Home I pakategorizuar Zbulohen dokumentet sekrete të Shtetit Islamik

Zbulohen dokumentet sekrete të Shtetit Islamik

Për milicinë terroriste “Shteti Islamik” (IS) kjo është një goditje e rëndë: autoritetet e sigurisë, sipas medieve zotërojnë disa dokumente sekrete të IS.

Siç bën të ditur gazeta Süddeutsche Zeitung në botimin e saj në internet, “Shtetit Islamik” (IS) me sa duket i janë zhdukur dokumente sekrete me emrat e luftëtarëve të tij të huaj. Aleanca Investiguese e Süddeutsche Zeitung, NDR dhe WDR zotëron në bazë të raportit disa dyzina dokumentash të klasifikuara si “sekrete” të IS. Këto dokumenta përmbajnë të dhëna edhe për luftëtarë gjermanë. Materiali thuhet se e ka burimin nga pyetje të bëra brenda IS.

Më mirë luftëtar apo atentator vetëvrasës?

Siç shkruan më tej Süddeutsche Zeitung, çdo vullnetar i IS-it duhet t’u përgjigjet përballë një Administrate të Përgjithshme Kufitare gjithsej 23 pyetjeve. Krahas emrit, emrit të luftës dhe vendbanimit të mëparshëm pyeten edhe të dhëna për trafikuesit, të afërmit dhe për të ashtuquajturën përvojë në Xhihad. Personat që shkojnë në territorin nën sundimin e IS në Siri veç kësaj mund të deklarojnë nëse dëshirojnë të angazhohen si luftëtarë apo si atentatorë vetëvrasës.

Gazeta citon Zyrën Federale të Policisë Kriminale me pohimin: “Ne besojmë se me shumë gjasa bëhet fjala për dokumenta të vërteta.” Fjala është për rrjedhje informacioni të përmasave të mëdha, e cila mendohet se përfshin mijëra dosje të tilla të personelit, raporton DW.

Këto dokumente tani do të ndihmojnë për të nxjerrë para gjyqit anëtar të grupit terrorist. Dokumentat, sipas Süddeutsche Zeitung, tregojnë edhe se cilët gjermanë kanë ndikim të veçantë te IS, dhe se cili shërben si një lloj garanti për rekrutët e rinj. Midis tyre bën pjesë edhe islamisti gjerman Christian Emde, i cili e shoqëroi publicistin gjerman Jürgen Todenhöfer në udhëtimin e tij nëpër territorin e Shtetit Islamik./Dita.al

Share: