Edi Rama dje “pastroi” partinë e tij përfundimisht nga Blushi dhe kundërshtarët. Kjo ishte e para pikë kryesore e axhendës së tij. Së dyti lëshoi disa shigjeta edhe ndaj aleatit të tij Ilir Meta që të jetë i kujdeshëm tek reforma e drejtësisë.
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste tema kryesore ishte zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë. Por në fjalimin e tij, Kryeministri Edi Rama u ndal dhe në bilancin e punëve të qeverisë, ku ende ka mbetur pezull reforma në drejtësi. Nga forumi më i lartë i PS-së, kryeministri tha se reforma duhet të kalojë shumë shpejt dhe se afatet janë drejt limitit. Ai tha se u premtua se reforma do kalonte në mars, më pas në muajin prill, por ende palët nuk kanë rënë dakord. Në këtë pikë, nuk ka munguar edhe një kërcënim i hapur për ata që sipas kreut të Qeverisë janë kundër miratimit të kësaj reforme. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Rama u shpreh se ata që përpiqen të pengojnë kalimin e reformës do të përvëlohen nga reagimi i shoqërisë shqiptare, por edhe ndërkombëtarëve.
“Jam i bindur që do të kalojë. Ashtu sikurse jam i bindur se cilido që do ta identifikonte veten plotësisht si penguesi i saj do të merrte përsipër një kosto përvëluese, me një faturë të papërballueshme, qoftë nga populli shqiptar, qoftë nga komuniteti ndërkombëtar”,- deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Kërcënimi është i hapur dhe duket se shkon drejt partive kryesore të Parlamentit që kanë në dorë votat për kalimin e reformës. Mesazhi i Ramës është i ngjashëm me atë që bëri pas takimit në SHBA me Presidentin Barak Obama dhe zëvendës Presidentin e SHBA-ve, Xho Bajden, duke nënkuptuar se reforma e hartuar nga ekspertë dhe që ka marrë miratimin e Komisionit të Venecias ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por termi “përvëlim” është dhe një sinjal tjetër i Kryeministrit Edi Rama. Jo pak herë ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste kanë deklaruar se në rast se reforma dështon, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Rama ka deklaruar se ky është plani rezervë i Partisë Socialiste në rast se opozita nuk bie dakord për të dhënë votat e domosdoshme për kalimin e saj. Në një mënyrë tangente Edi Rama ka lëshuar shigjeta helmi edhe ndaj LSI. Vetëm pak orë më pas Lëvizja Socialiste për Integrim, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama deklaroi se kjo forcë politike ka qenë gjithmonë e gatshme që të votonte reformës në drejtësi. Madje, Luan Rama tha se për LSI reforma duhet të kalojë mënjëherë “Kjo nuk është një çështje interesi individual apo partiak, është çështje interesi për qytetarët shqiptarë, që drejtësia të ketë standarde europiane. Ne jemi gati që nesër”,- tha sekretari i Përgjithshëm i LSI.
Kryeministri tha se reforma mund të kalonte që javën e ardhshme. Por në situatën aktuale politike gjasat janë shumë pak, pavarësisht qëndrimit të PS dhe LSI. Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha u përjashtua 10 ditë nga Kuvendi duke çuar në ekstrem konfliktin politik. Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e vendimit, në të kundërt do të ketë reagime dhe masa ekstreme. Të flasësh për reformën tani me PD duket thuajse e pamundur. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama ka lëshuar dhe dje kërcënimin për “përvëlimin” e kundërshtarëve. Në fakt reforma ka nevojë për konsensus. E tha edhe Presidenti i Parlamentit gjerman para dy ditësh që ka nevojë për mirëkuptim mes palëeve. PD deklaron se do reagojë, Berisha përmend marrjen e armëve nga populli dhe Kryeministri flet për masa ndëshkuese. Në këtë situatë që ngjan si pragbeteje me armë dhe zjarr, vetëm për reformë nuk mund të flitet më.
Nuk ka gjasa që kjo reformë të futet në rendin e ditës dhe për muajin prill. PD-ja diçka po kurdis kundër kryeministrit Rama. Braktisje të parlamentit për një afat të pacaktuar apo protesta të dhunshme,kjo mbetet të shikohet gjatë javës së ardhshme. Por duket se përveç përplasjes me PD-në kryeministri ka një minë në koalicion pasi LSI ka kërkuar, me të drejtë, që koncesionet të mos jenë kompetencë e qeverisë por e parlamentit, pasi flitet për prona publike, të cilat po jepen nga qeveria për afate mbi 20 vite. Projektligji i paraqitur nga LSI për koncesionet ka kundërshtimin e hapur të PS-së. Edhe në komision parlamentar e kanë rrëzuar. Por pritet që LSI, sipas procedurës parlamentare, ta hedh në votim në sallën e Kuvendit. Dhe votave të LSI do ti bashkohen votat e opozitës, të PDIU, të PAA së Agron Dukës si dhe të deputetëve antiRama. Ben Blushi tha për “Koha Jone” se projektligjin e LSI për koncensionet do ta votojë pro, pasi Rama po vjedh dhe po shkatërron ekonominë e vendit.
Nëse ndodh që LSI merr mbi 71 vota dhe PS-ja voton kundër atëhere është rrëzim politik i kryeministrit Rama. Pas kësaj nuk dihet fundi i fillimit anti Rama….!/Koha Jone