Nga Sidorela Jança
Javët e fundit janë raportuar shpesh në media raste të implikimit të të rinjve në operacionet e trafikimit të drogës. Përpos trafikimit jo të suksesshëm nga grupet kriminale, ata u drejtohen burgut dhe seancave gjyqësore për masën e dënimit. Tashmë trafikimi i lëndëve narkotike po trajtohet si një krim i rëndë në vendin tonë, pasi edhe masa e dënimit është relativisht e lartë, pothuajse në ekstrem. Por, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë nuk bëhet asnjë klasifikim për masën e dënimit të rinjve, po ashtu edhe cilësimin e llojit dhe sasinë e lëndës narkotike të trafikuar.
Gjatë javës së shkuar, në analizës vjetore të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kryetari i saj Fehmi Petku, parashtroi si problematikë e cila duhet të merret në konsideratë, caktimin e masës së dënimit për trafikimin e lëndëve narkotike, në bazë të sasisë dhe llojit të lëndës së trafikuar. Kreu i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, tha se juristët mendojnë se duhet të bëhet një rishikim i neneve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në bazë të llojit të lëndës narkotike, lidhur kjo edhe me sasinë.
“E diskutojmë shpesh herë që ka vetëm një nen për sa i përket dënimit për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Kur kemi në gjykim persona për këtë vepër penale, të gjithë i atribuohen nenit 283, nëse kjo vepër penale është kryer brenda kufijve të Shqipërisë. Ligji për klasifikimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope, i bën një ndarje lëndëve narkotike në të forta dhe të buta, madje ka edhe lëndë që kanë përmbajtje narkotike por që nuk përbëjnë kundravajtje penale, por masa e dënimit është standarde”, u shpreh Petku edhe në një intervistë për “Shekulli”-n. Sipas tij, nëse kemi të bëjmë me katër persona, të cilët kapen për trafikim të lëndëve narkotike me 1 kg hashash, dhe nga ana tjetër katër persona të tjerë që kapen me një kamion hashash, dënimi i këtyre dy grupeve është i njëjtë”.
Nevojën e ndryshimit të Kodit Penal dhe zbutjen e detajimin e dënimeve për mbajtjen, prodhimit dhe trafikimin e lëndëve narkotike e mbështet edhe avokati Idajet Beqiri. Në intervistën e tij, ai argumenton pse nuk duhet të ketë një masë dënimi për të gjithë “dosjet” e drogës, por është e nevojshme të bëhen diferencime për llojin e sasinë e lëndës narkotike, si dhe për mbajtësit, prodhuesit apo trafikuesit e saj. Avokat Beqiri fokusohet edhe në trajtimin që Kodi Penal e më pas gjykata duhet t’u bëjnë të miturve të përfshirë në zotërimin apo trafikimin e kanabisit dhe lëndëve të tjera narkotike. Gjatë javëve të fundit janë shtuar rastet e të arrestuarve për trafik të lëndëve narkotike. Përveç faktorit socio-ekonomik, a mund të themi se ka ndikim të madh mosinformimi i shqiptarëve për masën e dënimit për ata persona të cilët e marrin iniciativën e trafikimit të lëndëve narkotike? Trafikimi i lëndëve narkotike trajtohet si një ndër krimet më të rënda në Shqipëri.
Kjo dallohet nga masa e dënimit që parashikon neni 283/a i Kodit Penal. Minimumi i dënimit është shtatë vjet burg. Ndërsa nëse kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, me një ose më shumë persona, minimumi i dënimit është dhjetë vjet burg. Nuk ka dënim më të butë. Kjo tregon se ligjvënësi ynë është treguar maksimalisht ekstrem në vendosjen e masës së dënimit që ka paraparë për dënimin e kësaj vepre penale. Nëse do të ecnim sipas logjikës së ligjvënësve të Shqipërisë, do të thotë që kjo vepër penale është në një nivel numerik shumë të ulët, pasi askush nuk do të guxonte të bënte trafikim të lëndëve narkotike, pasi masa e dënimit “të këput brinjët”. Mirëpo ka ndodhur e kundërta. Sado e lartë të jetë masa e dënimit, edhe më i madh është numri i personave të implikuar në krim.
Pse ndodh kjo gjë? Sepse nuk është egërsia e dënimit ilaçi i vetëm shërues i kësaj të keqe. Nga ana tjetër, nëse krimit nuk i shkul rrënjët dhe degët, domethënë shkakun e ekzistencës së tij, më kot pret minimizimin e tij. Dhe shkaku kryesor që kemi një numër kaq të lartë njerëzish të implikuar dhe të dënuar për trafik droge në vend, është varfëria ekstreme e pjesës dërrmuese të popullsisë. Informimi i masës së popullit për masat e larta të dënimit që parashikon ligji nuk është i plotë. Informimi është pjesë përbërëse e masave që shteti dhe e gjithë shoqëria duhet të marrin në fushën parandaluese të këtij krimi. Për fatin e keq, në shoqërinë tonë dhe me këto institucione shtetërore që kemi, as që mund të bëhet fjalë për masa dhe luftë parandaluese.
Bazuar në Kodin Penal, mendoni se duhet të ndryshojë masa e dënimit për llojin dhe sasinë e lëndës narkotike? Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1995 e deri më sot, i janë bërë aq shumë ndryshime, sa mund të përbëjnë “rekord botëror”. Kjo e ka tjetërsuar dhe e ka shpërfytyruar Kodin Penal, deri në atë shkallë sa nuk ke ku ta kapësh më. Nga çdo pikëpamje ai është bërë një leckë me vështirësi të pafundme për t’u zbatuar. Është bërë domosdoshmëri edhe hartimi i një Kodi të ri të Procedurës Penale. Problemi është që dispozitat kryesore ligjore që parashikojnë dënimin e mbajtjes, prodhimit, shitjes, transportit të lëndëve narkotike, nga njëra anë, dhe trafikimi të lëndëve narkotike nga ana tjetër, janë dy dispozita që kërkojnë rishikim, konceptim dhe fiksim krejt ndryshe nga sa janë të trajtuara sot në Kodin Penal.
Ky rishikim dhe ndryshim thelbësor i këtyre dy dispozitave u duhet bërë në të dyja aspektet. Nga njëra anë duhet të ketë një trajnim tjetër ligjor për kanabisin sativa dhe një trajtim tjetër ligjor për drogat e forta si heroina, kokaina etj. Nga ana tjetër, nuk është njëlloj si të mbash, prodhosh apo trafikosh një ton lëndë narkotike, me dikë që trafikon 30 gram. Nuk është njësoj si të trafikosh një kg kanabis, si dhe 100 ton heroinë apo kokainë. Në Kodin Penal që kemi aktualisht në fuqi, nuk bëhet asnjë dallim. Të gjitha rastet dënohen njësoj. Kjo ka sjellë një degradim dhe jo seriozitet në luftën kundër këtij krimi./Shekulli.al