Home KRYESORE Interviste e Rames direkt pas takimit ne Shtepine e bardhe

Interviste e Rames direkt pas takimit ne Shtepine e bardhe

Kryeministri Edi Rama: E para që duhet thënë është se është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona. Është një kulmim që nuk ndodh çdo ditë, pasi vizita në Shtëpinë e Bardhe takimi me Presidentin Obama dhe Zëvendespresidentin Biden, përben një moment ku bëhet një rezyme e gjërave që kanë ndodhur dhe ku flitet për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke vënë theksin në ato pika që janë me rëndësi të përbashkët strategjike. Unë e marr si një moment të një rëndësie të veçantë për vendin tonë, pasi është një marrëdhënie shumë speciale. Vizita në shtëpinë e bardhë përbën edhe një vlerësim të posaçëm për këtë fazë në të cilën vendi po kalon dhe për rolin e Shqipërisë në rajon. Ashtu sikundër edhe si një parter i ngushtë i SHBA-ve, besnikërisht prej 25 vitesh.

-A mendoni se çështjet e sigurisë që përmendet dhe situata botërore, pra roli i Shqipërisë dhe i Ballkanit do të kenë një vend të rëndësishëm?

Kryeministri Edi Rama: Padyshim edhe nga përgatitjet e takimit ka dalë fare qartë që nga njëra anë reformat e rëndësishme që ne kemi ndërmarrë dhe nga ana tjetër, në mënyrë të veçantë, roli ynë në rajon, politika jonë e jashtme në raport me rajonin, transformimi i madh që ka ndodhur si rezultat i një dinamike të re të rajonit, ku politika jonë e jashtme ka luajtur një rol të dorës së parë, përbëjnë edhe arsyet themelore të kësaj vizite dhe diskutimeve me presidentin. Padyshim edhe çfarë Shqipëria mund të bëjë me tutje në përballimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit në tërësi.

-Dje ka dalë raporti i përvitshëm i departamentit të shtetit për të drejtat e njeriut. Kapitulli për Shqipërinë flet për të njëjtat shqetësime që kanë qënë edhe me parë. Shqetësim kryesor është korrupsioni, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe atë shëndetësor dhe pandëshkueshmëria. Cili është reagimi juaj ndaj këtij raporti?

Kryeministri Rama: Së pari raporti është një raport pozitiv për Shqipërinë. Korrupsioni është një problem me të cilin ne përballemi çdo ditë dhe nëse do të ishte fshirë nga raporti, do të kishim të bënim me një magji që faktikisht nuk i takon jetës konkrete. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë ndonjë magji. Ne kemi marrë përsipër të modernizojmë shtetin dhe modernizmi i shtetit, modernizmi i institucioneve, modernizimi i sistemeve të funksionimit të brendshëm të shtetit do të sjellë një ulje të vazhdueshme të korrupsionit.

Nga ana tjetër dua të theksoj se raporti flet shumë qartë se pika problematike që ne dimë të gjithë është drejtësia dhe pandëshkueshmëria që vjen  si rezultat i mungesës së një sistemi drejtësie të besueshëm. Kjo është dhe arsyeja pse ne po bëjmë çdo gjë për të kaluar një reformë rrënjësore për sistemin e drejtësisë dhe kjo është arsyeja pse SHBA-e kanë mbështetur këtë reformë me të gjitha mënyrat dhe e duam me patjetër që kjo të ndodhe edhe si një shprehje kuptimplotë e seriozitetit në Shqipëri dhe të gjithë palëve në Shqipëri, në këtë partneritet,  ku padyshim vlerat e demokracisë janë themeli.

Share: