Home KRYESORE “Dekriminalizim apo kriminalizim“??!

“Dekriminalizim apo kriminalizim“??!

Nga ANXHELA MANCELLARI

Kur analizon këto zhvillime dhe sjelljet e udhëheqësive shtetërore dhe politike shqiptare, me dëshpërim pyet veten: a mos vetëm për ne shqiptarët vlen ende ajo thënia e famshme e Hegelit se “populli ka atë qeveri që meriton”?! Nuk të ikën e keqja as kur lexon se një filozof e humanist i sotëm hegelian, slloveni Sllavoj Zhizhek, paska shkruar: “Njerëzit nuk duan të kenë një lider të përsosur, ata duan të kenë një lider që të ketë të njëjtat dobësi sikurse ata vetë, me po ato vulgaritete.”

Prej disa kohesh në ligjërimin politik dhe në propagandën e përditshme në Tiranë hyri termi i papërkufizuar qartësisht “DEKRIMINALIZIM”. Ky term duket se po përdoret gjerësisht për shantazh në politikën e ditës dhe për lojë acaruese nervash me opinionin publik, tejet të lodhur e të zhgënjyer nga ‘rremuja’ e krijuar politike, ekonomike e shoqërore. Rreth këtij termi janë bërë kuturu biseda të ndezura televizive, janë hedhur teza e hipoteza të gjithfarshme; janë paraqitur edhe analiza diplomatike nën tituj ngacmues: “Dekriminalizimi i shoqërisë”, “Dekriminalizimi i politikës nga Xhon Kerri deri tek Donald Lu (ambasadori i ri amerikan në Tiranë)” (“MAPO” 11 mars); “SHBA refuzon takimin me Shqipërinë, kërkon dekriminalizim” (“Dita” 10 mars); “Qëndrimi i prerë i SHBA për dekrimin” (“Shqiptarja.com” 10 mars); “SHBA, BE dhe dekriminalizimi i ‘butë’ e ‘revolucionar’” (“Panorama 13 mars).

Termin “dekriminalizim” nuk e kisha hasur më parë në ndonjë dokument ose në literaturën politike e juridike. Rrëmova nëpër fjalorë që të mësoja diçka më të saktë rreth kuptimit të tij dhe interpretimit të drejtë juridik e logjik, por ai mungonte. Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe gjenden vetëm fjalët “krim”, “kiminel”, “kriminal”, ”kriminalitet”, “kriminalist”, “kriminalistikë”. Nuk ka fjalë “kriminalizoj” apo “kriminalizim”. Nuk i gjeta termat “kriminalizim”, “dekriminalizim” as në fjalorin Webster’s të gjuhës angleze, as në “Dictionary of Laws” të P. H Collin dhe “International Relations Dictionary”. Fjalorët e gjuhës frënge “Le Petit Robert” e “Le Petit Larousse Ilustre” kanë fjalët “incriminer” dhe “incrimination”, që kanë kuptimin “të akuzosh për përfshirje në një krim”; kanë edhe foljen “criminaliser” (“me kriminalizue”), të cilën nuk e shoqërojnë terma të prejardhur, sipas kuptimit të saj, “(de)criminalisation”. Të dy fjalorët për foljen “criminaliser” japin një shpjegim specifik: “të bësh që një lëndë (çështje në shqyrtim) të kalojë nga juridiksioni civil në juridiksionin kriminal (penal)”, pra të rëndosh cilësimin ligjor. Por, ndryshime të tilla bëhen nga organet e drejtësisë gjatë procedurave hetimore e gjyqësore, jo në veprimtarinë parlamentare ose partiake. Prandaj lufta politike për “dekriminalizimin e parlamentit” mund të përfundojë në një lojë të kotë e të dyshimtë fjalësh.

Termi “dekriminalizim” u bë flamur i betejës politike madhore të PD-së pas paraqitjes në ekranet televizive të skenave të pahijshme kur dy deputetë socialistë shiheshin duke grushtuar e shkelmuar një deputet opozitar demokrat në korridoret e Kuvendit. Kjo ndodhi u pasua nga bojkoti i parlamentit prej opozitës. Diplomacia evropiane, që “nuk i duron dot anomalitë demokratike” në Shqipëri e në Ballkan, ndërhyri me nxitim të normalizonte gjendjen dhe në muajin dhjetor 2014 i detyroi Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike të binin në ujdi që bashkërisht të bëjnë “dekriminalizimin e parlamentit”. Bojkoti disamujor mori fund dhe opozita u kthye në sallën e debateve. Çështja e “rrahjes parlamentare” i kaloi për shqyrtim e zgjidhje Gjykatës së Lartë, siç duhej të ishte bërë qysh në fillim. Cilido që të jetë rezultati hetimor i çështjes është e sigurt se imazhit të Shqipërisë dhe të politikës shqiptare i është shkaktuar tashmë një dëm i madh e i pandreqshëm.

Shqiptarët kanë një arsye më shumë të ndjehen fatkeqë që punët nuk po u shkojnë mirë, që vendi vazhdon të zhytet në kaos, në varfëri ekonomike, në korrupsion e kriminalitet të lartë; që u duket vetja të dënuar të jetojnë në shtetin më të keq-qeverisur në Europë. Kështu po e ndjejnë veten edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë. Shantazhet me “dekriminalizimin” po shkaktojnë tensione politike edhe tek shqiptarët në Kosovë e Maqedoni.
Modeli i liderit shqiptar ka rënë fatkeqësisht nën nivelin e shqiptarit të zakonshëm fisnik, për shkak se shumë liderë shqiptarë janë të mbingarkuar me vese politike, me sjellje vulgare dhe me dyshime për implikime kriminale. Kjo e keqe te liderët shqiptarë është, me sa duket, më e madhe se tek ata të kombeve e vendeve të tjera europiane.

Pra, parlamenti i tanishëm duhet të ndryshojë rrënjësisht formatin që i dhanë zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Dihet se mënyra më radikale për të spastruar një parlament të kompromentuar është shpërndarja e tij para mbarimit të mandatit dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme. Kjo bëhet në rrethana dhe sipas rregullash të parashikuara në ligj ose imponohet nga zhvillime jokushtetuese. Ndërkaq spastrimi i parlamentit nga deputetë të dyshuar si të inkriminuar bëhet mbi bazë vendimesh gjyqësore. Në historinë 25-vjeçare të parlamentarizmit pluralist në Shqipëri ka disa raste të spastrimit radikal parlamentar. Pushtetit të sotëm socialist i kërkohet nga opozita demokrate të dorëzohet para kohe “o me hir, o me pa hir”.
Shqipëria është vërtetë në vështirësi të mëdha ekonomike, por nuk mund të thuhet se është në kushtet e varfërisë ekstreme, që e bëjnë të pashmangshëm shpërthimin e “revolucionit”. Në Shqipëri drejtësia është vërtetë e përdhosur shumë, por kjo është rrjedhojë e mbrapshtive të të gjitha forcave politike që janë ndërruar në pushtet dhe kanë krijuar sistemin e kalbur të bandokracisë.

Prandaj parlamenti është i diskredituar përfundimisht në sytë e shumicës së shqiptarëve ku skenat e shëmtuara nuk kanë munguar edhe më parë. Nuk kemi si t’i gëzohemi shumë “dekriminalizimit” të parlamentit me ndihmën e huaj. As nuk duhet të urojmë që “dekriminalizimi” i parlamentit të bëhet me “revolucion popullor”. “Dekriminalizimi” është një engledisje për disa kohë e politikanëve që nuk mund të bëjnë politikë pa sherre dhe nuk dinë si të krijojnë kauza serioze për të mobilizuar pasuesit e tyre. Është më mirë të mendojmë si duhet bërë “ekzorcizmi politik” (çlirimi nga demonët politikë) i shoqërisë dhe individit që të shkohet drejt vetëshërimit kombëtar, kurimit të lëngatës morale dhe uljes së deficitit nacionalist! Për të përballuar problemet e tyre të ndërlikuara dhe të vështira, shqiptarët nuk kanë aq nevojë sot për “revolucione shoqërore”, por për revolucionin e tyre kombëtar…

Share: