Home KRYESORE Idhujtaria e Dhunës

Idhujtaria e Dhunës

Nga Mira Tuci

Ngritja e dorës dhe peshës së saj mbi vëllaun, fëmijen tënd apo të tjetrit është e lashtë aq sa miti biblik ku Kaini ngre dorën me gurë mbi kokën e Abelit, vëllait të nje gjaku.

Kainizimi i shoqërisë shqiptare, që zanafillën e ka tek zilia si një nga litarët e forte që të tërheq poshtë në humnerën e ndjesive negative duke shkaktuar një reaksion zingjir deri tek veprimi i pakthyeshëm që është vellavrasja, çdo ditë e më tepër na përplaset në fytyrë me të njëjtën fuqi shkatërruese të detit të tërbuar që përplaset pas një shkëmbi.

Dhuna si efekt zingjir që prek çdo qelizë shqiptare, dhuna si stil jetese ujitur nga urrejtja për tjetrin që është i ndryshëm apo për atë që është më i dobet dhe i pambrojtur.

Rasti i dhunimit të fëmijëve në jetimoren e qytetit Shkodrës është vetëm një copëz pasqyre e thyer nga dhuna që në familjet shqiptare është diçka që nuk diskutohet por kryhet, nuk flitet për të por ekzekutohet.
Dhuna dhe rrahja si diçka që e marrim të mirëqënë pasi vetëm përmes saj mund të pohojmë se ekzistojmë, se jemi të fortë, se nuk thyhemi.

Ushtrimi i autoritetit qoftë ai publik apo individual që nuk kuptohet pa një mozaik dhune deshmon per një shoqëri në spazma epilepsie të fortë.

Sapo organizmi “shoqëri” arrin të marr frymë nga një ngjarje e rëndë papritmas ndodh tjetra duke na lënë krejt të palëvizshëm dhe të pafuqishem për të reaguar.

Dhe kur shoqëria reagon, e bën atë në mënyrë impulsive e bën po me urrejtje dhe dhunë duke mos u pastruar përmes reflektimit dhe kërkimit të shkaqeve por duke sharë, duke vjellë vrer dhe duke i bërë rrathët e urrejtjes të zgjerohen në të gjithë liqenin e cekët në të cilin gjallojmë e po mbytemi.

Me të njëjtën lehtësi (që përflaket si shkrepsja kur nuk fryn erë) me të cilën ndodh dhuna në institucionet publike qëndrore, në Parlament bie fjala ku dhunën nga ajo verbale tek ajo fizike mund ta ndajnë veç pak elemente, afërmendsh do të ndodhë njësoj edhe në institucione të tjera si shkollat, kopshtet, çerdhet, jetimoret. Modeli është po ai, modeli i të fortit. Pushtetin tregoje me dhunë, mbaje me dhunë, mos përcill ndjesi pozitive dhe mbaj larg njerezit e aftë dhe ekspertë.

Mos eduko por dikto, nese nuk të binden përdor një shkop apo thupren klasike prej thane.

Edukimi kërkon kohë, kërkon investim, kërkon kulture dhe na i merr paratë nuk na i jep shpejt, menjëherë dhe sa më shumë.

Ndaj punësojmë ata që ndajnë paratë me drejtuesit dhe jo edukatore të afta, punonjëse sociale që përveçse eksperte mbi të gjitha të jenë njerëzore.

A kushton shume sot të jesh njerëzor? Me sa duket në shoqerinë shqiptare të dhunuar dhe frustruar duket sakrificë e madhe dhe po aq sakrilegj ndaj idhujtarisë së dhunes që i ka shtrirë tentakulat kudo.

Të jesh njerëzor, të mos i besh të tjeret të vuajnë por përkundrazi të japësh dashuri dhe mbështetje. Të tregosh rregullat por duke frymëzuar qënie të vogla e të pambrojtura si fëmijet, t’i motivosh ata për tu bërë njerëz të së ardhmes, që japin dashuri dhe nuk bëhen edhe ata hallkë tjetër në të stërzgjaturin zingjir të dhunës.

E mbi të gjitha të respektosh dinjitetin e tyre.

Kur fëmijet dhunohen hapur, në rrugë të madhe dhe pak ose aspak ju bën përshtypje kalimtarëve, kjo tregon se jemi shndërruar në një shoqëri të pandjeshme, që reflekton të njëjtën ftohtësi si betoni me të cilën kemi mbytur hapësirat tona.

Kur dhuna është kryefjalë, aty ka pushuar së jetuari dinjiteti dhe kur dinjiteti mbytet që në embrion ajo shoqëri mund të firmosë pa kaluar shumë kohë dënimin e saj me vdekje.

E të mendosh se Nene Tereza e cila është bërë simbol botëror i mbrojtëses dhe ndihmëses së më të dobtëve, e të nëpërkëmburve, të varfërve dhe jetimeve që jetojnë në qoshe të njerëzimit, ishte shqiptare.

* botuar 08.07.2015 ne zhurnal.mk

Share: