj, makthet dhe frika që një fantazmë e përndiqte. Ajo i është rikthyer jetës që ka dashur gjithmonë të bëj, të kujdeset për flokët dhe tualetin. Ka bërë disa kurse profesionale dhe sot është e gatshme të punoj në profesionin që i pëlqente që kur ishte fëmijë dhe merrte krehërin për ti krehur flokët nënës së saj. Kur u kthye në Shqipëri mamaja e saj erdhi dhe u takua me të. Gjatë kohës që ajo fliste me të nga Italia nuk i tha kurrë të vërtetën. “Nuk ia thosha dot në telefon. Doja ta kisha përballë. Nuk kisha aq kohë sa t’ia shpjegoja gjërat me tutorin që ishte gjithmonë rrotull”, tregon Viktoria. Ajo e denoncoi tutorin e saj edhe në Itali, edhe në Shqipëri. Disa prej grupit të tij janë ende në kërkim. Ndërsa pyetjes se pasi ka kaluar dy eksperienca të vështira me djemtë shqiptarë a do ishte e gatshme për të krijuar një raport të ri, ajo i përgjigjet, njerëzit janë të ndryshëm dhe shton një mesazh për vajzat e reja që bien pre e trafikimit”Mos besoni kurrë lehtë, i hapni sytë mirë”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendëshme gjatë periudhës janar- dhjetor 2015 janë identifikuar, referuar, mbrojtur dhe asistuar 109 viktima ose viktima të mundshme trafikimi, nga 125 viktima ose viktima të mundshme për tu trafikuar në vitin 2014. Në 2015 kanë qënë viktima trafikimi 38 vajza, prej të cilave katër të huaja, ndërsa në vitin 2014 janë shpëtuar 37 vajza. Aktualisht ekzistojnë katër qëndra që strehojnë viktimat e trafikimit, tre prej tyre janë pjesë e organizatave jofitimprurëse dhe një shtetërore. Viktimat e trafikimit vijnë zakonisht nga familjet në nevojë ose nga ato me prindër të ndarë. Në strehëzat e viktimave të trafikimit një pjesë e vajzave janë minorene.

Share: